KQZ, Olli: PS dhe PBDNJ po bllokojnë zgjedhjet e komunës Shalë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve akuzoi KZAZ-në e komunës Shalë në Shkodër, e cila kryesohet nga anëtarët e opozitës se po pengon qëllimisht zgjedhjet në këtë komunë.
Zëdhënësi i KQZ, Leonard Olli tha se Komisioni me shqetësim ka konstatuar se përgatitjet për zgjedhjet se së dielës në komunën Shalë nuk janë në nivelin dhe parametrat e duhura pasi KZAZ-ja nuk po kryen detyrat e parashikuara në kodin zgjedhor.
“Edhe pse PD-ja dhe LSI-ja kanë prezantuar kandidatët për anëtarë të komisioneve të Qendrave të Votimit, KZAZ-ja nuk ka kryer emërimet e tyre ndërkohë që dy subjektet e tjera PS dhe PBDNJ nuk i kanë paraqitur fare ata”- u shpreh zëdhënësi Olli.
Ai ka shtuar se kjo është një tentativë e pastër që mos të zhvillohen zgjedhjet në komunën Shalë. Baza materiale nuk ka shkuar ende në qendrat e votimit duke kjo sipas tij është tentativë e pastër për të bllokuar Qendrat e Votimit.
“Nëse ndodh atëherë nuk do të zhvillohen zgjedhjet. KQZ-ja nuk do të tolerojë mos zhvillimin e zgjedhjeve në Shalë pasi kjo komunë po mban peng përfundimin e procesit zgjedhor të 8 majit”- ka shtuar Olli.
Ndërkohë i pyetur në lidhje me raportin e OSBE/ODIHR-it, Olli theksoi se një ndër pikat më të forta të raportit është neglizhenca dhe mosrespektimi i ligjit nga subjektet politike. Sipas tij pesha e fajit i ka kaluar KQZ-së ndërkohë që janë partitë politike ato të cilat kanë vonuar në mënyrë të papërgjegjshme zgjedhjet. Ai ka shtuar se KQZ-ja do ta japë mendimin dhe opinion e saj në momentin që zgjedhjet vendore të kenë përfunduar.