E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurdisje në sy të FIFA-s

Rezultatet e dyshimta të tri ndeshjeve të së shtunës: Hysi – Prishtina 2:3, KEK-u – Lepenci 5:6 dhe Gjilani – Trepça 0:4, kanë bërë që i madh e i vogël, Superligën e Kosovës ta quajnë ‘Superliga e Kurdisur’. Madje, e gjithë kjo ka ndodhur para syve të një inspektori të FIFA-s. Kjo bëri që krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës të ndihen të turpëruar, derisa paralajmërojnë se nuk do të rrinë duarkryq.

Superliga e Kosovës, nga i madh e i vogël ka fillaur të quhet ‘Superliga e Kurdisur’. Shkak për këtë janë bërë rezultatet e dyshimta të tri takimeve të xhiros së 30-të: Hysi – Prishtina 2:3, KEK-u – Lepenci 5:6 dhe Gjilani – Trepça 0:4.

Në të tria këto takime ndodhën gjëra afërsisht të njëjta, të cilat bënë që të lindin dyshime të mëdha se ato të kenë qenë të kurdisura. Në të tria duelet fituan ekipet mysafire, gjë që rrallë ndodh në futbollin kosovar, posaçërisht në fund të kampionatit. Bëhet fjalë për fitore që u duheshin Prishtinës për titull, kurse Lepencit e Trepçës për mbijetesë, ndaj Hysit, KEK-ut e Gjilanit, të cilat tashmë nuk kanë ndonjë objektiv.

Madje, në fund të takimit Hysi – Prishtina nga tribunat tifozët i fyen ekipet, duke u brohoritur ‘Marre, marre...’, e po ashtu nuk u kursyen as thyerjet e karrigeve.

Dhe, e gjithë kjo nuk ka shpëtuar pa u parë nga njerëz të FIFA-s, në të cilën organizatë, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) prej vitesh po bën përpjekje të jashtëzakonshme për t’u anëtarësuar.

“Vërtet është për të të ardhur keq. Atë ndeshje të gjithë e kanë parë në transmetim direkt televiziv. Si udhëheqës të FFK-së, ishim prezentë në atë takim me një mysafir tonin, i cili mbi të gjitha është inspektor i FIFA-s dhe ai i pa të gjitha ato që ndodhën në Merdar”, deklaroi për Express, sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Ai pranoi se e shtuna i ka nxjerrë punë edhe Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Sipas tij, fillimi i hetimeve për këto ndeshje me gjasë do të jetë i pashmangshëm. “Pas gjithë kësaj, e kemi ftuar në një mbledhje për të hënën Komitetin Ekzekutiv. Ky organ do ta shqyrtojë gjithë situatën dhe do ta menaxhojë në mënyrën më të mirë të mundshme”, pohoi Salihu.

Trepça e Vëllaznimi akuzojnë, Hysi e Prishtina mohojnë

Fitorja ndaj Hysit, që për shumëkë ishte mjaft e dyshimtë, bëri që Prishtina ta bëjë një hap tepër të madh drejt titullit të kampionit. Por, rrjedha e atij dueli i la gojëhapur dy kandidatët e tjerë për titull, Trepçën ’89 e Vëllaznimin.

“Unë nuk kam koment, sepse ndeshja transmetohej direkt në televizion dhe të gjithë e kanë parë. Ajo ishte një marri. Në gjithë botën ka kurdisje, por kurdisen në mënyra të tjera, e jo kështu si te ne, ashiqare. Te ne, edhe fëmijët po i dinë rezultatet e ndeshjeve, ende pa filluar ato”, deklaroi për Express, kreu i Trepçës ’89, Abedin Zeka, sipas të cilit, Hysi bëri çmos që ta largojë ekipin e tij nga lufta për titull, dhe kampion ta bëjë Prishtinën. Zeka i bëri thirrje FFK-së që më në fund t’i ndëshkojë dhunuesit e futbollit kosovar.

Të zhgënjyer me ‘vakitë’ e së shtunës janë edhe gjakovarët e Vëllaznimit. “Skuadrave me renome si Vëllaznimi, Prishtina, Liria etj nuk u ka hije të bëjnë kësi gjëra. Normalisht që ndihemi të dëmtuar si kandidatë për titull. Federata vazhdimisht po kërkon fakte. Nuk e di çfarë faktesh më bindëse kërkon sesa ato që i shohin vetë krerët e saj”, tha zyrtari i Vëllaznimit, Ahmet Morina.

Në anën tjetër, krerët e Hysit mohojnë që të shtunën t’ia kenë lëshuar lojën Prishtinës, në mënyrë që kjo e fundit t’i afrohet titullit. “Nuk mund t’i kuptoj këta njerëz. Vetëm pse i pranuam shpejt dy gola, thonë që e kemi lëshuar lojën. Por, njëjtë ngjau edhe në Angli me Manchester Cityn e Manchester Unitedin, në xhiron e fundit”, tha shefi ekzekutiv i llapjanëve, Afrim Macula.

“Pastaj, ne nxorëm nga loja Zhdrellën e Musollin. Kjo pasi të mërkurën e kemi ndeshjen gjysmëfinale dhe vendimtare për Kupë, i cili trofe është synimi ynë kryesor. Vetëm për t’i shmangur thashethemet, i kemi futur në lojë ata lojtarë, sepse nuk do t’i fusnim fare, por kot, këtu nuk kuptojnë”, theksoi ai.

Njëjtë shprehet edhe nënkryetari i Prishtinës, Afrim Muçiqi. “Këto akuza janë të pakuptimta. Hysi ka luajtur kundër liderit, dhe fakti se Prishtina është lider, tregon se klubi ynë ka fuqi për ta mposhtur çdo ekip”, pohoi Muçiqi.

Akuzat për kurdisje të rezultateve mohohen kategorikisht edhe nga Lepenci, KEK-u, Trepça e Gjilani.

Duhet theksuar se shpeshherë në Superligë gara për titull e mbijetesë është vendosur nëpërmjet kurdisjeve të rezultateve, derisa FFK-ja nuk i ka zbuluar asnjëherë, e për dënime as që bëhet fjalë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›