E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama; Nuk e njohim rezultatin e Tiranës dhe qeverinë

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryetarit të opozitës, Edi Rama, pas daljes publike të kryeministrit Sali Berisha, sipas të cilit, KQZ-ja po përmbush një detyrim ligjor duke numëruar cdo votë. “Qëparë e dëgjuan të gjithë Saliun, në rolin e konsulentit juridik të Komisionit Qendror të Vjedhjeve, i cili foli përçart duke treguar për këdo që kishte ende nevojë ta dinte, se është ai dhe vetëm ai, kryeministri i vendit, që po orkestron maskaradën e dhunimit të ligjit për të vjedhur në tavolinë fitoren tonë të bukur e të qartë në Tiranë...i thërras Saliut me zërin e arsyes sovrane të zgjedhësve. Ndaloje këtë maskaradë që e ke iniciuar ti dhe e orkestron po ti, dhe tërhiqi vjedhësit e tu nga rruga qorre e grabitjes së fitores sonë në tavolinë, përpara sesa të jetë shumë vonë për të gjithë, po në radhë të parë për ty”,- tha Rama. Ai shtoi se opozita jo vetëm nuk do ta njohë rezultatin e Tiranës por nuk do të njohë më as qeverinë.“E cila tanimë nuk po e vjedh tinëz si dy vjet më parë votën e qytetarëve, po hapur, me një paturpësi të egër, në sy të miliona shqiptarëve e të miqve dhe partnerëve tanë të habitur prej kësaj vjedhjeje maratonë, ku shfaqen kuti pa kode, dalin fletë tepër, bëhen shkelje të ligjit e të çdo norme elementare të moralit njerëzor”. Ndërkohë, një sinjal aspak ogurmirë për Shqipërinë e ka cilësuar Edi Rama, anulimin e vizitës në Shqipëri të Presidentit të Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso. “Komisioni Qendror i Vjedhjeve, nën dhunën e patolerueshme antiligjore të Saliut, po vazhdon të konsumojë në televizor një krim me pasoja të pallogaritshme për demokracinë, shtetin e të drejtës dhe vetë stabilitetin e këtij vendi. Opozita Shqiptare, Partia Socialiste si zemra e saj, nuk do të pushojë së kërkuari rrugëdaljen demokratike, ligjore, politike nga ky qorrsokak, ku sytë e verbuar të kryeministrit dhe epshi shtazarak i oborrit të tij të interesave të paligjshme politike e financiare, po e ndryjnë orë e çast Shqipërinë”, - tha ai. Rama theksoi se PS-ja i ka fituar zgjedhjet në Tiranë dhe se këtë gjë e panë dhe dëgjuan miliona njerëz. “Përmbysja e rezultatit të atij numërimi në tavolinën e Komisionit Qendror të Vjedhjeve, ku edhe vetë maskarada është e arnuar si mos më keq, deri edhe me fletë votimi të sajuara me ngut e të zhytura në kuti jo nga zgjedhësit, po nga vjedhësit nuk mund të kthehet në një fakt të kryer pa asgjësuar më parë opozitën shqiptare. Saliu duhet ta dijë shumë mirë se për të qëndruar në atë vend duhet t’i lëshojë rrugë Kushtetutës, ligjit, të vërtetës së 8 majit në Tiranë dhe çdo llogari e bërë mbi bazën e përdorimit të forcës mbi opozitën, për të imponuar një rezultat të paligjshëm, është llogari kryekëput e gabuar”, - tha ai. Për këtë arsye, Rama i ka kërkuar ndihmë edhe komunitetit ndërkombëtar. “Thërrasim përsëri sot në ndihmë komunitetin e miqve dhe partnerëve të pazëvendësueshëm të popullit shqiptar, Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Europian, OSBE, dhe çdo mik e partner tjetër që të mos i lënë vetëm Shqipërinë e shqiptarët në këto orë dramatike. Ne jemi gati të kontribuojmë me gjithshka mundemi për kthimin e kësaj faqeje të vjetër që po zymtohet orë e çast dhe nxjerrjen e vendit nga ky udhëkryq mes humnerës teposhtë e majës së lartë të lirive e të drejtave të garantuara për çdo qytetarë, duke filluar nga liria dhe e drejta themelore e votës”, - tha Rama. I njëjti apel nga ana e tij iu drejtua edhe Presidentit të Republikës si garant i Kushtetutës dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. “Opozita shqiptare do të kërkojë në orët në vijim, përmes një kallëzimi penal për shpërdorim detyre dhe falsifikim të rezultateve zgjedhore nga ana e katër anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërhyrjen e prokurorisë për të administruar me shpejtësi të gjitha provat e krimit elektoral që po konsumohet në tavolinën e atij komisioni dhe filluar menjëherë hetimin e kësaj vepre antikombëtare, antikushtetuese, antiligjore me qëllime të errëta politike... Ne jemi në këmbë dhe s’ka diktat e dhunë shtetërore që na gjunjëzon derisa të kemi frymë”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›