Tregtia e jashtme, eksportet ua kalojnë importeve
Niveli i eksporteve për muajin mars 2008 regjistroi rritje me 10% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa importet kanë njohur rritje vetëm me 0,7%. INSTAT ka publikuar dje bilancin e tregtisë së jashtme për muajin mars 2008 dhe situatën në përgjithësi me deficitin tregtar, i cili gjithsesi shënon rritje me rreth 250 milionë dollarë. Kështu, në muajin mars të vitit 2008 u eksportuan rreth 100 milionë dollarë mallra, me rritje 5% në krahasim me muajin shkurt të 2008, ndërsa importet shënuan rreth 350 milionë dollarë mallra, me rritje 5.5%. Në këtë mënyrë, deficiti tregtar i këtij muaji shënoi ulje prej 0.9%, krahasuar me muajin paraardhës dhe një rritje prej 3.7% krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007. Si gjithnjë, tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri vendin kryesor me 67,8%. Partnerët kryesorë tregtarë vazhdojnë të jenë Italia dhe Greqia, ku respektivisht eksportet janë 68.1% dhe 9.3%. Në muajin mars 2008, importi i mallrave me akcizë arriti vlerën e 40 milionë dollarëve, duke zënë 11% ndaj totalit të importit. Krahasuar me shkurtin e 2008, importi i mallrave me akcizë ka pasur rritje prej 21.1%. Peshën më të madhe të këtyre mallrave e zënë nënproduktet e naftës 67.4%.