E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurti në Krushë të Madhe

Në një tubim të Lëvizjes Vetëvendosje! në Rahovec, Kryetari i kësaj Lëvizjeje, Albin Kurti, foli për situatën aktuale politike dhe për problemet në të cilat po kalon Kosova. “Lëvizja Vetëvendosje! është e bindur se duhet t’i angazhojmë e mobilizojmë sa më shumë qytetarët e Kosovës, sepse shpresa e këtij vendi janë njerëzit e këtij vendi, është populli i këtij vendi dhe jo Qeveria, e cila për të mos ua hapur dosjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit po lëshon pe në dialogun e Brukselit, ku Kosova është edhe palë edhe temë, me ç’rast kushtet që është dashur t’i vihen Serbisë nuk janë as tema të bisedimeve”, ka thënë Kurti.

Ai ndër të tjera i përkujtoi edhe dy prej tezave themelore shumë aktuale të filozofit, mendimtarit, politikanit e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hotit. E para, “Serbia mund ta paramendojë e ndoshta edhe ta pranojë lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, ajo nuk mund ta imagjinojë barazinë me Kosovën dhe shqiptarët”. Dhe e dyta, “Në Evropën e bashkuar, shqiptarët nuk kanë se çka kërkojnë të ndarë. Guri i provës së BE-së është bashkimi i shqiptarëve në një shtet”.

Ndërkaq Dërvish Çadraku, ish-asambleist i PDK-së, që tani përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje! në Kuvendin Komunal të Rahovecit, tha se Kosova e sotme nuk është ajo që e kemi menduar dhe ajo që e dëshirojmë të gjithë. “Gjendja ekonomike dhe sociale është e rëndë dhe pa shpresa që mund të përmirësohet nga kjo udhëheqje që e kemi sot. Ne duhet t’i bashkojmë forcat rreth këtij programi që na i realizon interesat kombëtare dhe që na e rrit mirëqenien qytetare”, u shpreh Çardaku.

Të pranishmit në fund i përshëndeti deputeti dhe vëllai i Ukshin Hotit, Afrim Hoti./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›