E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: Hajnët të ikin nga qeveria, po shesin territorin e Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar dje një protestë paqësore me moton Kundër vjedhjes, duke akuzuar qeveritarët se po shesin territorin e Kosovës. Albin Kurti, kreu i lëvizjes, tha se shteti duhet të lirohet nga pushteti aktual dhe hajnët. Në mënyrë simbolike Kurti kishte nxjerrë xhepat e tij jashtë pantallonave për të treguar varfërinë e qytetarëve nga vjedhjet e pushtetarëve. Veç të tjerash ai tha se shqiptarët duhet ti ndërpresin bisedimet me Serbinë. Lideri i Vetëvendosjes tha se nëpërmjet negociatave në Bruksel është duke u vjedhur territori i Kosovës. Qeveria e Kosovës shkon në bisedime sepse është korruptuar dhe e ka bishtin e zënë, tha ai. Sipas tij, në Kosovë vjedhja është e trefishtë, duke përfshirë këtu tenderët dhe manipulimin me to. Protestues, përkrahës dhe anëtarë të lëvizjes Vetëvendosje, gjatë protestës, po ashtu kanë brohoritur: Poshtë hajnët!. Protesta ka përfunduar e qetë dhe pa asnjë incident. Para se të shpërndaheshin, protestuesit kanë bërë spastrimin e qytetit, kanë larguar çdo mbetje nga rruga e trotuaret nga ku ata kaluan, duke e lënë qytetin edhe më të pastër sesa që e gjetën para protestës. Protesta, që nisi në hapësirat para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë në orën dymbëdhjetë, bashkoi mijëra qytetarë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›