Kurbin, banorët në protestë për dëmshpërblimin e superstradës
KURBIN - Banorë të fshatrave të Fushë- Milotit dhe Laçit bllokojnë punimet që po kryhen për zgjerimin e autostradës që lidh Fushë-Krujën me Milotin. Shkak për këtë janë bërë punimet e nisura pa i dëmshpërblyer për tokat e tyre. Policia shkoi dje në vendin ku banorët kanë nisur protestën, duke shmangur bllokimin e superstradës që lidh Veriun me Jugun e Shqipërisë. Ndërkohë, protestuesit paralajmëruan dje se do të bllokojnë rrugën brenda javës nëse qeveria nuk miraton dëmshpërblimin e tyre. Protesta e djeshme zgjati nga ora 09:00 deri në 10:30. Gjin Doda, njëri nga pronarët që autostrada i zë rreth 6 dynym tokë u shpreh se nuk do të heqë dorë nga protestat nëse qeveria nuk do të marrë masa. “Jam i detyruar të nxjerr fëmijët nga shtëpia, por nuk di ku t’i dërgoj. Është absurde të nisë një investim, kur ende nuk është zgjidhur çështja me pronarët e tokës”, u shpreh Doda. Sipas banorëve, pas kërkesave të vazhdueshme të tyre, në vend mbërriti pak ditë më parë edhe kreu i përgjithshëm i rrugëve, Andi Toma. “Na garantoi që brenda 15 ditëve do na kthente përgjigje, por deri tani asgjë. Ne nuk dimë as si do të dëmshpërblehemi dhe as sa do të jetë vlera e tokës sonë” vijoi më tej Doda. Banorët bënë të ditur se kanë vënë në dijeni edhe kryeministrin për situatën e krijuar, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. r.n