Kusari: Certifikimi në Gjakovë, antikushtetues

Kandidatja e AKR-së për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari- Lila, në seancën e parë për procesin zgjedhor të komunës së Gjakovës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, ka vlerësuar se vendimi i KQZ-së për certifikimin e zgjedhjeve në Gjakovë është marrë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Gjykatësit kushtetues do të dëgjojnë edhe argumentet e KQZ-së dhe KZAP-it, ndërsa në seancat dëgjuese janë të ftuar edhe përfaqësuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Seancën dëgjimore për rastin “Gjakova” e ka kryesuar kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ndërsa trupin gjyqësor e përbëjnë edhe dy gjyqtarë të tjerë vendorë dhe tre ndërkombëtarë.
Sikur raporton KosovaPress, parashtruesja e kërkesës për përsëritje të zgjedhjeve në Gjakovë, Mimoza Kusari- Lila, ka thënë se është i padrejtë dhe i paligjshëm vendimi që KQZ-ja e ka marrë për certifikimin e zgjedhjeve në Gjakovë, para se Gjykata Kushtetuese të dalë me vendim në lidhje me parregullsitë e paraqitura.
“Nga kjo që u papaqit deri më tani është më se e qartë se vendimi mbi certifikimin e zgjedhjeve është marrë në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, dhe atë në kundërshtim me të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 32 ‘E drejta për mbrojtje juridike’, ku citohet se secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike, kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative, të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e tij në mënyrë të përcaktuar me ligj”, ka thënë ajo.
Kusari-Lila i ka propozuar Gjykatës Kushtetuese t’i urdhërojë KQZ-së përsëritjen e zgjedhjeve në Gjakovë.
Ndërsa, kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, i ka quajtur si ta pabaza vlerësimet e AKR-së, duke theksuar se KQZ-ja nuk ka obligim të presë vendimet e Gjykatës Kushtetuese me rastin e vendosjes për certifikim të zgjedhjeve.
“KQZ nuk është e lidhur me afate kohore, gjegjësit nuk ka obligim që të presë vendimet e Gjykatës Kushtetuese me rastin e vendosjes për certifikim për arsye se konform nenit 106 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe në qendrat e numërimit, si dhe kur të gjitha vërejtjet e dala, që u përkasin votimit dhe numërimit janë vendosur nga KZAP dhe nga Gjykata Kushtetuese”, ka thënë Lushta, transmeton KosovaPress.
Në seancë, megjithëse të ftuar, nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesit e KZAP-it dhe të AAK-së.