Duka: “Bariç, ka fituar zemrën time”

- Armand Duka, presidenti i FSHF-së gjatë një interviste ekskluzive për Albania-sport.com te dhene sot, dha vlerësimet e tij për trajnerët e huaj të Kombëtares shqiptare: italianin Xhuzepe Dosena, gjermanin Hans Peter Brigel dhe kroatin Oto Baric. Jashtë vemendjes së tij, nuk mbetën edhe konsideratat për ekipet e tjera Kombëtare: U-21, U-19 dhe U-17. Duka foli edhe për situatën e re në marrëdhëniet me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe ndërkohë që reagoi edhe ndaj veprimeve të një grupimi tifozësh gjatë ndeshjes Shqipëri-Luksemburg.
Zoti president, duket se po mbizotëron një klimë pozitive në ambientin e futbollit shqiptar.
Në vështrim të parë edhe unë do ta konsideroja përgjithësisht po të tillë. Futbolli ynë pavarësisht rezultateve reale, dhe hapave që hedh përpara të cilat duhen përshëndetur dhe inkurajuar, ka ende probleme për t'u zgjidhur. Ka probleme të cilat nuk mund të zgjidhen vetëm nga Federata Shqiptare e Futbollit, por kërkon edhe kontributin e të gjithë aktorëve dhe faktorëve të shoqërisë shqiptare. Ajo që unë uroj dhe po e konstatoj dhe kohët e fundit është fakti i një sensibilizimi pozitiv që vjen nga shumë drejtime për të zhvilluar futbollin në Shqipëri.
Eshte konstatuar një ndryshim të qëndrimit qeveritar dhe, në këtë kontekst kam parasysh edhe deklarimet e fundit të ministrit të Sporteve, Ylli Pango për mirëkuptim dhe jo konflikt, të shprehura pas takimit me zyrtarë të lartë të FIFA-s dhe UEFA-s.
FIFA dhe UEFA i cuan ministrisë amendamentet dhe propozimet me amendamentet për ndryshime në statut dhe i kërkoi asaj sugjerimet e veta. Disa nga propozimet e ministrisë ishin absolutisht të papranueshme pasi cenonin në mënyrë të dukshme pavarësinë e federatës dhe binin në kundërshtim me statutin e saj. Pas takimit dhe konsultimit me zyrtarët e lartë të FIFA-s dhe UEFA-s ministria hoqi dorë nga propozimet e saj. Në këtë këndvështrim unë do të thosha se ndryshimet në statutin e miratuar në Asamblenë e 9 qershorit janë bërë frymën e mirëkuptimit midis FIFA-s, UEFA-s, FSHF-së, por edhe të Ministrisë Turizimit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Për derisa ky statut ka marrë miratimin e të gjitha palëve mendoj se ka vend për të besuar për krijimin e një klime të re. Ministri Ylli Pango nuk ka pasur shkëmbime deklaratash apo ngacmime dhe duket qartë se është për një frymë më pozitive. Uroj të mos jetë vetëm një atmosferë pozitive në heshtje, por të fillojë një bashkëpunim institucional për të kontribuar maksimalisht për futbollin.
Para pak ditësh u mblodh Asambleja e Zakonshme e FSHF-së, e dyta pas asaj të shkurtit të vitit të kaluar, ku ju u rizgjodhët për herë të dytë president i FSHF-së. Cilat janë piketat që vendosi ajo?
E vecanta e asamblesë ishte miratimi i ndryshimeve në statutin e FSHF-së. Mbështetja e plotë e anëtarëve të Asamblesë ishte dhe mesazhi më i mirë për angazhimin total i të gjithë komunitetit të futbollit kundër dhunës dhe pro Fair-Play, që përbente dhe një nga mesazhet kryesore edhe në fjalën time.
Zoti Duka, duket se raportet midis FSHF-së dhe organizmave të lartë të futbollit, FIFA-s dhe UEFA-s, janë në një nivel të ri marrëdhëniesh.
Po është e vërtetë që ekzistojnë marrëdhënie të shkëlqyera, por në asnjë rast ato nuk kanë të bëjnë me raporte individuale të presidentit Duka, por si marrëdhënie mes institucioneve dhe që lindin nga qëndrimet korrekte të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe zbatimit me përpikëri të kushteve që rrjedhin edhe nga të qenit anëtar të dy organizmave më të mëdha botërore e europiane në fushën sportive. Ne jemi pjesë përbërje e këtyre organizmave dhe marrëdhëniet e mira janë edhe detyrime dypalëshe.
Në shtatë takime përfaqësuesja jonë morri pesë rezultate pozitive: dy fitore dhe tri barazime. Dy humbjet e Shqipërisë ndodhën me Rumaninë kryesuese të Grupit G dhe Holandës, që konsiderohet favoritja kryesore për ta mbyllur fushatën kualifikuese në vend të parë.
Kemi zhvilluar ndeshje të mira gjatë këtij edicioni, jo vetëm për nëntë pikët që kemi siguruar, por dëshiroj të theksoj se kemi bërë ndeshje të mira dhe në dy ndeshjet që kemi humbur. Mendoj se jemi aty ku e meritojmë, aty ku kemi nivelin e ekipit tonë përfaqësues në renditje, pavarësisht edhe të ndonjë meraku të mbetur në ndeshjen me Slloveninë. Si president i FSHF-së uroj që të ruajmë vazhdimësinë e paraqitjes së mirë. Unë mendoj se arritja e vendit të katërt në grup është e realizueshme. Skuadra në ndryshim nga eliminatoret e kaluara ka një konkurrencë reale në të gjitha sipërfaqen e lojës, gjë që i dedikohet stafit të ri teknik, i cili ka sjellë më shumë alternativa për cdo repart.
Gjatë presidencës suaj pesëvjecare keni punuar me tre trajnerë të huaj, italianin Xhuzepe Dosena, gjermanin Hans Peter Briegel dhe kroatin Oto Baric. Cili është vlerësimi i përzgjedhësit Duka ndaj trajnerëve të punësuar të Kombëtares?
Në fakt janë katër trajnerë, pasi për një periudhë të shkurtër kam punuar edhe me trajnerin shqiptar Sulejman Demollari. Të gjitha karakteristikat dhe vecoritë e veta. Dosena, i pari trajner i huaj pas viteve 2000 dhe i pari nga renditja kohore, ishte një trajner i mirë, madje do ta përcaktoja pa hezitim një trajner shumë të mirë. Kishte një disiplinë thuajse diktatoriale, të hekurt dhe kërkonte një mbyllje totale të skuadrës për të mos pasur kontakte me jashtë, që fillonte nga mbyllja e telefonave dhe shumë privimeve të tjera. Në përgjithësi ishte për t'u lavdëruar si teknik. Për nga mënyra e drejtimit në fushë të ekipit shumë pak e pamë, pasi qëndroi si trajner vetëm dy ndeshje. Në pikëpamjen e marrëdhënieve të tjera nuk qëndroi korrekt
Brigeli?
Superkorrekt si njeri. Trajner i mirë, me aq eksperiencë sa kishte në atë kohë. Super i ndershëm si njeri dhe bënte maksimalen për skuadrën. Krijoi një frymë grupi për t'u pasur zili.
Barici?
Di ta shfrytëzojë në maksimum eksperiencën e madhe që zotëron, në drejtim të ndeshjes dhe ka ditur të fusë konkurrencën në skuadër. E ka strategji të vetën dhe jo rastësisht merr lojtarë të rinj dhe aktivizon për t'u treguar të tjerëve se askush nuk e ka vendin të sigurt, për t'u mobilizuar. E konsideroj pozitive. Taktikisht është shumë lart dhe kjo evidentohet si e drejton skuadrën. Lëvizjet taktike që bën në fushë nga Baric nuk i konstatova nga trajnerët e tjerë.
Kjo do të thotë se mund të presim dhe një rinovim të kontratës së Baricit?
Si trajner më pëlqen aq shumë sa nuk do ta ndërroja kurrë. Jam në pikëpyetje dhe jam në diskutim edhe anëtarë të tjerë të lartë të FSHF-së për ta pasur sërish Oto Baricin, por gjithsesi kjo varet edhe nga trajneri për shkak të moshës së tij.
Le të kthehemi pak te kombëtaret e vogla. U-21 humbi thellësisht me Italinë, por fitoi takimin e dytë me Ishujt Faroe në Elbasan
Ekipi Shpresa konsiderohet se ka një brez të mirë lojtarësh dhe nuk mund të vlerësohet vetëm nga një ndeshje e humbur me Italinë. Ajo që më dhemb akoma është fakti se ekipi unë luajti keq dhe jo që pësoi katër gola, ishte thuajse inekzistent. Ndeshjen e dytë me Ishujt Faroe nuk e pashë, por u informova se luajtëm shumë mirë. Sot në të gjitha ndeshjet luhet për pikë dhe kundërshtarët e dobët po bëhen gjithmonë e më të vështirë.
Ju ishit në Sllovaki në turneun e ekipeve U-19 në "Slovakia Cup 2007", ku ekipi ynë i humbi të tria takimet.
Tri ekipet e tjera të grupit të Shqipërisë ishin dhe me të fortat e dy grupeve. Sllovakia ishte ekipi më i mirë i gjithë turneut dhe e fitoi atë. Polonia dhe Kroacia ishin skuadra që kishin një nivel më të lartë dhe ishte shumë e vështirë për të fituar me to. Ky turne u shërbeu lojtarëve tanë si një eksperiencë e dobishme në aktivitetet ndërkombëtare. Ndeshja me Kroacinë ishte dhe ndeshja më e mirë e ekipit tonë pavarësisht se humbëm 2-0. Konstatova disa lojtarë premtues dhe një nga këta ishte dhe Semiram Cela një mesfushor, i cili luante në Francë. Ishte shumë i talentuar dhe besoj se do të ketë të ardhme në ekipet tona kombëtare.
Shqipëria U-17 fitoi të hënën me miqësoren me Malin e Zi (2-1), por ajo dëshiroj të vecoj është organizimi në muajin tetor i kualifikueseve të Kampionatit Europian U-17, ku marrin pjesë përvec Shqipërisë dhe Letonisë, dy ekipe të mëdha si Holanda dhe Franca.
Ne insistuam për të marrë përsipër organizimin e ndeshjeve në grup të këtij kampionati. Për të qenë i sinqertë unë nuk do të dëshiroja të kisha në grup ekipe si Holanda dhe Franca, pasi nisur nga fakti që eliminatoret e grupit zhvilloheshin dëshiroja të kualifikoheshim. Kemi filluar nga përgatitjet. Ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin "Qemal Stafa" në Tiranë dhe në "Niko Dovana" të Durrësit. Është një eksperiencë më shumë për ne. Qëllimi ynë është të tregojmë se dhe ne dimë të organizojmë ngjarje të tilla.
Intervistoi: Dash Frashëri
"BANDEROLA FYESE? JA PËRGJIGJIA IME"
Në ndeshjen e fundit të Kombëtares në "Qemal Stafa", në takimin Shqipëri-Luksemburg një grupim i konsideruar i "Tifozëve kuqezi" protestuan hapur me një banderolë kundër cmimeve të vendosura nga FSHF-ja. Por, cili është komenti i presidentit Duka? "Në ndeshjen që ishte me cmimin absolutisht me te lire të biletave u protestua. Unë do tu thosha grupit të "Tifozëve kuqezi" apo "Dardanët" nëse ajo është gjuha e tifozëve, ata duhet të kontribuojnë për Kombëtaren dhe jo të kërkojnë të përfitojnë nga Kombëtarja. Të gjitha duan të marrin lekë nga futbolli, stadiumi me marrëveshjen përkatëse, shteti përmes tatimeve. Unë nuk dua ta kthej amatore Kombëtaren. Le ta paguajnë një biletë si kontribut të tyre për Kombëtaren për shtatë ndeshje që luhen në Shqipëri në një fushatë kualifikuese. Jo pak herë si federatë na kanë kërkuar bileta me gjysmë cmimi. Në nuk kam parë ndonjë fans në botë të kërkojë biletë pa lekë, por kontribuojnë përmes anëtarësimeve duke dhënë lekëUnë dua të theksoj vetëm një fakt, se vetëm një grumbullim i Kombëtares kushton afërsisht 50 mijë euro, pa përmendur premiot. Vetëm për dy fitoret me Luksemburgun u dhanë 150 mijë euro shpërblime.
SKEMË E RE NË KAMPIONATIN E RI
Sezoni 2006-2007 është mbyllur prej një muaji, ndërkohë që kanë nisur përgatitjet për Kampionatin e 69-të Kombëtar. Formula e fazës së tretë u kontestua nga një pjesë e skuadrave, ku dhe aludimet për kompromise ishin të dukshme, madje u fol edhe për një sistem. "Kampionati që përfundoi ka pasur anët e tij pozitive, por nuk munguan edhe fenomenet negative. E konsideroj një hap përpara. E keqja kryesore ishte një dhune që u shfaq në disa stadiume dhe një lloj kompromisi në dukje në fazën e tretë", tha presidenti Duka. "Jemi vetëdijshëm se duhet një ndërgjegjësim i të gjithë aktorëve për të minimizuar fenomenet negative. Edhe pse gjykuam se skema e përdorur në fazën e tretë të kampionatit që porsa përfundoi nuk do të lindte vend për tolerime, ajo u komprometua disi". Njeriu që komandon futbollin në Shqipëri ka dhe një ide të tij për skemën e kampionatit të ri. " Nuk mund të them tani se do të jetë në fuqi ajo skemë, por nga ana tjetër jemi duke punuar për ndërtuar një skemë të re të kampionatit, që t'i mbyllë sa më shumë shtigjet e kompromiseve. Jam disi skeptik pasi mendoj se dhe skema me dy grupe me nga gjashtë ekipe mund të sjellë më shumë kompromise. Numri 12 i ekipeve nuk do të ndryshojë", - pohoi bosi i FSHF-së.
SËMUNDJA E FUTBOLLIT
"Një nga sëmundjet më të mëdha të futbollit shqiptar është dhe mbetet infrastruktura. Deri tani kemi investuar në 11 fusha për stadiumet pasi kushtet e fushës së lojës ishin në gjendje të vështirë", - bëri një bilanc presidenti Duka.
10 FUSHA STËRVITORE
"Tani do të investojmë në 10 fusha stërvitore. Ne kemi mungesa të sipërfaqes sportive dhe, duke e ditur këtë fakt, në si institucion që kujdesemi për futbollin kemi vendosur t'i ndërtojmë ato me bar sintetik për t'u shfrytëzuar maksimalisht".
FATURA E TË KËQIJAVE
"Futbolli është i të gjithëve. Duke filluar nga politika, biznesi duhet të punojmë që ta cojmë përpara këtë sport në Shqipëri. Nuk duhet t'ia faturojnë të gjitha të këqiat federatës, ashtu si kundër dhe gjerat pozitive. Ai nuk i përket vetëm i FSHF-së".
SPONSORIZIMET, 20-FISH
"Kur unë morra drejtimin e FSHF-së, Kombëtarja kishte vetëm një sponsor, Ëestern Union. Tani janë disa: Vodafone, "Porsche", "Uji Tepelena", Ëestern Union. Shifrat janë shumëfishuar gati 20-herë. Tani jemi në prag edhe nënshkrimit të disa të tjerëve"
150 MIJË EURO
Shqipëria fitoi dy ndeshjet me Luksemburgun si në Tiranë dhe në Luskemburg. "Për një fitore brenda futbollistët morën nga 2 mijë euro dhe për fitoren jashtë 3 mijë. Shtoi dhe 2 mijë euro shpërblim ekstra, të cilat në total bëjnë 150 mijë euro"- tha Duka.
PREMIO ME HOLANDËN?
Ndeshja me Holandën konsiderohet si më e rëndësishmja për Shqipërinë. "Shpërblime ekstra? Ato janë të përcaktuara: 2 mijë euro për një fitore brenda dhe 3 mijë euro për fitoret jashtë, 1 mijë euro për barazimet. Por nuk përjashtohet që të merret një vendim"