Dhjetë orë peng
Dhjetë orë pasi është rrëmbyer, pesëvjeçari Y. Zatriqi është gjetur dhe i është kthyer familjes. Ai është gjetur në rrugë në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Burime nga Policia bëjnë të ditur se sipas të gjitha gjasave, rrëmbyesi e ka liruar atë. Por nuk saktësohet se në çfarë mënyre është liruar. Pas lirimit, vogëlushi u është afruar dy kalimtarëve të rastit dhe i ka lutur që ta dërgojnë në shtëpi. Policia nuk jep asnjë detaj në lidhje me rastin, përveçse konfirmon gjetjen e tij. Për shkak “të natyrës sensitive” të rastit, policia thotë se aktualisht nuk mund të bëjë publike detaje të hetimeve.
Y. Zatriqi ishte rrëmbyer të enjten në mëngjes, derisa po flinte në dhomën e tij. Në orët e pasdites, policia njoftoi shkurt se fëmija i rrëmbyer është gjetur dhe është kthyer te familja e tij. Sipas policisë, gjendja shëndetësore është e mirë. Policia nuk jep më shumë detaje me arsyetimin se rasti është i ndjeshëm. Ngjarja që i ka shokuar banorët e lagjes Bregu i Diellit, ka ndodhur të enjten herët në mëngjes.
Pesëvjeçari ishte duke fjetur kur një person hyri dhe e rrëmbeu atë në dhomën e tij. Ai është djali i Skënder Zatriqit, kirurg në QKU. Në kohën kur u rrëmbye në shtëpi, ishte vetëm nëna e tij, edhe ajo mjeke në QKU. E, kur deshi që ta pengojë rrëmbimin e djalit, edhe ajo u sulmua nga rrëmbyesi. Ajo u godit me një shufër hekuri nga e cila V. Zatriqi mori lëndime të lehta. Të enjten, askush nga familja Zatriqi nuk ishte në gjendje të flasë në lidhje me rrëmbimin e djalit të tyre. Por dëshmitarë të afërt me familjen bëjnë të ditur se rrëmbimi i djalit u krye nga një person, i cili ka hyrë në shtëpi pasi që babai i fëmijës, Skënder Zatriqi, ishte nisur për në punë. Duke qenë se dera e shtëpisë ka qenë e hapur, ai ka hyrë në shtëpi drejt e në dhomën ku fëmija ishte duke fjetur. Nëna e vogëlushit e kishte hetuar dhe ishte përpjekur që ta pengonte atë, por ajo më pas ishte sulmuar nga personi që supozohet se e ka rrëmbyer djalin. Policia e Kosovës konfirmon ngjarjen, por nuk jep shumë hollësi për rastin, pasi që gjithçka është duke u hetuar. “Me të marrë informatën, Policia e Kosovës është aktivizuar në mënyrë që të zbulohen rrëmbyesit e fëmijës”, tha për Express, zëdhënësi i Policisë, Brahim Sadriu.
Sipas tij, janë lajmëruar të gjitha drejtoritë rajonale dhe pikat kufitare në mënyrë që të pengohet dërgimi eventual i fëmijës jashtë vendit. Menjëherë pas ngjarjes, Njësitë Speciale të Policisë kanë bllokuar hyrjedaljet e Prishtinës dhe kanë kontrolluar çdo automjet. Cak i bastisjeve kanë qenë veturat që kanë pasur fëmijë në to. “Sipas deklaratës së zonjës së shtëpisë, personi ka qenë pa maskë dhe i paarmatosur. Me vete ka pasur vetëm një shufër hekuri”, thotë burimi nga Policia në kushte anonimiteti. Megjithatë, ende nuk është e ditur nëse rrëmbyesi ka pasur edhe ndonjë bashkëpunëtor apo këtë e ka bërë krejt i vetëm. Çifti bashkëshortor Zatriqi jeton në lagjen Bregu i Diellit, vetëm pak metra larg shtëpisë ku banon kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ata kanë një ordinancë private ngjitur me shtëpinë. Bëhet e ditur se djali që u rrëmbye ishte fëmija i vetëm i çiftit dhe ai u kishte lindur pas shumë vitesh martesë. Ky nuk është rasti i parë i rrëmbimit të fëmijëve në Kosovë. Mirëpo, është i pari që rrëmbehet brenda në shtëpi.
Në mars të vitit 2008, në fshatin Pollatë të Podujevës persona të panjohur kanë rrëmbyer dyvjeçarin Erion Dema. Për fatin e tij nuk dihet as sot.
Disa muaj para tij edhe një fëmijë shtatë vjeç ishte rrëmbyer në shkollë në fshatin Sopi të Suharekës. Në dhjetor të vitit 2007, Armend Aliaj ishte rrëmbyer nga persona të panjohur. Pas katër muajsh, ai ishte gjetur i vdekur në një lumë në fshatin Leshan të Suharekës.
Reagojnë mjekët
Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe Sindikata e QKU-së dënojnë rastin e sulmit fizik ndaj çiftit bashkëshortor që punon në QKUK dhe kidnapimin e djalit të tyre. “Dhuna fizike ndaj kujtdo qoftë për QKUK dhe sindikatën është e papranueshme, aq më tepër, kur ajo ndodh në shtëpi dhe te punëtorët shëndetësorë, të cilët tërë jetën kanë punuar dhe mjekuar popullatën, kryesisht në bazë humanitare”, thuhet në komunikatë.
QKU-ja kërkon nga organet kompetente që sa më shpejt të hulumtojnë dhe të zbardhin rastin në fjalë, kurse kryesit e kësaj vepre të marrin dënimin meritor.