E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: Përgjegjësinë e plotë për bisedimet e mban Thaçi

PRISHTINË- Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti në një konferencë për mediat kosovare , ka folur për raportimin që zv/kryeministrja Edita Tahiri ka bërë në Komisionin Parlamentar për Punë të Jashtme të premten.
Kurti mendon se përgjegjësinë për bisedimet me Serbinë de mban kryeministri Thaçi. Kosova sipas Kurtit fiton në këto bisedime vetëm nëse i ndërpren ato.

Kurti sot ka folur edhe për aspekte të tjera të këtyre bisedimeve, siç është Lugina e Preshevës, librat kadastral, si dhe për mungesën e transparencës për këto bisedime.Sipas Kurtit, negociatorja Tahiri e pranoi që bisedimet në Bruksel ajo i quan “dialog teknik midis Kosovës e Serbisë”, mirëpo Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në këto bisedime i quan ato “dialog midis Kosovës e Serbisë”. Pra, BE-ja nuk i quan ‘dialog teknik’ por vetëm ‘dialog’.

“Territori i çështjeve të diskutuara në Bruksel është gjithnjë Kosova dhe vetëm Kosova. Diskutimet për temat e si regjistrat gjendjes civile, librat, kadastralë energjia apo telekomunikacioni i janë referuar territorit të Kosovës dhe vetëm atij. Prandaj, në bisedimet në Bruksel qartazi po negociohet me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës”,- tha Kurti.

“Zëvendës kryeministrja Tahiri e pranoi që ka afrim të qëndrimeve me Serbinë sa i përket çështjes së regjistrave civilë, pra librave të amzës, dhe energjisë, por jo edhe telekomunikacionit. Ajo tha që i ka kërkuar origjinalet e regjistrave të gjendjes civile por gjithashtu e konfirmoi gatishmërinë e saj që t’i marrë edhe kopjet e këtyre regjistrave. Pra, ky është kompromisi i parë që rrezikon të bëhet marrëveshje dhe të nënshkruhet në raundin e ardhshëm të bisedimeve”,- theksoi lideri i VV.

Kurti në vazhdim tha se:- “në pyetjen time se si janë përcaktuar këto tema të bisedimeve dhe renditja e tyre, ajo tha që kjo gjë është bërë përgjatë takimeve që ka pasur këshilltari i Baroneshës Ashton, Robert Cooper me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me kryetarin e Serbisë, Boris Tadic, duke filluar nga shtatori i vitit të kaluar në kuadër të përgatitjeve për këto bisedime. Takimet Cooper-Thaçi dhe Cooper-Tadic e kanë sjellë këtë agjendë që ende s’është plotësisht publike. Pra, përgjegjësinë e plotë për agjendën, sajimin e kontekstit të bisedimeve dhe renditjen e temave aty e mban kryeministri Thaçi dhe ai do të duhej që të japë llogari se çfarë ka biseduar dhe si ka rërë dakort me Robert Cooperin për këto tema”.

“Duke u përgjigur në pyetjet e mia, zëvendës kryeministrja Edita Tahiri tha që në bisedimet në Bruksel nuk do të flitet për kërkim-faljen e Serbisë, për ndryshimin e kushtetutës së Serbisë në të cilën shkruan që Kosova është pjesë e Serbisë, për Luginën e Preshevës dhe as për dorëzimin e kriminelëve serbë autoriteteve të Kosovës meqenëse këto, sipas saj, janë çështje politike dhe jo teknike. Ndërkaq, për çështjen e dëmeve të luftës dhe të të pagjeturve, ajo tha se këtyre ende nuk iu ka ardhur radha, ndonëse dihet që ato duhet të jenë çështjet me prioritetin më të lartë sepse kanë rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës. Gjithashtu znj Tahiri deklaroi që nëpërmjet këtij dialogu synohet që Serbia të tërhiqet nga veriu i Kosovës”, ka perfunduar Kurti.

(e.m/koha/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›