Topalli tur me gratë në Gjirokastër
Gratë gjirokastrite i rezervuan një pritje sa të ngrohtë aq madhështore kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, e cila bëri pjesë të turit të saj "Gratë për Gratë", qytetin historik të Gjirokastrës. Takimi, me të gjitha ngjyrat e një ngjarjeje të veçantë, në Odeonin e Qendrës Historike të Qytetit, me prezencën e grave të profesioneve të ndryshme edhe të përfaqësueseve nga komunitete minoritare, që jetojnë në këtë zonë. "Jam shumë e lumtur që jam sot këtu në qytetin e gjuhëtarit, Eqerem Çabej, shkrimtarit të madh Ismail Kadare e intelektuales Mysine Kokalari, në qytetin e një plejade të shquar intelektuale dhe që gjej një prani kaq të madhe e të mrekullueshme zonjash fisnike, që i janë përgjigjur ftesës për t'u bashkuar në fushatën tonë promovuese të vlerave e kujdesit ndaj gruas", u shpreh Topalli. Ajo theksoi se: "Ftesa ime është që gratë në politikë, të mos hynë në mënyrë artificiale dhe të mos e marrin këtë ftesë si dhuratë. Unë ftoj çdo grua, zonjë dhe vajzë, që ato të hynë në garë dhe të konkurrojnë për të qenë të suksesshme. Unë dëshiroj që shumë gra të jenë lidere në Parlamentin e ardhshëm".