E Diel, 1 Nëntor 2026

Kurti: Të hënën me 27 shkurt do të mbajmë një demonstratë paqësore

(E plotësuar) Drejtues të Lëvizjes “Vetëvendosje”, në një konferencë për media të mbajtur të premten, kanë bërë të ditur se në shenjë pakënaqësie ndaj marrëveshjes së arritur në Bruksel ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë lidhur me mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale dhe menaxhimin e integruar të kufirit, të hënën më 27 shkurt, duke filluar nga ora 12:00, në sheshin “Nëna Terezë” dhe para qeverisë së Kosovë, do të organizojnë protestë gjithë popullore.

Po ashtu bëhet e ditur se demonstrata do të zgjatë 4 orë dhe se, sipas tyre, gjatë kësaj kohe ata do ta pezullojnë punën e qeverisë.

Lideri i kësaj Lëvizje, po ashtu, ka bërë të ditur se protesta e së hënës nuk do të jetë e fundit dhe se ajo do të vazhdojnë deri në kthimin e Republikës.

“Të hënën, më 27 shkurt, duke filluar nga ora 12:00 në sheshin “Nëna Terezë” dhe para Qeverisë së Kosovës do të mbajmë një demonstratë paqësore. Kjo demonstratë e parë do të zgjatë 4 orë dhe do ta pezullojë për katër orë punën e kësaj qeverie që po na e pezullon shtetin dhe pavarësinë”, ka thënë ai.

Kurti, marrëveshjen e arritur në Bruksel ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë e ka quajtur si qëndrim personal të kryeministrit të Kosovës, i cili pa diskutim të Qeverisë dhe pa vendim të Kuvendit u shndërruar në marrëveshje me Serbinë.

Sipas tij, me këtë marrëveshje, 4 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosovës përsëri po i bëhet statusi i pa përcaktuar, madje ka shtuar se dialogu i Brukselit 2011-2012, Kosovën po e kthen në negociatat e Vjenës të vitit 2006-2007, madje, sipas tij, situata është bërë edhe ma e komplikuar, pasi që tashmë është hequr edhe fjala Republikë.

“Me këtë marrëveshje, 4 vjet pas shpalljes së pavarësisë Kosovës përsëri po i bëhet statusi i pa përcaktuar. Përsëri për Kosovën e paqartë po legjitimohen dy palët, vetë Kosova por edhe Serbia. Dialogu i Brukselit 2011-2012, po na kthen te negociatat e Vjenës 2006-2007, madje është edhe më keq se kaq, sepse tashmë është hequr fjala Republikë nga emri ynë, statusi bëhet i papërcaktuar në kuptimin që nuk dihet se çka do të jetë, porse dihet se nuk do të jetë republika meqë atë e hoqën paraprakisht. Rezultati i e dialogut në Bruksel janë realizim i kërkesave të Serbisë. Serbia tashmë nuk po ia arrin qëllimit të saj për kundër kryeministrit të Kosovës, por nëpërmjet tij, sepse ai po e konsideron pushtetin e tij më të rëndësishëm se sa shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa, anëtari tjetër i kësaj Lëvizjeje, Visar Ymeri, ka bërë të ditur se deri me tani kanë arritur t’i mbledhin vetëm 15 nënshkrime të deputetëve për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme të Kuvendit për të diskutuar lidhur me marrëveshjen e arritur për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.

“Ne dje përmes grupit parlamentar kemi filluar grumbullimin e nënshkrimeve individuale të deputetëve të cilët po e nënshkruajnë një tekst të cilën mendojmë të mbajmë seancë të jashtëzakonshme në të cilin do të diskutonim dhe do ta kundërshtonim marrëveshjen për denominimin, siç po quhet të Kosovës në nismat rajonale”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse nuk arrijnë deri nesër të mbledhin nënshkrimet e duhura nga ana e deputetëve për seancën e jashtëzakonshme, do të fillojnë të mbledhin nënshkrimet e qytetarëve.

Të rikujotjmë se marrëveshja për mënyrën e përfaqësimit të Kosovës në forumet rajonale dhe menaxhimin e integruar të kufirit është arritur sot, pas negociatave të tri ditore mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë. Marrëveshja parasheh që përfaqësimi i Kosovës në nismat rajonale të bëhet me anë të fusnotës, të cilën e përbën rezoluta 1244 dhe mendimi i GJND-së, mbi deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. /kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›