E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kurum" ndërpret aktivitetin, 700 metalurgë mbeten pa punë

ELBASAN - Prej një jave firma 'Kurum' në Elbasan ka ndërprerë aktivitetin duke bërë që rreth 700 punëtorë të saj të mbeten pa punë. Drejtues të saj konfirmojnë se ndërprerja e punës është bërë për mosfunizim me energji elektrike dhe mungesa e akordit për një marrëveshje me furnizuesin OST. Nëse kjo marrëveshje nuk do të realizohet, punëtorët do të paguhen një vit me 60 për qind të pagës, ndërsa më pas mbeten të papunë. Gjergji Muçaj, drejtor i Burimeve Njerëzore në 'Kurum' sqaron situatën për 'GSH'…
Keni konfirmuar pezullimin e punës prej një jave?
- Po. Është absolutisht e vërtetë, mjaft e hidhur, por që urojmë që të mos jetë për një kohë dhe aq të gjatë nga sa mendohet paraprakisht. U detyruam pasi situata mbërriti aty ku nuk parashikohej.
Më konkretisht, cili është shkaku?
- Shoqëria "Kurum International" është një nga bizneset më të mëdha e ndër më seriozet të huaja në Shqipëri. Kjo kompani me eksperience të jashtëzakonshme në fushën e industrisë së rëndë ka bërë investime tepër të kushtueshme në vendin tonë… Aktualisht kjo kompani kishte rreth 700 punonjës. Por momentalisht "Kurum" ndodhet para një situate të tillë që ajo nuk furnizohet më me energji elektrike.
Më konkretisht?
- Ajo që dua të sqaroj me sinqeritet është fakti se kjo kompani është likuidator tepër korrekt i të gjitha faturave të ÇEZ. Gjithçka që ka ndodhur ka lidhje me ligjin "Për sektorin e energjisë elektrike të ndryshuar bazuar në nenin me përmbajtjen "Klient i Kualifikuar". Duke qenë se OST deri në këto momente nuk ka lidhur ndonjë marrëveshje të shërbimit të transmetimit me një furnizues të kualifikuar që të sigurojë furnizimin e tyre me energji elektrike sikurse është edhe "Kurum" prandaj dhe situata ka mbërritur deri në këtë pikë kritike. Me një shkresë të administratorit të OST, Arben Ibro, e cila i është drejtuar Shoqërisë "Kurum International" në date 06- 01- 2012, në orën 12- 00 është bërë ndërprerja e transmetimit të energjisë elektrike.
Çfarë ka ndodhur me punonjësit?
- Rreth 600 prej tyre kanë mbetur pa punë për shkak të mungesës së furnizimit me energji të uzinave. Aktualisht po mbahen në gatishmëri disa nga sektorët jetikë duke ndezur gjeneratorët dhe në kompani tani ka ndaluar plotësisht prodhimi…
Si parashikohet situata?
- Po bëhen përpjekjet maksimale në të gjitha drejtimet. Në bazë të Nenit 148 të Kodit të Punës si dhe Nenit 27 të Kontratës Kolektive të Punës kemi njoftuar fillimin e këshillimeve me përfaqësuesit ligjor të punëmarrësve. Shprehim shpresën se me vullnetin e mirë të Shoqërisë "Kurum", ky proces do ecë në përputhje me dispozitat ligjore me qëllim finalizimin e një marrëveshjeje…
Pavarësisht motivit që thoni, duket absurde ndërprerja e punës!?
- Në fakt arsyetimi është i logjikshëm. Prandaj rezervohem të shprehem përsa i përket zotimit të bërë publikisht nga ana e z.Sali Berisha se Qeveria e kryesuar prej tij do garantojë furnizimin normal me energji të biznesit me çfarë do lloj çmimi. Realiteti tani flet për të kundërtën. Por megjithatë le të shpresojmë se zgjidhja nuk do vonojë …

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›