Kur votuesi zgjedh vetë kutinë e gabuar
Jam i bindur se kryeministri Sali Berisha po mundohet ti vjedhë fitoren z. Edi Rama. Po ndaloj në bazën e arsyetimit/sofizmit të kryeministrit Berisha: ai thotë se duhen numëruar edhe fletët e votimit të hedhura në kutinë e gabuar. Këtë ai e bazon në principin se është fletë votimi e vlefshme, kur ajo jep qartë, pa asnjë mëdyshje se cili ka qenë qëllimi i votuesit, pra se për cilin kandidat ka dashur të votojë, apo mos të votojë votuesi. Me këtë princip janë dakord të gjithë. Por unë mendoj se sofizmi i kryeministrit Berisha qëndron në faktin se ky princip i drejtë, nuk mund të zbatohet për rastin e fletëve të votimit të hedhura në kutitë e gabuara, kjo sepse për to nuk dihet me siguri, nëse hedhja e fletës gabim, ka qenë pa dashje, apo me dashje! (Natyrisht jam dakord edhe me arsyetimet juridike se Ligji praktikisht e ka të nënkuptuar se nuk duhen konsideruar të vlefshme fletët e hedhura në kutitë e gabuara, por unë qëllimisht po ndjek vetëm sofizmin e kryeministrit).
Pra, në rastin e fletëvotimeve të hedhura në kutinë e gabuar, nuk është e qartë pa asnjë mëdyshje, se cili ka qenë qëllimi i votuesit, siç mëton se është, kryeministri ynë Sali Berisha. Në vijim do të jap rastin e një mikut tim me emrin Lemeria, që të kuptoni se gjërat nuk janë ashtu si mundohet tua ngatërrojë mendjen naivëve, kryeministri ynë, duke keqpërdorur ngutin dhe cektësinë e gjykimit të fansave të tij.
Miku im Lemeria, meqë kishte dhe të njohur zonjën e nderuar Elsa Ballauri, atë të shoqërisë civile, vendosi të bëjë një votim të veçantë. Duhet thënë se miku im Lemeria e njihte mirë Kodin Zgjedhor, si dhe kishte informacion nga zonja Ballauri, se shpesh gjenden fletëvotimi në kutitë e gabuara, të cilat komisionerët e numëruesit, me të drejtë i quanin të pavlefshme. Informacioni i mikut tim Lemeria, ishte edhe se me gjithë këmbënguljen e shoqërisë civile të zonjave si Elsa Ballauri, prapë se prapë, komisionerët nuk para ishin sa duhet vigjilentë, pra të vëmendshëm në orientimin e votuesve për të hedhur fletën e votimit në kutinë e duhur. Dhe ja tani se çbëri miku im Lemeria:
Lemeria nuk donte të votonte për zotin Basha, sepse nuk e duronte fare, as hipjen e tij me katapultë në majat e politikës, dhe as sjelljet e tij këto 6 vjet. Por miku im Lemeria, nuk e kishte aq të thjeshtë të mos votonte për zotin Basha, sepse ai, Lemeria, punonte në një dikaster, ku drejtuesi i tij e kishte kërcënuar se po nuk votoi për kandidatin Basha, e piu e zeza. Madje drejtuesi i kishte thënë se sido që të votosh, do ta marrim vesh se do ta marrim, sepse në vendin ku ti do të plotësosh fletën e votimit, janë instaluar kamera të fshehta shumë të sofistikuara etj. Gjithsesi, miku im Lemeria, kujtoj se e gjeti zgjidhjen e tij, që të bënte një mosbindje ndaj eprorit saliist. Lemeria e plotësoi fletën e votimit si plotësohej për të votuar për Bashën, por ama ruajti momentin dhe e hodhi qëllimisht në kutinë e gabuar. Doli nga qendra e votimit i gëzuar, se ua kishte hedhur të gjithë kamerave e të gjithë spiunëve që e ndiqnin: nuk kishte votuar për Bashën.
Por jo, Lemeria harroi se deri ku shkon kryeministri ynë: tani po sheh se vota e tij jo për Bashën, po numërohet për të!
