Kurti ofron emrat e familjarëve të ministrave në ambasada

(E plotësuar) Kryetari i Lëvizjes vetëvendosje! Albin Kurti, në pyetjet që i ka bërë ministrit Enver Hoxhaj, ka përmendur me emra punësimet në baza familjare.
“Si është e mundur që të shpallni konkurs para dy vitesh për staf diplomatik e konsullor, të testoni e intervistoni njerëz dhe në fund punësoni sipas miqësive që keni , me ç’rast keni graduar në mënyrë të paligjshme brenda stafit të shërbimit të jashtëm, si p.sh. Edon Canën, ish këshilltarin dhe dhëndrin e ministres Vlora Çitaku Konsull të Përgjithshëm në Strasburg me gradë ministër këshilltar pa u mbledhur fare Komisioni për Grada?”, ka pyetur Kurti.
Ai ka përmendur edhe 10 emra të tjerë.
“Përveç kësaj, në MPJ janë punësuar zyrtarë të tjerë dhe pasi ata kanë mbushur tre muaj ju keni shpallur konkurs. Ja disa emra të tillë në mesin e të cilëve ka edhe aso që ju përkasin anëtarëve të ngushtë të familjeve të ministrave të tjerë: Bubulina Krasniqi, Valdrin Grainca, Fuad Morina, Blerim Xhemajli, Xhelal Shaqiri, Zenel Gashi, Blerina Pula-Borovci, Armend Xhemali, Egzon Demiri, Burim Gashi. Mandej, p.sh. Fuad Morina, është punësuar, ka punuar 3 muaj dhe mandej është graduar e dërguar në Riad, drejt e në pozitën e Sekretarit të Parë”, ka thënë ai.
----
Me akuza e kundër akuza është zhvilluar sot mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme e Kuvendit të Kosovës.
Deri sa ministri i punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka raportuar lidhur me aktivitete e MPJ-së. Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme, Albin Kurti ka akuzuar ministrin Hoxha për familjarizim nëpër ambasadat, duke ia përmendur kështu disa emra ministrit Hoxha.
Por, anëtari më i ri i Komisionit nga radhët e PDK-së, Berat Buzhala, ka kërkuar nga Kurti, që të jetë më transparent kur përmend emra të punësuarve në ambasada. Ai ka kërkuar nga Kurti që mos të harron pa përmendur edhe emrat e Urtak dhe Muhamet Hamitin. Deri sa deputeti i PDK-së, ka përmendur këta emra në prezencën e bashkëfamiljarit të tyre, Sabri Hamitit, ish kreu i MPJ-së, Skënder Hyseni e ka lëshuar mbledhjen e Komisionit.
Ndërkohë, Enver Hoxhaj ka folur edhe rreth njohjeve të reja. Ai ka premtuar se brenda tre muajve Kosovën do ta njohin 5 deri në 7 shtete.
Ai po ashtu ka thënë se i dinë edhe datat se kur do t’i vijnë shtetit të Kosovës këto njohje, megjithatë nuk ka dashur të tregojë.
E, ministrit Hoxha nga anëtaret e Komisionit i janë bërë rreth 70 pyetje. /Indeksonline/