E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: 14 janari, epokë e re për shqiptarët

Udhëheqësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti ka paralajmëruar se aksioni për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë më 14 janar do të jetë paqësor. Në një tubim që ka mbajtur me qytetarë në sallën e kinemasë në Podujevë, Kurti ka thënë se Beogradin e ka kapur paniku për aksionin e “Vetëvendosjes” për reciprocitet të plotë politik, ekonomik e tregtar. “Më 14 janar do të jemi plotësisht paqësorë e të pa dhunshëm. Nuk do të gjuajmë gurë e as shishe.
Por do të fillojmë të zbatojmë një vendim që është më i rëndësishmi që e ka nxjerrë Kuvendi i Kosovës”, ka thënë Kurti. Lideri i “Vetëvendosjes” ka theksuar se nuk mund të ketë prodhim vendor në Kosovë pa e bllokuar Serbinë.
 

E pa e ndalur Serbinë ekonomikisht, sipas tij, nuk do të mund të bëhet Kosova politikisht sovrane. Sipas tij, okupimin e dikurshëm me ushtri, polici e në mënyrë institucionale dhe politike, Serbia tashti e ka zëvendësuar me okupim ekonomik e tregtar, “përveç asaj që edhe çerekun e territorit ende e kontrollon me struktura ilegale, kriminale e armiqësore”.
“Pra, ajo (Serbia) po i sjell mallrat e veta këtu, qytetarët e varfër të Kosovës po i blejnë ato. Dhe kësisoj prej Kosovës si tokë e djegur po na shndërron në treg të konsumatorëve dhe mallrave të saj. Këtë duhet ta ndërpresim. Vetëm atëherë do të bëhemi plotësisht të pavarur e sovran, atëherë kur do të jemi të pavarur edhe në aspektin ekonomik e tregtar prej Serbisë”, ka theksuar Kurti. Udhëheqësi i Lëvizjes “Vëtevendosje” ka thënë se Serbia dërgon çdo javë nga një zyrtar të vetin në Kosovë dhe i ndërsen serbët e Kosovës kundër pavarësisë së Kosovës dhe kundër shqiptarëve.
 

“Më 14 janar angazhohemi që të fillojë një epokë e re në Kosovë. Që t`ia marrim pushtetin Serbisë në Kosovë. E ky pushtet është politik, ekonomik e tregtar. Fatkeqësisht, Qeveria e Kosovës nuk po do ta forcojë shtetin tonë. Pushteti në Kosovë është i fuqishëm duke e mbajtur shtetin e dobët, duke ia mbajt kufijtë e dobët, buxhetin e dobët e të varfër që po ia keqpërdorin, po manipulojnë me tendera, kontrata të dëmshme, po ia shesin pasuritë, etj”.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›