E Diel, 1 Nëntor 2026

Situata politike, ambasadorët takojnë Topin

Kreu i shtetit, Bamir Topi, vijoi dje konsultat me diplomatët ndërkombëtarë të akredituar në Tiranë. Presidenti është raportuar nga media të ketë kryer takimet në një zonë jashtë Tiranës, ndërsa në këtë bashkëbisedim kanë shkuar afër gjashtë ambasadorë. Nuk ka asnjë deklaratë nga diplomatët apo nga zyra e shtypit e kreut të shtetit në lidhje me natyrën e bisedimeve mes tyre, por ajo çka kuptohet qartazi ka të bëjë me shqetësimin e shprehur për situatën e fundit politike në vend. Ditët e fundit trojka ndërkombëtare e përbërë nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksander Arvizu; ambasadori i BE-së, Ettore Sequi; dhe ai i OSBE-së, Eugen Wollfarth; kanë kryer takime intensive me aktorët kryesorë politikë në vend. Një bashkëbisedim i veçantë ishte rezervuar në fillim të javës edhe me kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani. Pas nisjes së numërimit të votave të kontestuara në këtë institucion, diplomatët takuan presidentin Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama. Në një deklaratë të përbashkët, të bërë publike pak ditë më parë, ambasadorët deklaruan qartazi se qytetarët shqiptarë duan dhe meritojnë qartësi rreth rezultatit të zgjedhjeve administrative të 8 Majit. Sipas tyre, është thelbësore që rezultatet zyrtare paraprake të hidhen në tabelë me kujdes nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të shpallen me shpejtësi. “Po ashtu, është tejet e rëndësishme që procedurat për zgjidhjen e ankesave të jenë të qarta dhe të jenë në përputhje të plotë me dispozitat ligjore të Shqipërisë, përfshirë Kodin Zgjedhor. Ne presim që të dyja palët të ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të respektojnë plotësisht procesin demokratik”, thuhej në deklaratën e ambasadorëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›