Kursim apo investim?
Në ligjet standarde të makroekonomisë masa e investimit është e barabartë me atë të kursimit. Pra individi mundet të investojë veçse atë që mund të kursejë. Por realisht a investojnë vetëm ata që arrijnë të kursejnë apo investojnë më shumë njerëzit të cilët kanë të ardhura të pakta dhe për të dalë nga rrethi i tyre i varfërisë marrin përsipër peshën e një kredie apo të një borxhi të cilin mendojnë me plot optimizëm se mund ta shlyejnë në të ardhmen më të afërt? Përveç se mes tyre ekziston një lidhje e fortë në fakt ata ndryshojnë në koncept. Kursimi është të vendosësh mënjanë një shumë të caktuar parash dhe investimi është t’i marrësh nga “mënjanë” apo diku dhe t’i vësh në përdorim në funksion të një objektivi të caktuar. Kursimi është një nocion që duhet të njihet përpara investimit, duhet të bëhet pjesë e kulturës së gjithkujt. Të kursesh qoftë edhe minimalisht, pasi masa e të kursyerit është zgjedhje individuale, do të thotë që në momentin e parë që gjendesh i papunë, përballë një situate të vështirë financiare apo shëndetësore që kërkon detyrimisht shpenzime, të paktën nuk do të ndjesh presionin e të mospasurit asnjë qindarkë. Për individë, pikëpamjet e të cilëve shkojnë më larg, kursimi duhet të jetë objektivi parësor që do të ushqejë një investim. Dhe pas kësaj gjithçka lidhet me riskun. Të investosh do të thotë ta realizosh këtë të fundit me një nivel të caktuar risku. Ky i fundit pastaj lidhet me qëllimin e fitimit. Pra një nivel i lartë fitimi kërkon një investim të madh dhe rrjedhimisht një risk të madh. Një investim i vogël sjell një fitim të vogël dhe nuk kërkon një risk po të tillë. Pra në rast të një falimentimi të mundshëm ai që ka investuar dhe riskuar më shumë detyrimisht do të ndiejë peshën e borxhit më shumë se ai që ka vendosur të riskojë më pak. Investimi bëhet zgjedhje zakonisht e dy kategorive të njerëzve: E atyre të cilët kalkulojnë gjithçka deri në humbjen apo fitimin e një qindarke dhe të atyre të cilëve thjesht nuk i mungojnë idetë fillestare dhe paratë dhe vendosin më pas gjithçka në fushën e lojës. Grupit të këtyre të fundit nuk duhet t’u mungojnë dy elementë: fati dhe një staf i mirë për të organizuar punën. Ndërsa grupi i parë është më pak i predispozuar për të pësuar humbje të mëdha duke qenë se është edhe më mirë i informuar dhe gjithçka është e mirë studiuar më parë. Hapat e parë drejt investimit janë minimizimi i shpenzimeve, në të kundërt do ishte i pamundur kursimi. Kursimi duhet të konsiderohet si do faturë tjetër mujore. Ashtu si sigurohemi për të paguar faturën e energjisë elektrike duhet të sigurohemi edhe që një shumë parash çdo muaj të shkojë për kursim. Ky kursim mund t’i vihet në shërbim arsimit të fëmijëve ,pensionit,blerjes së një pasurie të patundshme ose çdo lloj gjëje tjetër në varësi të prioriteteve të gjithsecilit. Makroekonomia vë barazimin mes kursimit dhe investimit duke i vlerësuar në vlerë të barabartë por në fakt është kursimi që i vihet në shërbim investimit, dhe në disa raste jo çdo kursim shkon për investim. Rastet ideale gjithmonë lidhen me vendosjen e kursimeve në një terren që stimulon investimin e shëndetshëm por jo rrallë kursimet mbeten veçse kursime dhe marrin kuptim veçse kur e kërkon nevoja.
...