E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kurti: S’mund të ketë “Ballkan të Hapur” nëse nuk janë të përfshira të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor

“Nuk mund të ketë Ballkan të Hapur nëse nuk janë të përfshira të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor”, kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një ditë pas mbajtjes së samitit në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Komentet Kurti i bëri ndërsa po lanconte shërbimet e reja elektronike në portalin e-Kosova. Sipas kryeministrit të Kosovës, gatishmëria dhe interesimi për bashkëpunim rajonal shprehet në “Mbështetjen e Kosovës për Procesin e Berlinit”.

“Në këtë bashkëpunim ne duam të kemi barazi të palëve që e gjejmë në Procesin e Berlinit. Nuk besojmë në vetëmjaftueshmërinë e Ballkanit. Ka shtete që nuk e kanë dënuar dhe nuk kanë dhënë sanksione ndaj Rusisë, për luftën në Ukrainë. Kemi shtete si puna e fqinjit tonë veriore që është nga ana ruse. Për të pasur ‘Ballkan të Hapur’ Serbia duhet të hapet ndaj Kosovës. Ju e dini që Serbia nuk e njeh pasaportën e Kosovës dhe as kartën e identitetit. Për të pasur ‘Ballkan të  Hapur’ le të hapet Serbia për Kosovën dhe le të mbyllet për Federatën Ruse. …Bashkimi Evropian është fati ynë dhe Evropa është kontinenti ynë”, u shpreh ai.

I pyetur për marrdhëniet Kosovë-Shqipëri, Kurti i cilësoi ato si të shkëlqyera.

“Ndërkaq me Shqipërinë kemi marrëdhënie të shkëlqyera dhe pas dy javëve kemi një mbledhje të përbashkët të dy qeverive”, tha ai.

Ditën e nesërme (10 qershor), në Kosovë do të jetë për një vizitë kancelari gjerman, Olaf Scholz, lajm që Kurti e cilësoi të mirë “për një lloj freskimi për procesin e Berlinit”.

Ditën e djeshme (8 qershor), në Ohër të Maqedonisë së Veriut u zhvillua samiti i radhës i “Ballkanit të Hapur”, ku ndryshe nga herët e kaluara, të pranishëm ishin edhe Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina. Dy vendet deklaruan se do t’i bashkohen shumë shpejt nismës rajonale, ndërsa Kosova mbete i vetmi vend që ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›