E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sheshi u hap, apo u rimbyll?

Prof.Asoc.Dr. Myslim PASHA

Sheshi qendror populist i Tiranës dhe një tellall i vitit 1916

Veza qe thyer qyshkur, dhe prej saj nuk kish dalë asnjë zog i ri me ndonjë performancë të re. Është fjala për sheshin qendror të Tiranës, për të cilin pritej që të ishte një krijesë e ndryshme, një rrjet arterial dhe venor, i ri i kësaj zemre të Shqipërisë, siç e quajnë. Ne prisnin që të jetësohej ajo që e përfytyronim, por nxitimi i përhershëm dhe i kahershëm i shqiptarëve, veprat inatçore dhe atavike, futen brenda, si në një regjisurë tanimë të njohur dhe japin produkte, si ky Sheshi, ku është bërë një përshesh i vjetër. Apo një çorbë populiste shqiptare.

Mu kujtua, ai gazetari skocez, i cili në mënyrë cinike, para do vitesh, sapo hipi në pesëmbëdhjetëkatësh, pa gjullurdinë lëvizore e kaotike të njerëzve në këtë mjedis qendror, së cilës nuk i gjendej dot paradigma pasqyruese dhe kahja, se për ku e kishin turrin këta njerëz të papunë dhe pa orë në dorë Prej mërzisë dhe dëshpërimit edhe unë iu qasa rolit të atij gazetarit.

Hodha sytë rrotull, dhe pashë kakofoninë në një rreth rrotullim, lëvizje ndërthurëse, njerëzish, autobusësh e makinash të llojllojshme, biçikletash, një trazim mëngjesor i rrëmujshëm, i paorientim e i pabusull. Paskemi ardhur sërish tek komunikimi i dikurshëm i automjeteve dhe njerëzve, dhe kështu qenkemi tek Sheshi i shqiptarëve, kësilloj i pushtuar, prej mjetesh dhe frymësh njerëzore, gjithnjë në betejë të pasosur, aty ku nuk ke aspak mundësinë që të përjetosh, qoftë edhe një moment prehje dhe qetësim peizazhi arkitekturor dhe urban. Të humbet edhe vetë Gjergj Kastrioti, apo Muzeu Historik

Ku është fshehur TELLALLI?

Ky mediatik tipik allaturk mu kujtua nga harta që e solla këtu për lexuesin e Shekullit. (është hartë e vitit 1916, e krijuar gjatë Luftës së Parë Botërore, nga hartografë austro-hungarezë). Midis treguesve të kohës të bie në sy TELLALLI që duhet të ketë pasur fillimin e veprës së tij kumtuese e folëse, tek një gur i ngritur, diku para Kalasë së Tiranës e pastaj vijonte të lëvizte avash- avash prej lodhjes së tij zanore dhe ulëritëse, në pjesën e sipërme të sheshinës së përbaltur që quhej Sheshi i Skënderbeut.

Ndërkaq, pas njoftimit që bënte në verilindje, i takonte pastaj që të kalonte para Xhamisë së Ethem Beut, pas të cilës ishte sheshi i Pazarit, udhë e Këpucëbamësëve, më tej ngjitur pas njëra-tjetrës sikur të ishin motra: udha e Argjandit me Tregun e Krypës.

Pastaj tellalli ynë përshkonte me zell e pasion Sheshin e Shqiptarëve, pikërisht aty ku është pjesa më e madhe e sheshit të sotëm. Drejt Veriut vijonte Udha e Krujës dhe në jug: Udha e 28 nëntorit

Të dy sheshet (i Skënderbeut dhe i Shqiptarëve) ishin si në simbiozë të njëri-tjetrit në barasfrymën dhe praninë e të dyve, në baraspeshë sipërfaqësore, por edhe në orientim. Për midis, degëzohej arteria jetësore e 28 nëntorit. Udhët dhe sheshet ishin, diku me çakëll, diku me baltë, rrethuar me gëmusha. Lëviznin shqiptarë me tirqe e shallvare, shqiptare me ferexhe dhe gomerë ngarkuar me dru, nëpër gjerdhe që mezi kaloheshin. Megjithatë, prapë, kishte aty në rrënjë, një ëndërr shqiptare.

Si një baraspeshim emërtues dhe simbolikë ngelet e dokumentuar në këtë hartë që prej asokohe, kur shteti shqiptar skish më shumë se tre vjet që frymonte i mëvetësuar.

Një periudhë njëshekullore, për atë histori që ka kryeqendra e Shqipërisë, pse vallë u dashka tia vesh emrin Sheshi i Diktaturave, siç e lexuam diku në shtyp këto ditë.

Republika e Parë, Mbretëria, sishin të tilla. Është e vërtetë që Sistemi Socialist qe Diktaturë e Proletariatit. Prapë nuk është e mjaftë ta quash të diktaturës. Të mos harrojmë, ishte i vetmi vend që shqiptarët e këtushëm dhe ata që vinin nga rrethinat, realizonin shëtitjen më të pazakontë në botë, në atë Bulevard dhe qendrën e tij, ku takoheshin bënin xhiron e famshme dukeshin më të çlodhur ose gjase më të çlodhur, prej atij izolimi total dhe ku nuk i humbën shpresat.

Po koha e demokracisë, a mund të quhet e diktaturës? Nuk janë pak, por dy dhjetëvjeçarë. Kur ja sërish, erdhëm tek po i njëjti kompozim, si në gjenezë të tij, tek Sheshi i Shqiptarëve pas gati një viti. Në këtë rast thuhet se u soll një risi, pasi është një shesh i ri, (edhe pse provizor) pasi do të ndërhyhet që të jetësohet plani i tij.

Shqiptarët e lodhur, e të kacafytur kësilloj, prisnin atë përfytyrim projektues më ndryshe se çishte, që të vinte sa më intrigues, sa më qytetor dhe kulturor, sa më modern e sa më çlodhës. Ky spektakël, do të kish katrorin tredimensional dhe kulmin e mezipritur piramidal. Por ah! Ne prapë, mbërritëm tek e njëjta dukje urbane dhe populiste.

Gjergj Kastrioti duhet ta ketë një mërzi në arsyetimin e tij me këllëç, hipur në kal, por është mësuar, me këtë sjellje të nipërve të tij, që ende nuk e kanë harruar TELLALLIN

Nuk është mirë as ta quash shesh human, vetëm e vetëm se janë derdhur në të, gjithë me kuç e me maç, me laçkë e plaçkë, me autobusë e makina të tjera Edhe këtë sjellje të re, u dashka që ta quajmë festë urbane dhe mbajtje e fjalës para zgjedhësve(!!)… Sheshi u hap, por ai, sërish u mbyll

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›