U infektua te dentisti,vdes pacienti nga Puka
zirina llambro
U infektua me hepatitin B tek dentisti dhe nuk qëndroi në jetë më shumë se dy vjet. Kjo është historia e P.Pjetrit nga Puka. Pas trajtimit intensiv në pavijonin e Gastro-hepatologjisë ai nuk mundi t'i rezistojë infeksionit të rrezikshëm. Burime nga ky spital pohuan dje për gazetën, se rreth 4 muaj më parë pacienti ndërroi jetë, pas përkeqësimit të sëmundjes deri në cirozë të mëlçisë. "Dyshimet për marrjen e hepatitit kronik tek dentisti, lindën për shkak të trajtimit të mëparshëm, që kishte marrë ky i sëmurë në pavijonin tonë. Ai ishte kuruar për mëlçinë dhe analizat, që kishte kryer për hepatitin B dhe C kishin rezultuar negative", sqarojnë burime nga pavijoni i Gastro-hepatologjisë. Ata shtojnë, se i sëmuri pas kurimit ishte përmirësuar ndjeshëm dhe rikthimi në spital i habiti të gjithë. "Në këtë moment i ribëmë analizat dhe pacienti doli pozitiv për hepatitin kronik B. Kjo gjë na habiti dhe e pyetëm nëse kishte kryer transfuzion gjaku apo kishte shkuar tek dentisti gjatë kohës kur nuk kish qenë i shtruar", sqarojnë mjekët. Ata nënvizojnë se P.Pjetri mohoi të kishte kryer transfuzion, por pranoi se pas daljes nga spitali kishte shkuar tek një nga dentistët e qytetit të Pukës.
Infektimi
"Ai pohoi se nuk ishte interesuar shumë për sterilizimin e mjeteve në klinikën private, por kushtet nuk ishin dhe aq të mira dhe dentistja për t'i dezinfektuar i ziente mjetet e punës", shprehen gastro-hepatologët. Ata theksojnë se infektimi me virusin e hepatitit tek dentisti ka ardhur si pasojë e sterilizimit jo të mirë të pajisjeve, me të cilat realizohen ndërhyrjet orale. "Virusi i hepatitit nuk ngordh edhe kur mjetet janë sterilizuar me zierje në temperaturën 100 gradë, për të ngordhur ky virus duhet një trysni 160 kalvin ose një temperaturë mbi 180 gradë", sqarojnë mjekët specialistë. Sa i përket P.Pjetrit pas diagnostikimit të sëmundjes ai u përmirësua disi, por rreth 4 muaj më parë, u paraqit në gjendje të rëndë në ambientet e spitalit me metastaza në mëlçi. "Brenda pak ditësh humbi jetën", thanë burimet për gazetën. Bluzat e bardha bënë apel për më shumë kujdes nga ana e qytetarëve, por mbi të gjitha për më shumë përgjegjshmëri nga vetë stomatologët. "Nëse qytetarëve u falet mungesa e informacionit, mjekëve stomatologë jo. Ata e dinë mirë sesi duhet të sterilizohen aparaturat, në mënyrë që të ngordhin viruset e rrezikshme. Ndonëse nuk i jepet shumë rëndësi tek dentisti mund të marrësh edhe Sidën. Prandaj ky shërbim duhet të jetë në çdo rreth të vendit i një cilësie mjaft të lartë", pohojnë gastro-hepatologët. Alarmin për cilësinë e dobët të shërbimit dentar e ngritën disa ditë më parë edhe përfaqësuesit e urdhrit të mjekut. Ata bënë me dije, se nga informacionet që kanë në rrethe ka shumë klinika pa licencë, që nuk plotësojnë kushtet më minimale të higjienës sanitare.
Hepatiti kronik nuk shkatërrohet as në 100 gradë
Rrugët e transmetimit të hepatiteve kronike B dhe C janë disa. Veç kontaktit seksual, transfuzionit të gjakut, capimit të lëkurës, shërbimi jo i mirë dentar mbetet një nga rrugët më të shpeshta të transmetimit të kësaj sëmundje të rrezikshme. "Virusi i hepatitit është një virus që nuk shkatërrohet kollaj. Që të ngordhë ky virus duhet që pajisjet që përdoren për ndërhyrjet e ndryshme stomatologjike të sterilizohen me një trysni deri në 160 kalvin ose një temperaturë jo më të ulët se 180 gradë", sqarojnë mjekët. Duke qenë se në klinikat e ndryshme dentare si shtetërore por edhe private mjetet nuk sterilizohen mirë, risku mbetet tejet i lartë. Shumë prej stomatologëve i sterilizojnë mjetet e punës akoma me zierje, pra temperatura nuk shkon më shumë se 100 gradë. "Në këto kushte virusi nuk ngordh dhe është shumë e lehtë që të kalojë te një tjetër person që mjekon dhëmbin me të njëjtat mjete", pohojnë specialistët.