Vjedhin e djegin makinën e policit, arrestohen
Tropojë, katër të rinj kanë vjedhur gjatë orëve të para të mëngjesit makinën e një efektivi të policisë kufitare
Pas rrethimit nga policia ata i kanë vënë flakën makinës dhe kanë tentuar të largohen nga vendngjarja
TROPOJË- Vjedhin makinën e oficerit të policisë, por kur rrezikojnë të kapen i vënë flakën. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në afërsi të fshatit Llugaj, ku policia vendore e Tropojës ka zbuluar automjetin e vjedhur, por që ishte tërësisht i djegur. Djegia e makinës nuk i ka mjaftuar katër të rinjve për të fshehur gjurmët pasi janë arrestuar disa orë më pas me akuzën e vjedhjes dhe shkatërrimit të pronës së tjetrit.
***
Burimet zyrtare të policisë së Tropojës pohuan se katër personat e arrestuar për këtë ngjarje janë FatjonSelimaj, 18 vjeç, Egzon Prengzi, 24 vjeç, i dënuar më parë për vjedhje, Almandin Ismailsufaj, 21 vjeç, dhe Elton Kuca, 18 vjeç. “Të katër këta persona, në orët e para të mëngjesit, kanë vjedhur në lagjen “Dardania” të qytetit të Bajram Currit, automjetin tip “Benz” me targa “BC 0027 B”, në pronësi të shtetasit Gëzim Basha,oficer i policisë kufitare në Tropojë”,- thanë burimet zyrtare. Pas marrjes së denoncimit, policia e Tropojës është vënë në ndjekje të grabitësve, të cilët bashkë me automjetin e vjedhur ishin larguar nga qyteti i Bajram Currit në drejtim të fshatit Llugaj. Pas disa orë kërkimesh, policia ka rënë në gjurmët e grabitësve të cilët janë fshehur bashkë me automjetin në rrugët e brendshme të fshatit. Duke parë se ishin të rrethuar nga policia, katër të rinjtë grabitës të automjetit, i kanë vënë flakën duke e djegur atë plotësisht. Ndërsa automjeti ka vazhduar të digjej, katër grabitësit janë munduar të largohen nga vendi i ngjarjes me shpresën se nuk do të identifikoheshin. Por policia kishte rrethuar të gjithë zonën duke i vënë prangat disa kohë më pas. Policia ka bërë të ditur se vjedhja dhe më pas djegia e automjetit të oficerit të policisë nuk kishte të bënte me detyrën si oficer në policinë kufitare në Tropojë. Policia thotë se djegia e automjetit është bërë me qëllimin e zhdukjes së gjurmëve nga ana vjedhësve, pasi njeri prej tyre i kishte të depozituara gjurmët daktiloskopike në polici.
Tropoja është identifikuar si një ndër zonat ku zhvillohet trafiku i mjeteve motorike, sidomosatyre me prejardhje nga Kosova. Trafikantët dhe vjedhësit e automjeteve, në shumë raste kanë braktisur automjetet e vjedhura kur janë vënë në ndjekje nga ana e policisë. Por ato janë tradhtuar nga gjurmët e gishtërinjve të lëna në automjet, kështu që kohët e fundit ka filluar të praktikohet djegia e makinave për të mos lënë gjurmë. Në janar të këtij viti, një grup trafikantësh i vunë zjarrin një fuoristrade luksoze në fshatin Zherkë, kufi me Kosovën. Automjeti ishte vjedhur në Kosovë, por vjedhësit ishin diktuar nga policia kufitare dhe ishin vënë në ndjekje të tyre. Duke qenë të rrethuar, dy trafikantët kanë dalë nga automjeti dhe e kanë spërkatur atë me lëndë djegëse duke i vënë flakën. Ndërsa automjeti ka vazhduar të digjej, dy trafikantët janë larguar nga vendi i ngjarjes pa arritur që të kapen nga policitë e të dy vendeve.