“Kursi i ri”, si anakronizëm i një dështaku
Kërkesat dhe “kushtet” e Ramës u ngjajnë sebepeve të atij, që nuk kishte nga t’ia mbante. Rama hyri në politikë si një “liberál” që do të ndryshonte frymën e drejtimit të një partie, që trashëgonte arrogancën e skalioneve kriminale të diktaturës. Mirpo, mëkatarët e atij sistemi ishin aty aq të fuqishëm, sa, në vend të ndryshonin vetë, tjetërsuan liderin. Kështu Rama zbriti në “origjinë” dhe filloi të mbijetonte në një ambient, ku pa që shejtanët nuk mund të shndërroheshin në engjëj. Përkundrazi ! Për t’i bërë për vete, Rama nisi të vepronte si thoshin ata. Ndaj, të gjitha klithmat e tij për rinovime, “përtej së majtës e së djathtës”, si dhe gjithë mallkimet e tij ndaj politikave pararendëse, rezultuan në ca slogane, që i sollën atij dhe PS-së vetëm dështime të njëpasnjëshme. Atëherë “liberali” nxori nga milli “shpatën” dhe, i dëshpëruar, nisi betejën “revolucionare” duke montuar dhunën me rebelimet, pra, “vijën e masave”. Natyrisht, kjo frymë, që tentoi të maskonte me dredhi frymën konfliktuale, përputhej me instinktet rebéle të këtij anarkisti të çartur, ndryshe ky do të qe larguar i lebetitur nga P.S.-ja me kohë. Mirpo njeriu nuk ndryshon brenda ditës dhe nuk pajtohet ai me të keqen pa patur brenda vetes “tharmin” e ambicies për pushtet të dhunshëm, të pamerituar. Nga ana tjetër, taboret e servilëve dhe “beneficet” e pushtetit bënë punën e tyre. Prandaj nuk qe Rama - viktima dhe të privilegjuarit e diktaturës - xhelati. Ata kishin gjetur koka kokën. Lakmitë, ambiciet, arroganca dhe shpirti konfliktual, si dhe ëndrra për pushtet me dhunë flinin brenda Ramës, kurse nostalgjikët e sistemit të “kopaçes” ia nxitën ato. Po Rama tentoi të dukej ndryshe. Se jo më kot e shpalli veten jopolitikan. Jo pa qëllim i dha ai vetes atributet e një misionari. Dhe kjo ishte një taktikë e besueshme për lakmitë e një lideri, që jetonte me ambicien e fitimit të padrejtë. Se, me këtë taktikë të ré Rama u maskua duke u shndërruar nga politikan “aktiv” në një, gjoja, “promete” ëndërrimtar, por që nisi rrugën e konfliktit, duke i besuar taní forcës, që i jepte numri i konsiderueshëm i votuesve socialistë. Ndoshta prandaj nuk ndërtoi as program, as alternativë, por i hodhi njerëzit në aksione “revolucionare”. D.m.th. i ftoi socialistët për greva, bojkote dhe demonstrata, të cilat “mund të dilnin edhe jashtë nga kontrollit”. Mirëpo këto “rebelíme” politike të Ramës, kjo politikë e tij e përplasjes, ra poshtë, siç bien një e nga një gjethet e vjeshtës, kurse Rama, i hallakatur, besoi si Don Kishoti, se do t’i fitonte betejat me “mullinjtë e erës”. Ndaj guxoi t’u kundërvihej, madje, dhe ndërkombëtarëve. “Liberali” pa tabán u përplas brenda Ramës me “anarkistin” revolucionar dhe, në fund, siç dhe pritej, fitoi ky i fundit. Se Rama harroi kohën, injoroi historínë dhe mohoi aspiratat e një populli, që kishte dalë i llahtarisur nga një zhgënjim i tmerrshëm 5O vjeçar. Ndaj humbjet e ndoqën siç ndjek njeriun hija e vet, kurse Rama vazhdoi me mbajtjen “peng” të integrimit duke shpresuar të detyronte mazhorancën dhe miqtë e mëdhenj të Shqipërísë të bënin si thoshte ai. Çudí! Kur ambicia për pushtet u bashkoka me verbërínë e një ëndrre të dështuar, prodhoka arroganca primitive dhe alibí absurde, që e shpukan autorin në humbje të pashmangshme.
Ndaj dhe “kursi i rí” i Ramës nuk është veçse një lloj zgjimi i tij nga një ëndërr e frikshme, së cilës edhe ai vetë nuk i ka qëndruar besnik. Tani Rama po i ngjan atij djalit të llastuar të një pasaniku, që kërcënonte të jatin se do të hidhej nga ballkoni, nëse ky nuk i jepte një napolon floriri çdo mëngjes. Ngaqë, ndonëse e di se kthimi i tij në parlament është alfa e detyrimit ndaj votuesve, përsërí kërkon “haraç” që po i lejon deputetët e tij të hyjnë në kuvend. Madje, vë dhe “kushte” për t’i komanduar të ngrenë kartonat jeshilë, nëse Shqipërísë ata i duhen për miratimin e reformave me shumicë të cilësuar. Megjithatë, mazhoranca, jo vetëm nuk indinjohet nga tékat e këtij të llastuari, por vazhdon ta ftojë atë për bashkëpunim. Mirëpo, revoltimi i Ramës ndaj deputetëve që votuan ligjin për “Kodin rrugor”, tregoi se kokëfortësía e tij për të mos votuar ligjet që kërkojnë 84 vota, nuk është punë sedre formale, as naivitet politik, madje, as tekë drejtuesi, por çoroditje fatale e një dështaku, që nuk po di nga t’ia mbajë. Se, kur mungon vullneti politik për bashkëpunim, nuk është e vështirë të gjenden pretekste, arsye të mos arsyes, shkaqe fiktive, apo sebepe qesharake për të prishur punë. “Kursi i rí” i Ramës synon t’i japë atij kohë deri sa të sajojë ndonjë “krizë” të ré, a “ngërç” të rí, transplantim të filozofisë së “rrugës” në parlament. Por kjo hipokrizi e ré nuk mund të ketë të ardhme. Nuk të duron as elektorati yt të tallesh me aspiratën e tij europiane. Vetëm nëse Rama ka ndër mend të përdorë marifetet e Enver gangsterit, që i hakërrohej Botës duke mbajtur “peng” tre milion shqiptarë. Se dhe “qoftëlargu” e mori më qafë Shqipërínë, duke bindur veten dhe bandën e tij se po i shërbente një ideali njerëzor. Ndërsa “kursi i rí” i Ramës është vazhdim qesharak i një rruge pa krye, që zakonisht e ndjekin me kokëfortësí drejtuesit e paaftë. Se, e keqja e tërheq zvarrë autorin e saj drejt një fundi, nga ku e ka të vështirë pastaj të kthehet pas. Mirpo, as P.S.-ja, as Shqipëría, as dashamirësit e saj nuk do ta pranojnë gjatë lojën e një liliputi, që kërkon me ngulm të marrë pozat e një gjigandi ! Megjithatë, Rama endé i ka të gjitha shanset të lajë mëkatet e rrugëve të gabuara, që ka ndjekur deri sot ! Është turp që “rruga e vetme” të katandiset në sistemin e “pengjeve”. Është e pafalshme që “kursi i rí” të shfaqet si anakronizmi i një dështaku të pashpresë !...