E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Kryeministri Thaçi, jo serioz për ndërhyrjet në Veri

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje ka kundërshtuar mënyrën se si kryeministri Hashim Thaçi, ka vepruar me aksionin në veri të Kosovës më 25 korrik. Ai gjatë një interviste dhënë “Radios Evropa e Lirë”, tha se kreu i qeverisë nuk ishte serioz në këtë ndërhyje pasi nuk ka pasur plan konkret.
 

“Mendoj se kryeministri Thaçi nuk ishte as serioz, e as i sinqertë për ndërmarrjen në veri. Nuk ishte serioz sepse ai nuk pati një plan me shumë hapa, por vetëm një hap pa plan. Në vend të një plani strategjik shtetëror, ai e bëri vetëm një hap taktik qeveritar. Me këtë mënyrën e tij, kryeministri Thaçi po fiton kohë për pushtetin e tij dhe ne po humbim hapësirë për shtetin tonë”, është shprehur Kurti. Ndër të tjera ai ka theksuar se policia e Kosovës tregoi gatishmëri, aftësi dhe vullnet të jashtëzakonshëm për të vepruar në veri, por qeveria nuk dëshmoi as aftësi, as gatishmëri dhe as vullnet për t`iu përgjigjur Policisë së Kosovës. Ai ka folur edhe për vazhdimin e dialogut, ndërsa ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të këtij procesi.
 

“Mendoj që menjëherë duhet të ndërpriten përfundimisht dhe zyrtarisht bisedimet me Serbinë, sepse bisedimet pa kushte me Serbinë janë bisedime të padrejta dhe joparimore, nga të cilat fiton Serbia, dhe në vend të kësaj, duhet që Qeveria e Kosovës t`i aktivizojë të gjitha resurset, instrumentet, mekanizmat shtetërorë, që ta shtrijë sovranitetin, integritetin e kufijve dhe integritetin territorial në veri të Kosovës”, vijon kreu i “Vetëvendosjes”.
 

Sipas tij, Kosova duhet t`i kthehet vetes si shtet, si shoqëri, në mënyrë që të bëhet ashtu siç është shpallur, e pavarur dhe sovrane.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›