E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lëkura, mbrojtësja jonë perfekte, por delikate

Cili është funksioni i lëkurës?

Lëkura ka shumë funksione. Një nga funksionet është funksioni mbrojtës, sepse nga goditjet ai shërben si një jastëk pneumatik, harmonizon goditjet. Nëse nuk do të ekzistonte lëkura, goditjen do ta ndiente më tepër organizmi. Ka edhe funksion që ndihmon në frymëmarrje nëpërmjet poreve që ka. Gjithashtu, nëpërmjet lëkurës eliminohet djersa e tepërt. Pra, është një rregullator i organizmit.

Nga cilat sëmundje preket më shpesh lëkura?

Nga studimet që kemi bërë, del se sëmundjet kryesore të lëkurës janë infeksionet e zakonshme, pjydermitet, që prekin më shumë moshat e vogla. Gjithashtu, edhe ekzemat janë sëmundje të përhapura të lëkurës, që shfaqen në mosha të ndryshme. Janë edhe sëmundjet mykotike që shfaqen sidomos gjatë stinës së verës nga djersa. Në lëkurë janë të përhapura edhe sëmundjet e moshave të reja, që janë aknet apo siç quhen ndryshe puçrrat e rinisë. Për lëkurën problematik është e skabesi (zgjebja), e cila në periudha të caktuara, si në dimër, në kopshte dhe konvikte, përhapet në kolektiv, pasi është sëmundje ngjitëse. Ka edhe infeksione të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, që janë më të përhapura tek të rinjtë, por që kjo moshë po zbret. Nëse para pak vitesh këto sëmundje gjendeshin në moshën 17-18 vjeç, tashëm e gjen edhe tek 15-vjeçarët.

Dua të theksoj se edhe kjo tendenca e të rinjve për pirsing apo tatuazhe, është shumë e gabuar, pasi mund të jenë burim infeksionesh. Duke u shpuar lëkura, jepet mundësinë për të dëmtuar lëkurën dhe shfaqur sëmundje. Edhe tatuazhet janë helme që përdoren mbi lëkurën.

Cilat janë shenjat kryesore të sëmundjeve të lëkurës?

Duhet të jesh specialist që t’i dallosh dhe t’i specifikosh se me çfarë sëmundje lëkure kemi të bëjmë. Kryesisht këto shenja janë skuqje e lëkurës, herë shfaqen me flluska me ujë, që më pas qelbëzohen. Në rastet e infeksioneve të lëkurës nga myqet, nga bagëtitë, sidomos tek njerëzit që jetojnë në fshat, këto shenja shfaqen në forma hartash në lëkurë. Tek moshat e reja shfaqen në forma aknesh në fytyrë. Specifikimi i tyre bëhet nga specialistët.

Cilat janë shkaqet e këtyre sëmundjeve?

Shkaqet janë mikrobet e shumta. Janë myqet, por edhe faktorët e jashtëm si, pluhuri nga ambienti i ndotur, polente në kohën e periudhës së pranverës. Por, në disa raste ndodh që sëmundjet e lëkurës të jenë edhe të trashëgueshme.

Si mund të bëhet parandalimi i këtyre sëmundjeve?

Masa higjienike tepër korrekte me lëkurën. Të ndiqen të gjitha këshillat e mjekut specialist.

Bujar Pernaska, (doktor i Shkencave Mjekësore, dermatolog pranë Poliklinikës Qendrore të Specialiteteve)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›