Tensioni politik, Barroso e Fule anulojnë vizitën në Tiranë
Rritja e tensionit politik në Shqipëri detyron presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, të anulojë vizitën e programuar për ditën e sotme në Tiranë. Lajmi u konfirmua dje nga zëdhënësja e Komisionit Europian, Pia Ahrenkilde Hande. “Presidenti Barroso vendosi të shtyjë vizitën e tij në Shqipëri, të parashikuar për 20 maj. Qëllimi i këtij udhëtimi, siç është shpjeguar edhe gjatë këtyre ditëve, ishte për të diskutuar perspektivën e Shqipërisë, si dhe rrugën e duhur drejt integrimit, veçanërisht zbatimin e 12 kritereve kyçe të paraqitura nga Komisioni në raportin e progresit të vitit 2010.
Por, tensionet që burojnë nga vazhdimi i numërimit të votave, do t'i dëmtonin pa dyshim bisedat e presidentit Barroso me udhëheqësit politikë të vendit, gjendje e cila, sipas nesh, nuk do të çonte në takime produktive”, u shpreh zëdhënësja e komisionit. Sipas saj, ky është konteksti prej të cilit buron shtyrja e udhëtimit dhe besoj që keni parë dhe deklaratën e zëvendëspresidentes Ashton. Sakaq, zëdhënësja e komisionerit europian për Zgjerimin, Stefan Fule, tha se procesi zgjedhor po merr kohë dhe për momentin ka tensione që lidhen me vazhdimin e numërimit të votave. “Kjo është arsyeja pse vendosëm të shtyjmë vizitën. Prandaj dhe Presidenti shtyu këtë udhëtim, apo këtë vizitë, deri kur situata të jetë normalizuar. Pra, po flasim për një situatë të veçantë”, u shpreh Natasha Butler. Ajo u pyet të sqaronte nëse situata e tensionuar përbënte rrezik fizik për presidentin e KE-së, Barroso, apo nënkuptonte se vendi nuk meritonte në këtë situatë mesazhe pozitive për integrimin. “Siç e dini, Komisioni Qendror Zgjedhor ka një rol kyç në garantimin, pikë së pari, se të gjitha rregullat janë respektuar, dhe se kuadri ligjor po zbatohet dhe po respektohet për rinumërimin e votave. Por ka edhe një rol kyç për sigurimin e transparencës së procesit. Pra, mendoj se duhet ta lëmë KQZ-në të bëjë rolin e saj. Nevojitet që ajo të përmbushë mandatin e saj dhe të luajë rolin e saj në transparencë të plotë. Është e rëndësishme që të ishte mbyllur procesi zgjedhor sa më shpejt të ishte e mundur, gjë të cilën e thashë që dje, e të shohim rezultatet”, tha Butler. Zëdhënësja Ahrenkilde Hansen u shpreh se, “në lidhje me anulimin e vizitës, ne e bëmë shumë të qartë pse u desh ta anulonim atë. Kjo sepse, sipas këndvështrimit tonë, do të jetë e vështirë të përmbushet qëllimi i udhëtimit, thënë troç, bisedime për perspektivën europiane dhe se si mund të ecim përpara në rrugën europiane të vendit, në të gjitha dimensionet që përfshin kjo gjë”. Ne, shtoi ajo, kemi folur gjatë këto ditët e fundit për Shqipërinë dhe nuk dua të përsëritet, por kjo është arsyeja kryesore e anulimit të vizitës.