MALLKIMI I RRADHES,TE RENTE ZJARRI
I pafuqishëm është njeriu përballë fatkeqësive natyrore, sidomos kur shtetin e shikon me duart lart. U bënë javë që Shqipëria digjet dhe opozita e ve gishtin tek ajo që krihet- qeveria. Kjo e fundit, e ka marrë aq me nge këtë punën e të krehurës, sa ditëve të fundit po bën edhe tualet.
Ne shqiptarët veprojmë çuditshëm; për një shkrepje truri mund ta lemë gjithë vendin pa drita,pa ujë dhe madje mund ta shkrumbëzojnë fare. Shteti është në dijeni për këta vandalë të paarsyeshëm. por sbëhet fjalë për ti ndaluar dhe as dënuar. Përtej statistikave të cilat rriten frikshëm,mua më shqetëson ngeja me të cilën veprohet. Dëgjova kreun e emergjencave civile,i cili me qesëndi thoshte se zjarret e këtij viti janë më të pakët në numër në krahasim me vitet e shkuara. (U lehtësova! Thashë me vete: gjysma e së keqes!) Hej,me vërtet e kishte ai?! Siç duket zotëria në fjalë e reklamonte shifrën si një arritje personale të institucionit që drejton dhe të qeverisë që ka mbi kokë. Ndërkohë djegia masive zhvillohet krej jashtë vullnetit të tyre dhe kategorive që ata janë lodhur për ti përcaktuar si: 1.Vënie zjarri nga pakujdesia 2.Temperaturat e larta të sezonit dhe 3.Zjarrvënie e qëllimshme nga piromanët.(Gjeni një fjalë shqip për të thënë, u arrestua piromani,sepse na shkon mendja për keq: Pse u arrestua i madhi Piro Mani?) Pra,shkaqet i gjetëm,teksa përpiqemi modestisht të qetësojmë furinë e flakëve e të arrestojmë ndonjë bari të këputur,por me mendjen top për të djegur kullotat.
Shumë shqiptarë,duke parë pafuqinë e shtetit për të izoluar zjarret, janë mobilizuar në mënyrë vullnetare për të shuar çtë mundin. Për tu përgëzuar është vullneti i tyre në qetësimin e Lurës apo Bozdovecit,këtyre perlave të natyrës,që si shpëton dot as emri Park Kombëtar. Nga jugu në veri vazhdojnë të digjen qindra hektarë vreshta e ullishte, digjen banesa qytetarësh,po bëhet hi pasuria kombëtare, po heshtin ministrat,NATO-ja sduket gjëkundi dhe zjarrfikësat tanë skanë as karburant për të ndezur makinat,as ujë mjaftushëm, as shtigje ku të depërtojnë për të shuar flakët.
Zjarrfikësit shqiptarë! Jo rrallë këta djem e burra i kemi pare të veshur me xhinse, bluza pambuku dhe atlete,jo duke pirë kafe, por duke shuar zjarre. Përballë flakëve,ata rrezikojnë jetën për shkak të disa çmendurive: të bashkëqytetarëve të papërgjegjshëm; të qeverisë që nuk i pajis minimalisht me uniforma dhe të një opozite që pjek gështenja nëpër konferenca shtypi dhe nuk ofron asnjë kovë ujë. Sado që u janë premtuar uniforma dhe mjete të tjera për të mbrojtur jetën e për të parandaluar pasojat në shëndet,ne e dimë se veç disa reparteve speciale, gjithë zjarrfikësit e tjerë punojnë në kushte mjerane. Zoti qoftë me këta zotërinj në betejën kundër zjarrit..
Mbi Shqipëri kanë rënë keq disa mallkime. Veç ekonomisë së mbaruar dhe nivelit kulturor të degraduar,shqiptarët po jetojnë ditë të errëta e të rrëmujshme,ku e vetmja flakë që po shohin qartë është ajo e zjarreve.
Tani mbi atdhe flakëron mallkimi Të rëntë zjarri! Dhe spaska më keq. Flakët po bëjnë kërdinë,ekologjia e vendit është në alert. Shqipërisë po i karbonizohen mushkëritë,dikur të gjelbra e plot jetë. Pranverën tjetër do çelin fare pak lule në Lurë,por asnjë luleshtrydhe nuk do mbijë në Bozdovec. Askujt nuk i bëhet vonë për faktin se bashkë me bimësinë digjet edhe gjëja e gjallë. Kush ka të drejtë tu marrë jetën në këtë mënyrë kafshëve të pambrojtura? Ata që harrojnë cigaren ndezur në pyll? Ata që u venë zjarrin kullotave? Apo këta që nuk shuajnë dot zjarrin? Kafsha-njeri nuk paska të ndalur e as të ngopur para nënës natyrë dhe para llojit të vet.
Sipas filozofit anglez Tomas Hobs,Njeriu për njeriun është ujk. E konvertuar në shoqërinë e sotme mbase duhet të themi,Njeriu për njeriun është shqiptar. Shqiptar në vënien e zjarrit,shqiptar në shuarjen e zjarrit,shqiptar në zgjidhjen e çështjeve vetjake,shqiptar në qeverisje,shqiptar në përditshmëri. Nuk ka më ujk. Ai u vra për qejf, që të balsamosej, ose u dogj bashkë me të tjerët atje në pyje, ku dërgojmë djem të pambrojtur të luftojnë me flakët dhe ku presim si gjithmonë ndihma nga jashtë. Këto të fundit po vonojnë, ose nuk do të vijnë kurrë. Cili do jetë mallkimi i rradhës për shqiptarët?! A mban më mallkime ai vend që përmbytet,digjet,varfërohet,mbytet në gjak e mbushet me varre si të ishte kohë lufte; që lihet të mbytet, të digjet, të vritet; që ushqehet me çtë mundë duke pare shtetin, i cili gjithmonë ka ngrënë me lugë floriri.
Fatkeqësitë natyrore ndodhin në çdo cep të botës,disa fatkeqësi i shkaktojnë njerëzit qëllimisht. Por reagojnë qeveritë, reagojnë ndërkombëtarët, minimizohet tragjedia dhe nuk shtohet, siç ndodh me Shqipërinë, me një nga perlat e Ballkanit, që e reklamojnë deri në CNN-in e largët.
Kur të na vizitoni,do të gjeni veç hi të dashur turistë. Oh jo! Ju nuk do të vini fare. Është NASA që ju tregon pamjet satelitore të Shqipërisë së djegur. Por ne do të kemi sërish me mijëra turistë: janë vetë shqiptarët që kthehen për pushime në atdhe dhe çuditërisht vazhdojnë ta duan,edhe pse të shpërfytyruar me kohë! Na ndiqni pra në CNN me reklamën mijëra dollarëshe, ku spikat Shqipëria e djegur por me vila luksoze ama.
