E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti e Ahmeti vizitë në Bruksel

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe nënkryetari i parë, Shpend Ahmeti, po qëndrojnë në një vizitë dyditore në Bruksel. Gjatë qëndrimit të tyre në Bruksel, Kurti dhe Ahmeti po takohen me zyrtarë të institucioneve të Bashkimit Evropian si dhe zyrtarë të shtetit belg, ku temë e takimeve janë situata politike në Kosovë dhe rajon, bashkëpunimi në mes të Kosovës, BE-së dhe Belgjikës, si dhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me sfidat politike dhe socio-ekonomike të Kosovës.

Gjatë ditës së parë të vizitës, drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje zhvilluan katër takime të veçanta, që të gjitha shumë miqësore e të vlefshme me deputetë të Parlamentit Evropian, përfaqësues të Delegacionit për marrëdhënie me Shqipërinë, Kosovën, Bosnje Herzegovinën, Malin e zi dhe Serbinë: Eduard Kukan (eurodeputet, kryetar i delegacionit), Tanja Fajon (eurodeputete, raportuese për liberalizimin e vizave në Ballkanin perëndimor), dhe Ulrike Lunacek (eurodeputete, raportuese për Republikën e Kosovës), thuhet pos tjerash në një kumtesë të publikuar në faqen elektronike të kësaj kësaj Lëvizje.

Gjatë këtyre takimeve, Kurti dhe Ahmeti shpalosën idetë e Lëvizjes Vetëvendosje mbi bërjen e shtetit të Kosovës, shtet të së drejtës dhe shtet të zhvillimit, ndërsa edhe dëgjuan nga eurodeputetët qëndrimet e tyre mbi zhvillimet e fundit në Kosovë.

Eurodeputetët u njohën me shqetësimet dhe kundërshtimin e Lëvizjes Vetëvendosje me marrëveshjen e fundit të kryeministrit të Republikës së Kosovës të arritur me Serbinë mbi përfaqësimin e degraduar të Republikës së Kosovës me fusnotë si dhe për koncesionet e vazhdueshme që kjo qeveri po ia bën Serbisë.

Eurodeputetët, zyrtarët e qeverisë së Belgjikës dhe drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje u pajtuan që edhe në të ardhmen të zhvillojnë takime dhe diskutime të tilla dhe të mirëmbajnë një komunikim të rregullt.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›