E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shteti i Pronës së Familjes

“Sa i përket rehatimit të dajëve, normalisht ne si parti politike e vlerësojmë shumë lart familjen se është qeliza e shtetit dhe ai që nuk e respekton familjen nuk e respekton as rrethin dhe askënd tjetër”. Kështu ka deklaruar kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, më 24 dhjetor të vitit që lamë pas, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me bisedat telefonike të tij me kryeministrin Thaçi, ku ky i thotë këtij të fundit t’ia punësojë një dajë që Thaçi ia “ka lënë anash”. Përgjigja e këtillë e Grabovcit është në përputhje të plotë me moton më të re të PDK-së: Familja, Prona, Shteti. Pra, familja është e para kurdo e kudo përfshirë këtu edhe për pozitat më të larta shtetërore. Edhe për vetë kryeministrin, edhe për kryetarin e Grupit Parlamentar të PDK-së, edhe për të gjithë e secilin në këtë parti, në çdo çast e në çdo situatë, njëherë duhet rehatuar familja e pastaj, nëse mbetet kohë dhe energji, eventualisht kalohet edhe te qytetarët e tjerë të këtij vendi. Kjo Familje nuk është e vogël sepse nuk është e ngushtë: aty hyjnë edhe dajët, që më parë i bie edhe kushërinjtë e nënës sesa vetëm vëllezërit e saj. Fjala nepotizëm rrjedh nga fjala latine nepos/nepotis që do të thotë nip. Grabovci e mishëron me saktësi këtë dukuri duke qenë një nip i mirë që interesohet me aq zell për punësimin e dajës së vet. Ai ndërhyn edhe në agjendën e kryeministrit i cili jo vetëm që s’e zmbraps dot këtë kërkesë të nipit Grabovci, por edhe i duhet të shfajësohet para tij duke u përgjigjur që nuk i është thënë ta kryejë këtë punë(sim). Ky nepotizëm par excellence që ka përfshirë edhe kreun e Qeverisë, prej Grabovcit quhet ‘respekt për familjen’. Privilegjet për të afërmit e tyre në llogari të interesit dhe parasë publike, Grabovci dhe të ngjashmit i quajnë veçse respekt. Sjellja e këtillë ështe tipike mafioze. Shërbimet kriminale që i kryen një familje mafioze ndaj tjetrës, ose një anëtar i familjes për një tjetër anëtar të familjes, interpretohen e përjetohen si respekt, përkatësisht si dëshmi e respektit për familjen. Për këtë mendësi nuk ka rëndësi institucioni publik a shtetëror para rëndësisë së familjes. Prandaj, institucioni publik e shtetëror janë, mbi të gjitha e para së gjithash, burime dhe mjete për familjen e kurrsesi qëllime të mbrama. Natyrisht, jo për të gjitha familjet e secilën familje, por për familjet e tyre, për Familjen e tyre. Kësisoj, nepotizmi nuk është më korrupsion – privilegjet për Familjen në kurriz të të drejtave të familjeve të tjera të popullsisë janë respekt! Njerëzit e Familjes arrijnë të tregojnë ‘respekt’ për Familjen e tyre, për dallim prej familjeve të tjera në Kosovë që nuk kanë nip të tyre në regjimin sundues...Shteti i shërben Pronës që i përket Familjes. “Familja, Prona, Shteti” do të thotë që Prona është Pronë e Familjes kurse Shteti është Shtet i Pronës. Familja: sepse nuk lanë familjarë pa punësuar deri te dajët e largët. Madje, pas asaj 'Pronto' dhe ‘Come stai?’ të bisedës Thaçi-Grabovci, Familja, në fakt, është ‘La Famiglia’. Prona: sepse është ajo që përvetësuan nga tenderët, privatizimi ose uzurpimet. Shteti (në fund): sepse kanë nevojë ta mbrojnë dhe shenjtërojnë atë që e vodhën e plaçkitën, pra shteti si mjet për dy të parat pasi që tashmë e kanë kapur shtetin duke e bërë atë shtet të kapur porsi një vegël. Përveç renditjes së këtyre koncepteve të pranishme në këtë parullë, janë edhe konceptet që mungojnë ato që konsistojnë te kuptimi i asaj që kemi në këtë parullë. Askund nuk i kemi Shoqërinë dhe Kombin, por as Qytetarin dhe Individin. Familja, pra jo Shoqëria dhe as Individi. Prona, pra jo Qytetari. Dhe, Shteti, pra jo Kombi. Qytetari dhe Individi, Shoqëria dhe Kombi, duhet të jenë diku në shërbim të këtyre koncepteve të vizionit më të ri të PDK-së. Kushedi, shoqëria dhe kombi, qytetarët dhe secili individ, ndoshta edhe do të mund të zgjedhin se ku do të shërbejnë. Direkt te Familja, te Prona e Familjes ose te Shteti i Pronës. Zaten, me këtë parullë, e gjithë zgjedhja që mund të ofrohet në Kosovë është veçse e këtij lloji.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›