E Diel, 1 Nëntor 2026

Kursi i ri i Ramës janë traktet, broshurat dhe celulat bolshevike

19-08-2011 / Gazeta 55

Gushti i lakuriqësisë po prodhon kursin e ri politik të Ramës, i cili është i mbushur me trakte, broshura e celula bolshevike, sipas stilit të ÇEKA-s së Leninit. Por galaksia e celulave të gatshme për trazira s’po nxjerr mësime nga falimentimet dyvjeçare, prandaj edhe “kursi i ri” pritet të mos jetë një dështim politik, por thjesht një abort politik

Megjithë gushtin e lakuriqësisë, s’vonojnë të shfaqen përditë provat e sprovat e “kursit të ri” që po tenton të vërë në skenë Edi Rama, ende kryetari në detyrë i opozitës. Pas dy raunde humbjesh, të dyja të certifikuara nga raportet e ndërkombëtarëve, Edi Rama dënoi me vdekje “politikën e re” dhe ka shpallur se në shtator do të nisë zbatimin e “kursit të ri politik”. I parathënë si një kurs paqësor, besueshmëria e tij bie shumë po të analizojmë “provat gjenerale” që njerëzit e Edi Ramës po konsumojnë gjatë gushtit të lakuriqësisë, muajit kur duket se Edvini s’del para syve të publikut, por që nga “clausura” e tij, duket e lëshon pa frena kreativitetin. Trakti i 4 djemve që politikisht marrin urdhra nga shtabi propagandist i Edvinit, ku i thuret ditiramb ëndrrës së kryetarit të tyre, për largimin nga kjo jetë të rivalit që po i zaptonte të gjithë fushën, ishte mjeti i parë i dekonspiruar i “kursit të ri” politik. Por edhe më përpara, broshura në mbrojtje të Piramidës apo një trakt tjetër që bënte thirrje për “çrrënjosje të gjykatave që s’po e luftojnë regjimin e Berishës” ishin ofruar si mjetet që do të përdoreshin nga politikanët edvinistë të “kursit të ri”.
Traktet dhe broshurat janë zanafilla, mjetet themelore që përdoren nga organizatat sekrete që kërkojnë të marrin pushtetin me dhunë. Në manualet e CEKA-s, shërbimit të parë sekret të Leninit, e që u trashëguan më pas edhe tek KGB-ja, këto taktika krijonin atë amalgamën që mbante lidhur anëtarët e organizatave bolshevike. Këto celula organizohen në bazë të një autonomie, e cila i garanton një shefi politik si Edi Rama, që të mos mbajë përgjegjësi, kur të vijë ora e ndërmarrjes së aksioneve që vetë i lartpërmenduri, i artikulon pa u shqetësuar se është duke konsumuar sakrilegjin që e ndan një politikan demokrat nga një bolshevik. Në letrën-lakuriqe të para dy ditëve, Edi Rama evokoi thuajse me dashuri forcën që po shfaqej në trazirat e Londrës, edhe pse e gjithë bota i klasifikoi ato si grumbullime rrugaçërore, të cilat duheshin shtypur pa mëshirë.
Edhe kursi i ri i Edi Ramës po farkëtohet bash me të njëjtat mjete, traktet, broshurat e celulat bolshevike. Mjaft-i, Rinia Aktive, FRESSH-i, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, paneli i ish-presidentëve pleq, e të tjera “ojq” shërbejnë për galaksinë e celulave bolshevike që kohë pas kohe do të marrin protagonizmin e organizimit të “trazirave” që i duhen Edi Ramës për të ndenjur – fillimisht në krye të PS-së, - e më pas edhe për të pretenduar për më tej. Ky kurs i ri ngjan të jetë edhe më i paparashikueshëm sesa “politika e re”, e cila nisi me bilbila e bitisi me grushtin e shtetit të 21 janarit. Ky kurs i ri po nis me ëndrrat e “liderit të opozitës”, për vdekjen e rivalit në qeveri dhe stacioni i radhës është lexueshëm ai i celulave bolshevike. Për momentin, në agjendën e tyre të punës pritet të jetë intimidimi i disidentëve brenda PS-së apo koalicionit opozitar e më pas edhe intimidimi i kongresmenëve të 5 nëntorit. Por këto “detyra të brendshme”, që ngjajnë me letrat e korrierëve, që Enver Hoxha çonte gërxheve, e që sanksiononin eliminimin fizik të antifashistëve që rrezikonin t’i zinin vendin a të artikulonin në çetat e tyre aspiratën për bashkimin kombëtar, s’do të pengojnë qëndrimin bolshevik në Kuvendin e Shqipërisë, i cili do bllokojë miratimin e ligjeve, me shpresë se ky qëndrim apatrid do afrojë edhe më tej atë “situatën revolucionare” që do ta çonte “kursin e ri” tek “grushti i ri i shtetit”. Afërmendsh, kjo këmbëngulje është recidiviste dhe që s’nxjerr mësime nga gabimet, prandaj edhe “kursi i ri” pritet të mos jetë një dështim politik, por thjesht një abort politik.
I.N 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›