E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazsjellësi TAP dhe Kaskada e Devollit, projektet madhore të 2012-s

17-11-2011 / Gazeta 55

Pas vizitës në Norvegji, kryeministri Berisha shpalli gazsjellësin TAP, që e merr burimin nga Kaspiku si dhe kaskadën e Devollit, si investimet më të mëdha të huaja, që gjejnë mbrojtjen tek lehtësitë fiskale të Shqipërisë. Stabiliteti financiar i ekonomisë sjell edhe një intensifikim të investimeve të huaja, gjatë vitit buxhetor 2012  

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje në mbledhjen e përjavshme të Këshillit të Ministrave, se tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e Kaskadës së Devollit, që parashikon ndërtimin e tre HEC-eve, do të hapet muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Një ditë pas kthimit nga Norvegjia, kreu i qeverisë, Berisha duke informuar mbi vizitën në vendin nordik dhe takimin me homologun e tij norvegjez, Stoltenberg, tha se kompanitë më kryesore norvegjezë janë prej kohësh në Shqipëri dhe kanë studiuar e kanë fituar në tendera koncesione, ndër të cilat së bashku me kompaninë austriake EVN kanë projektin e kaskadës së Devollit.
Berisha tha se vizitën e tij në Norvegji dhe takimet me zyrtarë të lartë të këtij shteti, i ushtroi në funksion të thithjes së investimeve norvegjeze, duke prezantuar dhe potencialet kryesore të Shqipërisë.
“Qëllimi im kryesor dhe çështja kryesore që diskutuam me mirëkuptim të plotë me mikpritësin tim, Kryeministrin Stoltenberg, ishte bashkëpunimi midis dy vendeve në fushën e energjisë, ndihma dhe mbështetja e Norvegjisë për Shqipërinë, në përpjekjen e saj për zhvillimin e qëndrueshëm jeshil. Ne diskutuam gjerësisht mbi potencialet e mëdha të këtij vendi, për një zhvillim të tillë. Norvegjia është njëshi në botë për investime e ndërtime hidrocentralesh në vende të tjera. Kompanitë më kryesore norvegjezë janë prej kohësh në Shqipëri dhe kanë studiuar e kanë fituar në tendera koncesione, ndër të cilat sëbashku me kompaninë austriake EVN kanë projektin e kaskadës së Devollit, projekt që, pasi të realizohet, përbën një prodhim prej 20 për qind të prodhimit aktual të energjisë në Shqipëri. Një investim ky afërsisht 1 miliardë Euro. Norvegjia disponon fondin e dytë sovran, më të madh në botë të investimeve, me të cilat ky vend mbështet investitorët e saj kudo dhe qëllimi më kryesor i vizitës sime ishte që të parashtroja kërkesën e të gjeja mirëkuptim që të mbështeteshin kompanitë norvegjeze që do të investojnë në Shqipëri. Gjatë drekës të zgjatur të punës me Kryeministrin Stoltenberg, ju siguroj se ai e priti shumë mirë dhe me simpati vendosmërinë tonë për një zhvillim të qëndrueshëm jeshil të vendit, përpjekjen tonë për t’u shndërruar në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon, për të shfrytëzuar të gjitha burimet e mundshme të energjisë së rinovueshme. Sikundër më garantoi se qeveria e tij do të mbështesë fuqishëm sipërmarrjet norvegjeze që do të investojnë në këto fusha në Shqipëri”, u shpreh Berisha. Kryeministri garantoi se projekti më i madh privat në Shqipëri, kaskada e Devollit, i cili edhe është projekti më i madh në Europë për energjinë ujore, do nisë nga puna.
Sipas tij, kompania austriake dhe norvegjeze kanë zgjidhur të gjitha problemet e hasura më parë dhe se gjatë muajve të parë të vitit që vjen, hapin tenderin për fillimin e punimeve.
“Ajo çka unë dua të informoj qytetarët shqiptarë është se projekti më i madh privat në këto 20 vite, projekti i kaskadës së Devollit, pra, ndërtimi i tre hidrocentraleve, që aktualisht është projekti më i madh në Europë, në fushën e energjisë ujore, do të fillojë dhe ky është një vendim përfundimtar dhe i pandryshueshëm. Ka përfunduar gjithçka dhe pasi kanë zgjidhur të gjitha problemet, kompania austriake EVN dhe ajo norvegjeze Statkraft, gjatë muajve të parë të vitit që vjen, hapin tenderin e fillimit të punimeve. Natyrisht, kjo është vepra më komplekse e më madhore që është ndërtuar ndonjëherë në vend, që bazohet në dhjetëra kilometra tunele dhe ka investimin më të madh. Në takimet e mia për këtë problem, është rënë dakord që qeveria të fillojë vitin e ardhshëm, ndërtimin e rrugës në përputhje me kontratën që ka me këto dy kompani dhe qytetarët e Gramshit të kenë të gatshme rrugën e re që i sjell drejt kryeqytetit, para se të ndodhë përmbytja e rrugës së vjetër. Rruga, prej 18 kilometrash, do të jetë rruga më panoramike e rajonit. Imagjinoni se çfarë avantazhi i madh do të jetë një rrugë buzë liqenit, ku do të ndërtohen edhe vepra arti që do t’i përshtaten shumë terrenit. Ndaj kam shumë kënaqësi të informoj se kaskada e Devollit do të jetë realiteti më i madh i investimeve private në Shqipëri këto 20 vite. Me këtë rast, marrin një qetësim edhe skeptikët, të cilët këtë projekt e kanë vështruar me skepticizëm. Por, faktikisht, kjo ëndërr e bukur, ëndërr e madhe do të fillojë të shndërrohet në realitet. Në këtë kontekst, unë gjeta mirëkuptimin e plotë të qeverisë norvegjeze, të drejtuesve të Statkraft. Muajt e parë të vitit që vjen hapet tenderi ndërkombëtar për kompanitë që do ta ndërtojnë”, deklaroi kryeministri.

Gazsjellësi Trans-Adriatik Pipeline (TAP)
Një tjetër pikë e rëndësishme ku kryeministri Berisha u ndal gjatë mbledhjes së Qeverisë, ishte edhe gazsjellësi Trans – Adriatik Pipeline (TAP), i cili fillon në Detin Kaspik, kalon në Turqi, për të vijuar nëpër Shqipëri dhe më pas në Itali.
Sipas kryeministrit, ky është projekti më fizibël i të gjithë sistemeve të gazsjellësve deri më sot i cili do të çojë gazin e Kaspikut drejt Europës.
“Tashmë është e njohur se një gazsjellës që fillon në Kaspik, në fushën e gazit të Shah-Deniz-it dhe kalon në Turqi, Greqi, Shqipëri, Itali dhe degëzohet drejt veriut, është projekti më fizibël i të gjitha sistemeve gazsjellës të ndërtuar gjer më sot, të projektuara për të çuar gazin e Kaspikut drejt Europës Perëndimore. Është projekti që kushton 2.2 miliardë Euro më lirë, se të gjitha projektet e tjera që shkojnë drejt Italisë. Është projekti që mund të ndërtohet në kohë rekord, më shpjet se çdo projekt tjetër, për shkak të distancës më të shkurtër. Ky projekt, fillimisht, kishte në bërthamë konsorciumin EGL, një nga sipërmarrjet kryesore energjetike të Zvicrës dhe Statoil, ndërmarrja kryesore e naftës e gazit në Norvegji, eksportues i dytë i gazit në botë, tani i është bashkuar edhe një gjigand tjetër, EON, sipërmarrja e madhe energjetike e Gjermanisë. Projekti është avancuar në sajë të vullnetit të hekurt që kanë dëshmuar korporata EGL dhe Statoil dhe përpjekjeve të tjera të vendeve, ndër të cilat edhe Shqipëria, ka zhvilluar një sërë takimesh me autoritetet e Azerbaxhanit, me Turqinë dhe vende të tjera. Projekti ka tani një mbështetje të fuqishme, shumë të rëndësishme politike dhe e ka të qartë perspektivën. Në Shah Deniz, autoritetet e kësaj fushe gjigande gazi, në të cilën Statoil është aksioner me mbi 20 për qind, kanë marrë oferta të disa konsorciumeve dhe e vërteta është se oferta e bërë nga Trans Adriatic Pipeline (TAP) është në distancë më e qarta, më e sigurta, më fizibël dhe më e shpjeta që mund të sjellë gazin në Europë”, tha Berisha.
Ai tha se ka marrë garancinë e kryeministrit të Norvegjisë, për të bashkërenduar përpjekjet shtetërore që ky projekt gjigand europian të bëhet sa më shpejt realitet. “Kryeministri u prononcuan direkt edhe në media për TAP-in si një prioritet për mbështetje nga qeveria norvegjeze. Jam i bindur se këto bisedime kanë qenë  shumë të rëndësishme, për shtytjen përpara të këtij projekti shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe Europën”, theksoi kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›