E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti: Pazargjinjtë po e udhëheqin Kosovën

Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka thënë se ajo që po ndodh aktualisht me negociatat me Serbinë është një lloj pazari të cilin politikanët tanë po e zhvillojnë për të përmbushur interesat e shtetit armik të Kosovës, Serbisë.

“Ne këtu jemi të flasim për negociata që po e vëjnë në pazar Kosovën, sepse kemi pazarxhinj që e udhëheqin Kosovën, e të cilët edhe do ta shesin të tërën deri në fund të udhëheqjes”, ka thënë ai, duke shpjeguar se si negociatat që po zhvillohen e kanë për temë Kosovën, derisa po bëhen për interes të Serbisë.

Kurti shtoi se me dialogun teknik, fillimisht të udhëhequr nga Edita Tahiri, Serbia e fitoi statusin e vendit kandidat, ndërkaq me dialogun politik që po e udhëheq Thaçi, ajo do ta fitojë datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE, raporton koha.

“Përderisa është hera e parë që Serbia varet nga Kosova për anëtarësim në BE, qeveria jonë në vend se ta kushtëzojë Serbinë, ajo po i vihet në shërbim interesave të saj, duke ja plotësuar kështu kriteret për integrim euroatlantik”, ka thënë Kurti.

Duke folur për veriun e Kosovës ai tha se Lëvizja Vetëvendosje! beson se mund të integrohet veriu dhe të bashkohet Mitrovica, por për këtë duhet vullnet dhe program, që këta qeveritarë nuk e kanë.

Ndërkaq para të pranishmëve në këtë tribunë Kurti prezantoi 13 pikat për integrimin e veriut, pika këto që janë prezantuar për herë ta parë në vitin 2008.

“Janë dy momente të cilat e sjellin Kosovën nga pozicioni defensivë në ofensivë, njëra është ndalja e bisedimeve dhe tjetra është bllokimi i produkteve të Serbisë. Nëse i aplikojmë këto dyja mund ta zbatojmë edhe planin 13 pikësh për integrimin e veriut”, është shprehur Kurti, i cili tha se zbatimi i këtyre pikave është e vetmja artelnativ e cila do ta shpëtonte nga ndarja këtë pjesë të vendit.

Këto deklarata ai i ka bërë në një tribunë të mbajtur me qytetarët e Gjilanit nga Lëvizja Vetëvendosje! me temë “Ndalja e negociatave të cilat po na ndalin zhvillimin shtetëror, shoqëror dhe ekonomik”./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›