Kursi i këmbimit tradhton Berishën
ADI SHKEMBI
Buxheti i kryeministrit Berisha për këtë vit elektoral tradhtohet nga kursi i dollarit. Megjithëse kreu i ekzekutivit, edhe në mbledhjen e djeshme ka deklaruar, se buxheti i vitit të ardhshëm do të jetë 5 miliardë dollarë, në fakt ai nuk është më shumë se 4.02 miliardë USD. Me një llogaritje të thjeshtë totali i shpenzimeve për vitin 2009 është 382 miliardë lekë të reja, që duke u pjesëtuar me 95 lekë (kursi i këmbimit të dollarit të dy ditëve më parë) del 4.02 miliardë USD. Ndërkohë, për herë të parë shifrën 5 miliardë dollarë të buxhetit të vitit të ardhshëm kryeministri Berisha e artikuloi në muajin shtator, kur kursi i këmbimit të dollarit ishte në kufijtë e 78 lekëve. Me këtë kurs buxheti, në këto nivele të totalit të shpenzimeve shkonte në kufijtë e pesë miliardë dollarëve. Duke folur në mbledhjen e zhvilluar jashtë radhe për miratimin e buxhetit kreu i qeverisë vlerësoi buxheti realizon të gjitha premtimet e qeverisë për rritjen e rrogave dhe pensioneve. "Me shtesën që do të bëhet vitin e ardhshëm, arsimtarët, mjekët dhe infermierët do të ndiejnë dyfishimin e rrogave, pensionistët në qytet do të kenë një rritje të ndjeshme prej 10 për qind, ndërsa pensionistët në fshat do të kenë një rritje prej 20 për qind, e cila garanton përfundimisht dyfishimin e pensioneve të tyre", tha kryeministri, duke theksuar se një rritje të ndjeshme do të pësojë edhe ndihma ekonomike. Nëpërmjet këtij buxheti, sipas kreut të qeverisë do të zhvillohet një politikë sociale konstante, ndërsa administrata shtetërore do t'u 'peshojë' taksapaguesve shqiptarë gjithsej vetëm 6.2 për qind të prodhimit të brendshëm të vendit. Në të njëjtën kohën ai garantoi, se fushata zgjedhore e vitit të ardhshëm nuk do të ngadalësojë reformat në vend, por do të jetë sinonim i reformave. Sipas tij "xhirot e motorit të reformave, shpejtësia e tij, do të njohin tregues shumë më optimal nga sot deri në ditën para zgjedhjeve. Pra, do jeni dëshmitar të një fushate tjetër, e cila do të jetë sinonim i reformave, të një fushate, e cila do të procedojë me vendosmëri me reforma". Nga ana e tij ministri i Financave, Ritvan Bode deklaroi se buxheti i vitit 2009 jep një garanci maksimale se nuk do të krijohen probleme që mund të çojnë në një destabilizim të mundshëm të financave publike, edhe pse është një vit elektoral. "Nëse ritmi i rritjes së të ardhurave nga viti në vit ka qenë të paktën 15 për qind, në vitin 2009 ne kemi programuar një rritje prej 10-11 për qind të së ardhurave të buxhetit. Pra, me qëllim kemi ecur me një marsh më të lartë sigurie nga pikëpamja e të ardhurave. Kjo mund të sjellë tejkalime të qenësishme në buxhet dhe ndoshta në 6 mujorin e dytë të vitit 2009, nëse shqiptarët do të votojnë përsëri këtë maxhorancë, do të krijohet mundësia për të bërë një buxhet suplementar, ku do të rialokohen këto fonde", tha Bode.
Krahasimi i buxhetit suplementar të vitit 2008 me projektbuxhetin e vitit 2009
(në milionë lekë)
2008 2009 Diferenca
TOTALI TE ARDHURAVE 303,783 332,568 28785
Të ardhura nga ndihmat 4,670 6,613 1943
Të ardhura tatimore 276,352 304,771 28419
Nga Tatimet dhe Doganat 209,711 230,168 20457
Nga Pushteti Vendor 15,582 18,412 2830
Nga Buxh. Pavarur 51,059 56,191 5132
Te ardhura Jotatimore 22,761 22,202 -559
TOTALI I SHPENZIMEVE 360,207 382,596 22389
Shpenzime Korrente 257,409 281,884 24475
Personeli 67,959 59,271 -8688
Paga 57,097 51,859 -5238
Interesat 32,580 36,040 3460
Shpenzime Operative 28,643 36,112 7469
Financim i Huaj 225 0 -225
Subvencionet 1,966 2,022 56
Shpenzime per Sigurime 78,673 94,188 15515
Sigurime Shoqerore 67,513 71,655 4142
Sigurime Shendetesore 11,160 22,533 11373
Shpenzime Buxheti Lokal 31,646 36,835 5189
Buxheti lokal (Granti) 16,064 18,423 2359
Shpenzime te tjera 15,442 16,871 1429
Pagesa e Papunesise 1,000 1,000 0
Ndihma Ekonomike 12,042 13,871 1829
Komp per te perndjekurit 1,000 2,000 1000
Kompensim per energjine 1,400 0 -1400
Kompensim i pronareve 500 600 100
Fondi Rez, Kontigjenca 9,900 16,200 6300
Fondi Rezerve i KM 2,400 2,000 -400
Fondi Kontigjence per Politika
Pagash dhe Pensionesh 2,000 8,200 6200
Fond Kontigjence 5,500 6,000 500
Shpenzime Kapitale 94,419 89,512 -4907
Financimi Brendshem 48,848 68,437 19589
Financimi Huaj 45,571 21,075 -24496
DEFIÇITI -56,424 -50,010 6414