E Shtunë, 31 Tetor 2026

Që Këshilli i Sigurimit të mos kthehet në një relike

"Pranvera arabe“ nuk ka përfunduar. Ajo tashmë është në fazën siriane të përballjes mes autokracisë dhe demokracisë. Që në fillim të kësaj lëvizjeje apo ndryshimi të madh, në një rajon të gjerë dhe mjaft problematik, parashikohej se nuk do të kishte një linjë lineare, se do të shfaqte vështirësi dhe problematikë të veçantë në çdo vend. Dhe Siria përbën një rast tipik problematik, jo vetëm për shkak të veçorive historike dhe të zhvillimit të brendshëm, por sidomos të vendit dhe të rolit të saj strategjik në rajon, ku synojnë të përfitojnë e të realizojnë interesa strategjike të superfuqisë vende të zhvilluara si Rusia, Kina, por edhe Irani. Në thelb kontradikta autokraci-demokraci në Siri kishte prirje të shfaqte vështirësi, problematikë komplekse dhe shkallë të lartë acarimi. Kjo për faktin se autokracia siriane historikisht ka rritur e zgjeruar pushtetin dhe ndikimin e saj, duke shfrytëzuar mirë pozicionin strategjik të Sirisë, por edhe duke harmonizuar ndjenjat nacionaliste e fetare.
“Dinastia” Asad ka punuar me përkushtim të veçantë, duke krijuar segmente dhe potenciale, që i kanë mundësuar jetëgjatësinë dhe një sundim relativisht të qetë. Ajo ka investuar mjaft në krijimin e një elite ushtarake, që i shërben me besnikëri regjimit. Natyrisht, për shkak edhe të resurseve natyrore, Siria ka siguruar një zhvillim ekonomik, që ka mundësuar fuqizimin e pushtetit të regjimit, por edhe që i ka shërbyer zhvillimit të mendësisë së pushtetarëve dhe të qepurit të përjetshëm në pushtet.
Pikërisht, për disa arsye regjimi diktatorial sirian po shfaq egërsinë më të madhe dhe një dhunë anti-njerëzore, duke kryer një tragjedi të vërtetë me numrin e madh të të vrarëve nga radhët e popullsisë dhe shkatërrimet katastrofike nga përdorimi i armëve të rënda të ushtrisë.
Shpesh në media përdoren fjalët rebelë, përfaqësues të opozitës, njerëz të pafajshëm të të gjitha moshave, madje media vendase afër regjimit flet edhe për të huaj. Në fakt aty ka një forcë kundërshtuese anti-regjim, ka një opozitë dhe popull që nuk e duron dot më autokracinë dhe që aspiron për demokraci. Pavarësisht problematikës komplekse, në qendër të procesit qëndron mospajtimi mes demokracisë dhe autokracisë, mes popullit dhe regjimit. Pikërisht thelbin e këtij mospajtimi qendror nuk po e kupton, apo nuk dëshiron ta pranojë regjimi sirian.
Historia ka dëshmuar se diktatura apo autokraci të caktuara kanë fazën e lulëzimit, por edhe të degjenerimit e të rënies së tyre të pashmangshme. Pikërisht në këtë fazë të fundit është sot regjimi sirian. Mirë do të ishte që sundimtarët e regjimit ta kuptonin këtë realitet, këtë fund të regjimit. Por historia ka dëshmuar se sa më i egër të ketë qenë regjimi, aq më të pamundur e kanë pasur sunduesit të kuptojnë fundin e tyre. Pothuajse të gjitha diktaturat e kanë patur të vështirë të largohen vullnetarisht nga pushteti, duke konsumuar deri në fund mendësinë diktatoriale dhe rrugën e gjakosjes së popullit të vet. Ato në çdo rast i japin të drejtë vetes duke akuzuar popullin, duke harruar të vërtetën e madhe, se popujt kanë të drejtë ta kenë drejt atë që bëjnë, siç kanë të drejtë ta kenë edhe gabim, por e ardhmja u përket atyre. Është populli që bën ndryshimin, si përgjigje e pjekjes së kushteve historike.
Është pikërisht ky mospajtim mes regjimit diktatorial dhe popullit sirian, që po e mban gjallë lëvizjen për demokraci, përndryshe ajo tashmë do të ishte shuar. Edhe akuza për ndërhyrje nga jashtë nuk është bindëse, sepse populli në këtë rast do të mbështeste mbrojtjen e sovranitetit, pra dhe kjo lëvizje që po zhvillohet do të ishte shuar. Përkundrazi, lëvizja për demokraci e popullit sirian po zhvillohet dhe zgjerohet përmes sakrificave tepër të mëdha, sepse ka një mospajtim real që kërkon zgjidhje, midis popullit dhe regjimit.
Analiza e sjelljes së sundimtarëve të regjimit në Siri dëshmon, se ata me verbëri do të mbrojnë me çdo kusht e mjet regjimin autokratik dhe sa pa vlerë janë disa zëra se ka akoma ka vend për kompromis apo për dialog të regjimit me opozitën. Jo, nuk ka vend as për iluzione dhe as për nanurisje të opozitës. Pushteti sirian është tmerrësisht i dashuruar me dhunën. Ai ka vetëm rrugën e thellimit të krimit, të aventurës e të gjakosjes së popullit të vet. Ka vetëm verbëri pushteti.
Në këtë situatë komplekse nuk përjashtohen edhe veprime spontane të ekstremistëve apo te iniciuar e të nxitur, por kjo nuk mund të komprometojë luftën e popullit për demokraci dhe liri. Për këtë arsye kërkohet një mbështetje e procesit demokratik në Siri, mbështetja e opozitës dhe popullit sirian, mbrojtja e jetës dhe vlerave njerëzore, për t’i dhënë fund gjakderdhjes që po kryen autokracia siriane. Vonesat dhe pengesat nuk mund të justifikohen tashmë.
Është e hidhur, por e vërtetë se regjimi sirian po ndihmohet nga lojërat dhe interesat e disa shteteve të mëdha, që po pengojnë një reagim të organizuar e të mbështetur me një mandat të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për të ndaluar gjakderdhjen e mëtejshme dhe për t’i dhënë fund aventurës së çmendur të regjimit.
Të veprosh sot për të ndalur gjakderdhjen aventureske të regjimit sirian, nuk është aspak ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi sovran, nuk është aspak cënim i sovranitetit. Të thuash sot se i duhet lënë forcave brenda vendit ta zgjidhin këtë çështje, është njësoj të pranosh krimin e rëndë të regjimit. Si mundet populli sirian ta zgjidhë këtë konflikt me regjimin, kur nuk është i lirë dhe për më tepër kur mbi të është lëshuar e gjithë makina vrastare e regjimit? Të mos reagosh që të ndalësh këtë veprim kriminal dhe të heshtësh përpara këtij krimi, do të thotë të pajtohesh me të keqen, do të thotë mungesë përgjegjshmërie njerëzore e civilizimi. Normat ndërkombëtare janë përpunuar të ndalin krimet dhe jo të pajtohen e t’i lejojnë ato. Është fakt i pamohueshëm se qëndrimi bllokues i Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ndaj rezolutave të paraqitura, deri më sot, ka qenë një faktor që i ka dhënë siguri regjimit sirian ta thellojë aventurën kriminale ndaj popullit të vet. Ky qëndrim i komprometon këto vende teksa i ka vënë jo në anën e popullit sirian dhe të demokracisë, por në anën e autokracisë, që tashmë është inkriminuar në ekstrem.
Vendet perëndimore si SHBA, BE, etj., reaguan që në fillim të konfliktit, duke e dënuar qëndrimin e regjimit sirian, duke i kërkuar Asadit të ndalë dhunën dhe të largohet nga pushteti, me qëllim që t’i hapet rruga zgjidhjes demokratike. Ky ishte qëndrimi më korrekt ndaj një procesi historik si “pranvera arabe”, që tashmë është në fazën siriane të saj.
Po t’i vësh përballë këto dy qëndrime, është lehtësisht e kuptueshme përmbajtja e qëndrimit rus dhe kinez. Ndërsa Irani mbron shëmbëlltyrën e vet, Rusia dhe Kina, me qëndrimin e tyre mbrojnë dhe zhvillojnë interesat e tyre gjeostrategjike. Mendoj se ky qëndrim do tu kthehet në të kundërtën dhe do të jetë në dëm të imazhit dhe interesave të tyre. Për mendimin tim nuk është as mençuri diplomatike, as drejtësi dhe as qëndrim njerëzor ta vësh veten në anën e një autokracie të diskretituar e të inkriminuar keqas dhe për më tepër që e ka nënshkruar vetë fundin e saj të pashmangshëm.
Natyrisht, që mund të ketë diferenca, për sa i përket mënyrave të zgjidhjes së problemit sirian, por qëndrimi sistematik bllokues i këtyre dy anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ndaj rezolutave, që i hapin rrugë një ndalimi përfundimtar të dhunës shtetërore të regjimit, në momentin aktual, kur është konsumuar pa sukses rruga diplomatike dhe regjimi është thelluar në veprimet kriminale, do të thotë t’i kundërvihesh procesit demokratik.
Rusia dhe Kina, në realizimin e interesave dhe të filozofisë së tyre politike, po përdorin formalisht një organizëm të rëndësishëm, siç është Këshilli i Sigurimit. Veto-ja e tyre, në fakt, po komprometon edhe vlerën e misionin e këtij organizmi. Në se nuk bëhet një ndryshim i mënyrës së funksionimit të këtij organizmi, për sa i përket vendimmarrjes, atëherë ai do të kthehet në një organizëm pa vlerë dhe në një relike të vërtetë.
Standardi i vetos në funksionimin dhe vendimmarrjen e këtij organizmi ka qenë mjaft efektiv në kushtet e “luftës së ftohtë”. Ky standard ka shërbyer më së miri në uljen e tensioneve dhe ruajtjen e paqes. Kuptohet që kjo vlerë u mundësua në një realitet, që tashmë i përket të kaluarës, kur kishim një reshtim dhe përballje mes dy kampeve e sistemeve të kundërta, që kishin në krye dy superfuqitë botërore, SHBA dhe BRSS.
Siç po tregojnë faktet, pas rrëzimit të komunizmit, por edhe rasti sirian, aplikimi i këtij standardi, jo vetëm që nuk mund të ruajë atë vlerë, por mund të bëhet pengesë e madhe në zgjidhjen e konflikteve. Rasti i Irakut dhe mënyra si u veprua atje, ishte një sinjal dhe nevojë për ndryshim. Madje, për mendimin tim, në rast se nuk veprohet shpejt për reformimin e funksionimit të këtij organizmi, ai do të dalë jashtë loje, do të ulë ndjeshëm besimin dhe ky moment do të krijonte mundësi reale për veprime të njëanshme, për qëndrime të rrezikshme, e pse jo edhe për veprime aventuriere. Deri më tani, ky standard i vetos ka disiplinuar, jo vetëm qëndrimin e superfuqive kryesore, por edhe të vendeve dhe shteteve me qeverisje ekstremiste e të prirura nga aventurizmi politik. Nisur nga ky këndvështrim, mendoj se, ta lësh në rënie të lirë humbjen e vlerës dhe të besimit ndaj këtij organizmi të rëndësishëm, do të ishte tepër i rrezikshëm, sepse do të frymëzonte aventurierët dhe ekstremistët. Do të thotë një rrezik i shtuar për paqen dhe sigurinë botërore.
E vlerësoj me shumë interes një debat konstruktiv për reformimin e misionit dhe të mënyrës së funksionimit të Këshillit të Sigurimit të OKB, që të vendoset një standard funksionimi dhe vendimmarrjeje, që të sigurojë efektivitet të lartë dhe të përjashtojë vonesat e pengesat në vendimmarrjet e tij.
Edhe pse nuk i përjashtoj aspak argumentet pro dhe kundër, mendoj se mund të hiqet dorë nga përdorimi i standardit të vetos, ose të ecet drejt zvogëlimit të rasteve të përdorimit të saj, që të lehtësonte vendimmarrjet e tij.
Pas rrëzimit të komunizmit u realizua zgjerimi i numrit të anëtarëve të këtij organizmi, me statusin e përkohshëm dhe pa të drejtën e vetos. Ky ndryshim, edhe pse e bëri më demokratik këtë organizëm, rezultoi se ishte një zgjidhje jo efektive, përderisa pesë anëtarët e përhershëm ruajnë të drejtën e përdorimit të vetos.
Mendoj se duhet ecur më tej drejt një standardi tjetër në vendimmarrje, që do të harmonizonte efektivitetin me demokracinë. Në këto kushte ndoshta do të duhet të shihej mundësia e vendosjes së standardit të vendimmarrjes me shumicën e votave të anëtarëve të këtij organizmi. Votuesit kundër të kenë të drejtën të paraqesin me shkrim qëndrimin e tyre dhe ta bëjnë publik argumentimin e votës kundër.
Kuptohet, që edhe shumica mund të gabojë, që qëndrimi i saj të mos jetë as i drejtë dhe as i vërtetë. Megjithatë, aplikimi i frymës dhe metodës demokratike dhe i përgjegjshmërisë, do të mundësonte një vendim sa më të drejtë dhe sa më afër të vërtetës, do të zvogëlonte në maksimum mundësinë e gabimit. Natyrisht, kjo duhet të shoqërohet me të drejtën e mundësinë e korrigjimit të vendimit të gabuar apo të pa drejtë mbi bazën e fakteve dhe provave të reja.
Në rast se kalohet në këtë mënyrë vendimmarrjeje, kuptohet se ka vend të përcaktohen rastet kur realizohet një vendimmarrje me shumicë të thjeshtë të votave të anëtarëve dhe rastet kur nevojitet një shumicë e cilësuar. Natyrisht, që në rast të një ndryshimi të tillë duhen rregulluar shumë modalitete.
Kuptohet, që ky ndryshim i mundshëm nuk mund të jetë plotësisht më i miri, sepse dhe ky standard mbart një problematikë konkrete dhe përmban mundësinë e pasojave pozitive e negative. Megjithatë, përdorimi i vendimmarrjes me shumicë të votave, do të jetë pa mëdyshje më demokratik, më i drejtë dhe që do të shmangte vonesat e pengesat për interesa të veçanta. Ai do të rriste përgjegjësinë e çdo vendi anëtar, besimin, autoritetin, dhe transparencën e këtij institucioni. Koha e realizimit të këtij reformimi ka një rëndësi të veçantë, ndryshe do të thoshim shumë shpejt “na ishte një herë Këshilli i Sigurimit”. Madje vonesa në këtë drejtim do të ishte jo vetëm një dëm moral për këtë organizëm, por për vetë Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Nuk e teproj të them se, edhe kështu si po vepron deri tani, ky organizëm dhe vetë OKB, kanë humbur shumë nga imazhi i tyre, e pse jo kanë dobësuar besimin në to. Vonesa në reformim të organizmave të këtij niveli do të zvogëlonte efektivitetin e tyre, në një botë që përballet me rreziqe të mëdha nga terrorizmi, krimi i organizuar, problemet globale dhe veprimet anti-demokratike. Në se nuk ka veprim për ndryshim, atëherë konsumimi përfundimtar i tyre është i pashmangshëm.
Tiranë, më 23 gusht 2012 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›