Kursi i këmbimit, leku e nis javën me dobësim
Leku shqiptar filloi si rrallëherë javën me dobësim kundrejt Euros dhe Dollarit, duke dhënë shenja se efekti i përkohshëm i forcimit i shkaktuar nga ardhja e emigrantëve dhe turistëve, ka përfunduar. Paundi fitoi 0.97 lekë, Euro 0.15 lekë, ndërsa dollari amerikan u kuotua i pandryshuar në krahasim me javën e kaluar. Dje një euro u këmbye për 121.26, ndërsa dollari për 82.3 lekë.
Zakonisht leku forcohet në fillim të javës. Gjatë tre javëve të fundit, leku ka njohur një forcim të lehtë kundrejt euros, e cila është monedha referencë për ne, për shkak të rritjes së kërkesës së qeverisë për borxh të brendshëm dhe për shkak të rritjes së fluksit hyrës të valutës që ndodh çdo vit në gusht. Por gjatë ditëve të fundit, gjithnjë e më shumë emigrantë dhe turistë të huaj janë larguar nga Shqipëria dhe efekti i fundit i sezonit turistik po ndjehet edhe te kursi i këmbimit. Leku shqiptar u forcua vazhdimisht që nga viti 2003 deri në vitin 2006, ndërsa ka filluar të dobësohet gjatë vitit 2007, për shkak të rritjes së deficitit të llogarisë korrente të vendit. Deficiti parashikohet në rritje edhe për këtë vit, gjë që do të ushtrojë presion mbi lekun. Importet e larta të energjisë dhe ushqimeve, si dhe ulja e prurjeve valutore nga emigrantët kanë qenë shkaktarët e thellimit të deficitit të llogarisë korrente të vendit, që këtë vit pritet të kapërcejë kuotën e 1 miliardë eurove. Gjatë vitit të kaluar, deficiti u kompensua pjesshëm me hyrjen e investimeve të huaja, por këtë vit, një gjë e tillë nuk po përsëritet.
Në tregun ndërkombëtar, dollari duket se mbylli dje katërmbëdhjetë ditë forcim të vazhdueshëm, si pasojë e lajmeve negative nga ekonomia amerikane.