Kursimet e shqiptarëve, vetëm 46% janë të siguruara
Në rast falimentimi të një banke në vend, klienti mund të marrë vetëm 700 mijë lekë nga depozitat e tij, edhe nëse zotëronte mbi këtë shumë. Kjo është norma e lejuar sipas ligjit "Për sigurimin e depozitave" dhe përkon me dyfishin e të ardhurave për frymë ndaj PBB-së. Agjencia e sigurimit të Depozitave në raportin e saj të fundit për vitin 2007 deklaron se totali i depozitave në sistemin bankar është 621 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 18 për qind kundrejt vitit 2006. Nga kjo, kursimet e shqiptarëve rezultojnë 491 miliardë lekë, duke zënë një peshë prej 79 për qind kundrejt totalit të depozitave. Sipas drejtoreshës së ASD-së, Silvana Sejko, nga kjo shumë të siguruara janë 224 miliardë lekë, ose vetëm 46 për qind e kursimeve të siguruara nga bankat pranë këtij institucioni. Sejko ka sqaruar për gazetën se si qëndron e vërteta e sigurimit të depozitave, përfshi dhe shumën 700 mijë lekë, e cila në plan të parë duket tepër e vogël. Sipas saj, kjo normë është vendosur duke iu referuar legjislacionit perëndimor dhe të ardhurës për frymë në PBB. "Shuma në fjalë i referohet vetëm një depozite që mund të ketë individi. Nëse zotëron kursime në të 17 bankat, për çdo bankë i sigurohet deri në 700 mijë lekë", thotë Sejko. Në këtë mënyrë, një individi, për t‘i pasur sa më të sigurta kursimet e tij, i duhet të depozitojë aq sa mundet në sa më shumë banka. Sipas saj, nga shumat deri në 350 mijë lekë, banka të siguron në masën 100 për qind, ndërsa nga kjo shumë e deri në 700 mijë lekë, të siguron 85 për qind të saj. Praktikisht, sipas ASD-së, të siguruara nga shuma totale rezultojnë vetëm rreth 600 mijë lekë. "Për çdo bankë të siguruar, primi vjetor i sigurimit të depozitës është 0,5 për qind e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, të regjistruara në fund të çdo dite pune për tre muajt e fundit të vitit të kaluar", thotë drejtoresha e ASD. Këtë parim të pagueshëm nga bankat e siguruara, ASD mund ta ulë deri në 0,1 për qind, vetëm në rast se mjetet financiare të saj do të jenë më pak se 5 për qind e mesatares së këtyre depozitave. Ky raport aktualisht është 2,2 për qind, nga 1,9 për qind që ishte në vitin 2006. Numri i bankave të siguruara nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave në fund të vitit 2007 ka qenë 17, ku një pjesë janë shqiptare e një pjesë të huaja. Ndryshe nga viti i kaluar, për këtë vit në treg do të operojnë jo më 17 banka, por 16 banka, si rrjedhojë e bashkimit të kapitaleve mes dy bankave me kapital të huaj.