NATO: Prishtina e Beogradi të implementojnë marrëveshjet

Në deklaratën përfundimtare të samitit të NATO-s, e cila tashmë u është shpërndarë gazetarëve, janë disa paragrafe që flasin edhe për Kosovën.
Shefat e shteteve të NATO-s nga ky samit, kanë mbështetur fuqishëm edhe një herë përpjekjet e misionit të KFOR-it për të siguruar paqe dhe stabilitet në Kosovë.
Po ashtu, mbështesin edhe punën e KFOR-it për të siguruar, në bazë të mandatit që ka, lirinë e lëvizjes në tërë territorin e Kosovës.
Liderët e NATO-s me këtë deklaratë, kanë përshëndetur edhe përparimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe kanë thënë se shikojnë në të ardhmen për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë të NATO-s me këtë forcë.
Po ashtu, Kosova përmendet edhe në pjesën e bashkëpunimit të NATO-s me Bashkimin Evropian, ku thuhet se misioni i KFOR-it në Kosovë, po bashkëpunon ngushtë me EULEX-in dhe me përfaqësuesit e lartë të BE-së.
Shefat e shteteve të NATO-s, po ashtu i kanë bërë thirrje Beogradit dhe Prishtinës, që të vazhdojnë përpjekjet për të zgjidhur të gjitha problemet në mënyrë paqësore nëpërmes dialogut, dhe të shfrytëzojnë rolin e Bashkimit Evropian, në lehtësimin e këtij dialogu.
Ata u kanë bërë thirrje edhe që të implementojnë marrëveshjet e arritura deri më tani, e sidomos marrëveshjen për menaxhimin e integruar të vendkalimeve. /rel/