Shqipëria në “ashensorin” e ngjitjes

Nëntë vende më lart. Nga vendi i 78-të në muajin maj 2007, tani në 69 në muajin qershor në renditjen Botërore të FIFA-s. Jo pak për një muaj. "Objektivi im është ta coj Shqipërinë në vendin e 60-të në fund të këtyre eliminatoreve", - tha Baric gjatë konferencës për shtyp përpara ndeshjeve me Luksemburgut. Një objektiv i cili është në rrugën e realizimit. Dy fitoret rresht me Luksemburgun, ku ajo në transfertë ishte dhe treta historikë për Kombëtaren, vendi i katërt në grup me 9 pikë të grumbulluara në shtatë takime, u vlerësuan edhe në renditjen statistikore të përmuajshme të FIFA-s, ku klasifikohen pozicionet e 205 vendeve të gjithë botës. Shqipëria me vendin 69 në gjysmën e vitit kur në janar e nisëm nga vendi 86. Kombëtarja jonë ka marrë edhe një bonus prej 42 pikësh prej ekspertëve të statistikave të FIFA-s dhe tashmë ndodhemi në kuotën e 454 pikëve.
Renditja më e mirë e Shqipërisë në epokën Baric me sistemin e ri të llogaritjes është ajo e muajit gusht 2006, kur ndodheshim në vendin e 62. Shqipëria ndodhet menjëherë pas Xhamajkës që ka vetëm një pikë më shumë se ne (vendi 68, 455 pikë). Pas vendit tonë në renditjen botërore ndodhet Venezuela me 452 pikë (vendi i 70). Ajo që është edhe më dominues "rritjen" e Shqipërisë në renditjen e përmbysur të FIFA-s, është fakti se kemi lenë tre vende pas Bjellorusinë që ka zbritur - 8 vende, tani e 72-të, me 443 pikë. Bjellorusia, që humbi dy takimet e fundit me Bullgarinë, në renditjen e muajit aj ishte në vendin e 64, plot 12 vende para nesh. Sllovenia është zhytur keq në vendin e 89, më një rënie prej -13 pozicionesh dhe me 332 pikë.
Nga ekipet e tjera në grupin tonë, Holanda zbriti tri vende dhe tani ndodhet në të nëntin (1220 pikë). Rumania dhe Bullgaria që fituan ashtu si Shqipëria dy takimet e fundit respektivisht me Slloveninë dhe Bullgarinë kanë marrë bonuse prej tre vendesh dhe mbi 100 pikë. Rumania ndodhet për muajin qershor në vendin e 12 (1068 pikë, +138 pikë në krahasim me majin). Bullgaria renditet e 33-ta me 829 pikë (+124 pikë bonus). Luksemburgu cuditërisht është ngjitur 4 vende dhe tani ndodhet në vendin e 174 me 41 pikë.
RENDITJET E VITIT 2007 PËR SHQIPËRINË
* Qershor, vendi 69
* Maj, vendi i 78
* Prill, vendi 77
* Mars, vendi 88
* Shkurt, vendi 87
* Janar, vendi 86
Italia, e para në FIFA
Italia qëndroi e "salduar" në krye të klasifikimit botëror të FIFA-s edhe në muajin qershor. Franca, pas suksesit të dyfishtë me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, kapërceu Brazilin dhe tashmë zë vendin e dytë, duke postuar pesë herë kampionët e Botës në të tretin. Në vendin e katërt ndodhet Gjermania, që shënon dhe pozicionin më të mirë të formacionit të Joakim Lëv në katër vitet e fundit. Argjentina zbriti dy vende dhe tani ndodhet e pesta. Ja dhe dhjetë të parët. Italia 1653 pikë, Franca 1585, Brazili 1484, Gjermania 1467, Argjentina 1373, Portugalia 1323, Spanja 1273, Anglia 1240, Holanda 1220 dhe Republika Ceke 1096 pikë.