Kuriozitete mjekësore
Mjekët provojnë tek vetja vitamina C dhe E
Miliona njerëz në botë blejnë vitamina, duke shpresuar se ato do të ndihmojnë shëndetin e tyre. Por, a ndihmojnë ato? Një numër studimesh kanë hedhur dyshim mbi efektshmërinë e dozave të larta të vitaminave për të parandaluar rrezikun e kancerit.
Vitaminat C dhe E janë dy prej më të përdorshmeve. Ato gjenden në fruta e perime dhe mendohet se mbrojnë qelizat dhe organet e trupit të njeriut. Por, një studim i ri thotë se këto vitamina janë të paefektshme në parandalimin e sëmundjeve kardio-vaskulare. Gjatë studimit, 14 mijë burrave u dhanë doza të larta vitaminash C dhe E. Të gjithë ata ishin mjekë nga mosha mbi 50 vjeç e sipër dhe në rrezik të ulët për t’u prekur nga sëmundje të zemrës. Studimi zgjati 10 vjet dhe në përfundim u vu re se vitaminat C dhe E nuk luajtën ndonjë rol në parandalimin e sëmundjeve kardio-vaskulare. Shkencëtarët mendojnë se për parandalimin e sëmundjeve të tilla vlejnë këshillat e tradicionale; dieta ushqimore, mospirje të duhanit dhe ushtrime fizike.
Grupi i vitaminave B shikohet si thelbësor për një dietë të shëndetshme. Vitamina B-6 ndihmon në mbrojtjen e imunitetit të organizmit. B-12-a është e mirë për trurin dhe sistemin nervor. Por, studimi i ri mori në shqyrtim të paktën 5 mijë gra të moshës mbi 40 vjeç. Rezultatet treguan se vitaminat B nuk luajtën ndonjë rol për pakësimin e rrezikut të kancerit, veçanërisht kancerit në gji dhe në zorrën e trashë.
Gjithashtu, studimet e kohëve të fundit kanë treguar se shumë njerëz me nivel të ulët të vitaminës D janë në rrezik për t’u prekur nga një numër sëmundjesh, duke filluar nga diabeti, problemet në zemër dhe disa lloj kancerësh. Megjithatë, një studim ku morën pjesë 36 mijë gra, tregoi se vitamina D nuk luajti rol në parandalimin e kancerit të gjirit apo të zorrës së trashë. Disa shkencëtarë thonë se pjesëmarrësve në këtë studim duhej t’u ishte dhënë një dozë më e lartë vitamine D për të parë efektet e saj. Por, shkencëtarë të tjerë paralajmërojnë se disa pacientë mund të shkurtojnë jetën e tyre, nëse disa lloje vitaminash i marrin në doza më të larta sesa rekomandohen.
Reklamat kundër duhanit, të paefektshme
Nëntori është muaji kundër duhanit, nismë e shoqatës amerikane kundër kancerit, që synon t’i nxisë njerëzit të lënë duhanin. Por sa e efektshme është kjo fushatë.
Për dekada, reklamat kundër duhanit janë bërë pjesë e pamjeve televizive. Qëllimi i tyre është i thjeshtë; të nxisin njerëzit që të lënë duhanin, ose të mos e fillojnë atë.
Disa nga këto reklama, veçanërisht ato që u drejtohen të rinjve, kanë pamje të frikshme kur përshkruajnë pasojat e duhanit dhe sëmundjet që lidhen me të.
Shkencëtarët pranë Universitetit të Mizurit, morën në shqyrtim efektin e reklamave të tilla tek njerëzit, dhe sa i dobishëm është mesazhi që ato përcjellin.
Eksperti Paul Bolls, thotë se, shkencërisht, këto reklama nuk janë shumë të efektshme. Ai e mati shkallën e efektshmërisë në laborator, duke studiuar reagimin e trurit të njeriut që shikonte reklama të tilla. Nga studimi doli se, kur mesazhet janë shumë të ashpra e të frikshme, ato e bëjnë njeriun të mos i shohë ato. Ekspertët vunë re se, kur reklama kundër duhanit ishte më e butë dhe me pamje më pak acaruese, ajo krijonte frikën e arsyeshme dhe e bënte shikuesin të mendohej rreth pasojave të duhanit.
Studim mbi nivelin e kolesterinës së keqe
Ulja drastike e nivelit të lartë të kolesterinës, ndihmon pacientët me diabet për të përmirësuare gjendjen e arterieve të tyre. Kështu thuhet në një studim të kryer nga shkencëtarët e Institutit Kombëtar kundër sëmundjeve të zemrës, mushkërive dhe gjakut. Tek pacientët që e ulën nivelin e kolesterinës së keqe në 70, trashësia e arterieve u pakësua dukshëm, ndërsa tek pacientët, ku niveli i kësaj kolesterine ra nën 100, trashësia e arterieve të zemrës u shtua. Këto rezultate po i bëjnë mjekët të pyesin se cila është shkalla e duhur e nivelit të ulët të kolesterinës së keqe, apo LDL-ja.
Sipas studimit, në qoftë se ulja e nivelit të kolesterinës së keqe pakëson rrezikun për goditje në zemër, atëherë sa më i ulët (deri në një shkallë të caktuar) të jetë ky nivel, aq më shumë pakësohet ky rrezik – të paktën për pacientët me diabet të tipit 2.
Për 3 vjet me radhë, shkencëtarët ndoqën nga afër gjendjen e 500 pacientëve me diabet. 250 prej tyre u trajtuan duke pasur për synim uljen e nivelit të kolesterinës së keqe nën 100. 250 pacientët e tjerë iu nënshtruan një trajtimi agresiv me ilaçe, me synimin për ta ulur nivelin e kolesterinës së keqe nën 70. Pjesëmarrësve iu dha një ilaç statin dhe, nëse kishin nevojë, edhe ilaç zetia, i cili bllokon kolesterinën në një tjetër mënyrë. Rezultatet treguan se lloji i ilaçit nuk luajti ndonjë rol. Tek ata që iu nënshtruan trajtimit agresiv, trashësia e arterieve të tyre u hollua. E kundërta ndodhi me grupin tjetër të pacientëve që u trajtua në mënyrë tradicionale për uljen e nivelit të kolesterinës. Tek ata u shtua rreziku për bllokim arteriesh dhe goditje në zemër.
Ekspertët thonë se këto rezultate nxisin edhe më shumë debatin në qarqet mjekësore, se deri në çfarë shkalle duhet ulur niveli i kolesterinës së keqe. Tani për tani, argumenti është se ky nivel duhet të jetë nën 100 për të gjithë pacientët në moshë mesme.
Zometa edhe kundër kancerit të gjirit
Një ilaç kundër osteoporozës, gjithashtu mund të ndihmojë për të luftuar kancerin e gjirit. Sipas një studimi të ri, ilaçi i quajtur zometa, kur injektohet në venat e grave me kancer në gji, mund veprojë krahas kimioterapisë, për të ndihmuar në tkurrjen e tumorit. Tumorët e vegjël mund të hiqen lehtë me operacion, duke u dhënë shumë grave mundësi që të trajtohen me lumpektomi sesa me mastektomi të plotë.
Ilaçi zometa kundër osteoporozës, mund të ndihmojë për të luftuar kancerin e gjirit në shumë drejtime. Kërkimet e mëparshme kanë treguar se, gratë e trajtuara për rastet e kancerit të gjirit në fazë të hershme, kishin më pak gjasa për të provuar rikthimin e tumorit, nëse atyre u jepej zometa me injeksion në venë.
Por, një studim i ri tregon se zometa mund të ketë edhe aftësi për të luftuar drejtpërdrejt tumorin. Mjekët morën në shqyrtim 205 gra me tumor në gji, i cili kishte filluar të përhapej në qelizat e shëndetshme përreth. Disa prej grave u trajtuan me kimioterapi, për të tkurrur tumorin para operacionit, ndërsa të tjerat u trajtuan me kimioterapi, por iu dha edhe zometa 3 deri 4 herë në javë, për një muaj e gjysmë. Kur gratë, më në fund, shkuan për t’u operuar, tek ato që ishin trajtuar me zometa, mjekët vunë re se tumori i tyre ishte afërsisht 14 milimetra më i vogël. Si rezultatet, 15 për qind e grave që u trajtuan me zometa ishin në gjendje për të pasur lumpektomi në vend të mastektomisë, në krahasim me 22 për qind të grave që u trajtuan vetëm me kimioterapi.
Mjekët tani po vëzhgojnë gjendjen e këtyre grave dhe të mijëra të tjerave për të përcaktuar nëse zometa mund të pakësojë rastet e rikthimit të kancerit, ose të zgjasë jetën e grave me kancer në gji, në fazë të ndërmjetme zhvillimi.