Kurbin, Parandalohet vrasje, arrestohet autori
LAÇ - Policia e Kurbinit arrestoi dje në flagrancë 59-vjeçarin Osman Hasani duke parandaluar një vrasje, ndërkohë që ndaj tij rëndon akuza e "tentativës për vrasje". Sipas drejtuesve të policisë, Hasani u arrestua në orën 09:00 të ditës së djeshme, mbështetur në informacionet operative për një tentativë të tij për të vrarë me armë zjarri fqinjin për një konflikt pronësie. Ndërhyrja e bluve u bë në kohë, duke parandaluar kështu krimin. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 59-vjeçarit, policia bllokoi 2 armë zjarri pushkë 'mod 56' si dhe dy krehra me fishekë luftarakë. Drejtues të policisë së Kurbinit pohojnë se kanë arrestuar dhe Mirash Gegën, lindur në Pukë e me banim në Fushë-Mamurras, pasi në një sherr për pronën tentoi të vrasë kushëririn e tij. Gjatë kontrollit në banesë Gegës iu gjetën dy kallashnikovë e qindra fishekë luftarakë. Po sipas drejtuesve të policisë, edhe i arrestuari tjetër Tonin Lleshi është vënë në pranga pas kërcënimit me armë të kushëririt të tij në sherrin për konflikt pronësie. Mësohet se në momentin e përdorimit të armës, kushëriri është shmangur duke u futur në banesë. "Armët e bllokuara janë dërguar në laboratorin kriminalistik për të saktësuar nëse ato janë përdorur në krime të tjera", - shtojnë burimet zyrtare të policisë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)