E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Anulimi i vizitës së Barrosos, politika përgjegjëse

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka reaguar dje për shtyrjen e vizitës së presidentit të Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso, si rezultat i situatës së krijuar në vend. Kreu i shtetit e ka komentuar këtë shtyrje si një zhvillim jo të këndshëm dhe një shans të vonuar për Shqipërinë. Presidenti i Republikës thekson se Hoze Manuel Barroso ka qenë dhe është një mbështetës i Shqipërisë në rrugën e saj të reformave dhe integrimit dhe se vizita e tij pritej të konfirmonte një fazë të re afrimi të vendit tonë me Bashkimin Europian. “Zhvillimet e fundit politike dhe post-zgjedhore në Tiranë, dhanë sinjalin e gabuar dhe duket se u bënë pengesë për realizimin e kësaj vizite të mirëpritur e me vlera historike për popullin shqiptar. Përgjegjësia kryesore për vonesën e kësaj mundësie bie direkt mbi partitë kryesore politike, udhëheqjen, militantët dhe sjelljen e tyre”, - tha Presidenti. Kreu i Shtetit thekson në deklaratën e tij se në këto çaste të vështira politike thirrja dhe apeli i tij dhe i shumicës së qytetarëve të këtij vendi, “është rikthimi i normalitetit demokratik, mbizotërimi i interesave publike mbi ato partiake, maturia dhe përgjegjësia për të dëshmuar aftësi udhëheqëse në gjetjen e rrugëve ligjore e demokratike të zgjidhjes së problemeve të krijuara!”. Prej ditësh, Presidenti i Republikës po zhvillon takime intensive me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Në të gjitha takimet, kreu i shtetit ka apeluar për vetëpërmbajtje, qetësi, maturi dhe ruajtje të rendit publik, duke theksuar domosdoshmërinë se “në këto çaste, duhet që palët politike të respektojnë institucionet, dhe vetë institucionet e pavarura duhet të respektojnë ligjin dhe Kushtetutën! “Shqipëria ka legjislacion, ka përvojë në trajtimin e çështjeve zgjedhore, ka të gjithë mekanizmat ligjorë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, kështu që vetë institucionet përgjegjëse kanë rastin dhe detyrimin të dëshmojnë pavarësi, integritet dhe profesionalizëm në interes të qytetarëve, publikut dhe vendit”,- u shpreh dy ditë më parë Topi në takimin e zhvilluar me ambasadorin amerikan Arvizu dhe atë të OSBE-së, Wolfarth.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›