Kurtishi, “vrasësi” i portierëve

Shkup- Edhe një futbollist shqiptar nga Kumanova është duke luajtur me sukses të madh në futbollin austriak. Pas Emin Sulejmanit (SV Ried), Mensur Kurtishi (25 mars 1986) është një futbollist tjetër i talentuar i cili hapat e parë në fushën e futbollit i ka filluar në moshën 13 vjecare në skuadrën shumë të njohur austriake Rapid Vien. Në sezonin 2005/06 Kurtishi me Rapid Vienën ka marrë pjesë në Ligën e Kampionëve, por meqë skuadra e tij pati ballafaqime të vështira me ekipe si Juventusi, Bajerni e Brizhi nuk është aktivizuar. Futbollisti kumanovar në sezonin e kaluar nga Rapid Am. i Vjenës u transferua në ekipin e Parndorfit, ku firmosi kontratë 2 vjecare, ndërsa në fund të këtij kampionati falë 15 golave të tij siguruan mbetjen në ligë.
"Jam shumë i kënaqur me paraqitjet e mia në skuadrën e re që debutoi në ligë të dytë. Në 26 ndeshje kam shënuar 15 gola, madje mund të them se golat e mi kanë qenë vendimtarë për të siguruar ekzistencën. Në muajin mars kam qenë i zgjedhur edhe lojtar më i mirë i muajit. Tani ne kemi përvojë njëvjecare dhe në kampionatin e ri në renditjen e përgjithshme synojmë tre vendet e para", është shprehur golashënuesi më i mirë i Parndorfit, Mensur Kurtishi.
Ai thotë se pas paraqitjeve të mira në fanellën e Parndorfit është vënë në shënjestër të disa skuadrave të Ligës së Parë, ndërsa më të vendosur janë drejtuesit e Altac-it.
"Dëshira imë është që unë të luaj në Bundesligën e Austrisë. Janë tri skuadra që interesohen për mua. Shturmi i Gracit, Altaci dhe Rapidi, (te kjo e fundit kam luajtur edhe më herët), ndërsa më këmbëngulës janë drejtuesit e Altacit. Tani kanë mbetur të merren vesh të dy skuadrat për dëmshpërblimin tim, sepse unë kam edhe një vit kontratë me Parndorfin. Ndërkohë ofertë serioze më ka ardhur nga Salzburg Am. të cilët tani kanë hyrë në ligën e dytë, por Parndorfi nuk dëshiron të dëgjojë për këtë, pasi jemi konkurrent i njëri-tjetrit", shpjegon ai.
Kurtishi thotë se ka edhe oferta nga përfaqësuesja e U-21 të Austrisë, ndërsa drejtuesit e Federatës së Futbollit të Austrisë i kanë premtuar që së shpejti të pajiset me pasaportë të këtij vendi.
"Pres që shumë shpejt të marrë shtetësinë e Austrisë. Kështu më kanë thënë nga Federata e Futbollit, që unë të kem të drejtën të zhvillojë ndeshje futbolli edhe për U-21 të Austrisë. Interesimi i tyre është shumë i madh", tha Kurtishi.
Ndryshe, Mensur Kurtishi në vendlindje do të qëndrojë deri të dielën, ndërsa prej 18 qershorit do t'i bashkohet skuadrës së tij Parndorf në përgatitjet për sezonin e ri të futbollit.
Ka dëshirë të luaj nën flamurin kuqezi
I pyetur nga "Koha" se tani kur po afrohet pavarësia e Kosovës, cilën përfaqësuese do ta kishte zgjedhur, Shqipërinë ose Kosovën, Kurtishi tha: "A do të jetë Shqipëria ose Kosova, ko për mua nuk ka shumë rëndësi. Dëshira ime është që të luaj nën flamurin kuqezi. Unë kam pasur oferta nga përfaqësues të U-21 të Shqipërisë, të cilët më janë paraqitur, por më vonë nuk di c'ndodhi".
Vdekja e babait e ka tronditur shumë
Vdekja e babait në muajin mars e ka tronditur shumë Kurtishin. Ndërkohë derisa ai ishte në shtëpi skuadra e tij, Parndorf kishte humbur ndeshjen kundër Hartbergut (1:0), kurse trajneri Kurt Gerger e lut që të vijë të luaj në derbin me Admirën.
"Pas vdekjes së babait tim erdha në Kumanovë, por trajneri nuk më la të qetë, sepse kërkonte shërbimet e mia për takimin me Admirën. Shkova vetëm për ndeshje dhe u ktheva. Fituam 3:0, ndërsa unë asistova në golin e parë dhe shënova të dytin. Gjatë shënimit të cdo goli do ta përkujtojë me mall të madh babain tim, i cili nuk e ka lëshuar asnjë ndeshje timen pa e shikuar", shprehet Kurtishi