E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur zyrtarët e shtetit nuk njohin kompetencat e tyre!

Nga Aleksandër Ndoja
Një natë më parë opinioni në Mirditë por edhe më gjerë për disa orë me radhë mbajti frymën pezull, teksa ndiqte situatën e rëndë në lagjen Vjollcë të fshatit Malaj, në Bashkinë Rrëshen. Prej orës 14.00 të ditës së djeshme dhe deri në orët e para të ditës pasuese, dhjetëra banorë të atyshëm ishin mbërthyer nga dara e fortë e zjarrit dhe tymit që kishte pushtuar të gjithë hapësirën e fshatit Malaj. Banorët në rrezik për jetën kishin dhënë sinjalin sos, ndërkohë që me disa mjete të fuoristrada kishin mundur të evakuonin fëmijët nga zona e nxehtë. Pas kësaj banorët e rritur dhe ata në moshë të thyer kanë qëndruar përgjatë gjithë natës në oborre dhe ballkone në ndjekje të situatës, duke planifikuar rrugë dhe mundësi për të shpëtuar fizikisht, pasi zjarri ishte afruar rreth 300 metra distancë nga banesat. Përmes linjave telefonike  banorët herë pas here kërkonin ndihmë, por zjarri kishte qenë më i shpejtë se dy zjarrfikëse, njëra e ardhur nga Kurbini dhe tjetra nga Rrësheni.  Ndonëse zjarri është konturuar në distancë të largët rreth orës 14.00 dhe po në këtë orë banorët kanë ndjerë rrezikun dhe kanë kërkuar ndihmë, burokracia zyrtare me drejtoritë vartëse ka vonuar mbërritjen e zjarrfikësve edhe pse distanca e vatrës së zjarrit me  qytetin nuk është më shumë se 22 kilometra. Kjo ka bërë që zjarrfikëset të mos e kalonin dot klonin e zjarrit për të shkuar të banesat, pasi edhe tymi i shumtë  pengonte shikueshmërinë e rrugës për të udhëtuar. Ky klon ishte vetëm 500 metra nga objekti që ishin banesat, pasi toka, të mbjellat, pemët e çdo gjë tjetër ishte rrafshuar. Megjithëse zjarri pas orës 3 të mëngjesit e uli intensitetin, falë edhe ndryshimit të kushteve atmosferike që favorizonin dukshëm zjarrin, zyrtarët e shtetit nxituan të lanin duart duke tentuar të hedhin fajin aty ku nuk ishte.
Bëhet fjalë për institucionin e Prefekturës, zëdhënësit e së cilës u bënë shumë aktiv gjatë pasdites duke tentuar të falsifikonin të vërtetën përpara opinionit, gjoja sikur pyjet që po digjeshin ishin nën juridiksionin e Bashkisë Rrëshen. Nga verefikimet rast pas rasti të pretendimeve rezulton se e gjithë zona e rrezikuar seriozisht është në inventarin e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor me varësi të drejtpërdrejtë nga Ministria e Mjedisit. Ndërsa sektori i emergjencave dhe shërbimi zjarrfikës është në varësi të Prefekturës, pa asnjë lidhje qoftë edhe vertikale me njësitë e qeverisjes vendore. Por kjo nuk do të thotë që Bashkia Rrëshen nuk ka marrë masat e saj duke dërguar në kohë rekord specialistët e saj për të dhënë asistencën e nevojshme, edhe pse asnjë zyrtar i Prefekturës nuk është shfaqur në vendngjarje përpos manovratorëve të zjarrfikësve, njëra prej të cilave është larguar shumë shpejt,  ndërsa tjetra ka qëndruar deri në fund. Por bashkia nuk ka as zjarrfikëse dhe ndonjë mjet tjetër për shuarje zjarresh. Pikërisht ky është detyrim ligjor i Prefekturës, e cila siç me të drejtë  thotë ambientalisti Sazan Guri, flasin dhe japin ide nga zyrat me kondicioner dhe kollare.
Si është e mundur që zëdhënësit e prefekturës ta heqin ketë punë prej vetes, ndonëse vetëm me këtë duket se janë në punë. Nëse sektori i emergjencave i kalon bashkive (ne kuadër të decentralizimit sipas kushte të BE-së ashtu duhet të ndodhë) i bie që sidomos n/prefekturat të merret vetëm me vulosjen e certifikatave, punë kjo që e bën një punonjës. Nëse sektori i emergjencave do të kalojë sëbashku me pyjet në administrim të bashkisë, pasi nuk mund të kalojnë vetëm pyjet pa shërbimet përkatëse, si do të justifikohen rrogat e të ashtuquajturve n/prefektë vetëm me vulosje të ndonjë certifikate për jashtë shtetit. Dhe këtu flitet për rroga shumë më të larta se e kryetarëve të njësive vendore, të zgjedhur me vota të qytetarëve. Pra tentativa e zëdhënësve të prefekturave për ta lënë institucionin e tyre jashtë angazhimit për mbrojtjen e pyjeve, është lloj bumberangu ndaj vetes pasi provojnë se ky institucion është krejt i pa nevojshëm, duke u kthyer një një parazit në sistemin e qeverisjes.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›