Obama e Kohler e urojnë Sejdiun për Pavarësi

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e përvjetorit të dytë të pavarësisë së Kosovës, ka marrë mesazhe urimi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama dhe ai i Gjermanisë, Horst Kohler.
“Në emër të popullit amerikan, unë ju përgëzoj Ju dhe qytetarët e Kosovës në përvjetorin e dytë të pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Unë gjithashtu dëshiroj të përgëzoj popullin e Kosovës për përparimin që keni bërë në ndërtimin e një shteti demokratik, paqësor dhe multietnik”, thuhet në telegramin e Obamas, të cilin e përcjell Presidenca e Kosovës.
“Ne e vlerësojmë partneritetin tonë dhe mbetemi të përkushtuar për t’ju mbështetur në hapat e nevojshëm për të arritur aspiratat tuaja euroatlantike. Në këtë 17 shkurt, u përcjell urimet e mia dhe besimin më të madh për vazhdimin e miqësisë dhe forcimin e partneritet në mes të dy vendeve tona”, përfundon telegrami i presidentit amerikan, Obama.
Letër urimi me rastin e dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës, Sejdiu ka marrë edhe nga presidenti i Gjermanisë, Horst Kohler. “Vitin e shkuar Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në rrugën drejt stabilitetit ekonomik dhe konsolidimit të politikave të brendshme e atyre të jashtme. Pranimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore sikurse edhe zhvillimi paqësor i zgjedhjeve lokale janë suksese të cilat, shpresoj, do të ndiqen nga të tjera”, thuhet në telegramin e Kohlerit.
Ai ka premtuar se Gjermania do të mbështesë me të gjitha mundësitë Kosovën në vazhdimin e proceseve të reformave dhe përafrimit të mëtejshëm të Kosovës me strukturat euroatlantike.