Drejt anulimit

Dëshira e Panelit përzgjedhës të BQK`së, që guvernatorin ta ketë patjetër nga radhët e saj, mund ta anulojë në tërësi konkursin për guvernator. Expressi ka mësuar se në lojë tash ka hyrë edhe Qeveria e Kosovës, e cila kurrsesi nuk po pajtohet me kandidatët që kanë mbetur në garë. Prej tyre, hiq këtu njërin, pothuajse asnjëri nuk është i preferuari i tyre.
“Kjo mund ta anulojë në tërësi konkursin për guvernator”, ka thënë për Express, një zyrtar brenda Qeverisë.
Prej 27 kandidatëve sa konkurruan, 19 prej tyre paneli përzgjedhës i eliminoi nga gara e, të tjerët që kanë mbetur në garë, pothuajse të gjithë janë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës dhe që mbajnë pozita udhëheqëse. Bëhet fjalë për Nexhat Kryeziun, Gazmend Lubotenin, Ajri Begun, Sejdi Rexhepin, Flamur Keqën dhe Gani Gërgurin. Që të gjithë aktualisht mbajnë pozita udhëheqëse në BQK.
Sidoqoftë, në Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës, as nuk pohohet, e as nuk mohohet se a është ligjore që Bordi i BQK-së ta zgjedhë vetveten për guvernator.
Për me tepër, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut dhe kandidatë të eliminuar nga gara për guvernator, kërkojnë hetime ndaj panelit përzgjedhëse të BQK-së, nën dyshimet se kanë diskriminuar kandidatët.
Kërkojnë të dihet se si ndodhi që të eliminohen kandidatët pa kurrfarë sqarimesh.
“Eliminimi, si thuhet, në fazën e parë, të këtyre kandidatëve lë për të dyshuar në kriteret që komisioni ka pasur për bazë”, thuhet në reagimin e KMLDNJ-së.
Këshilli, në reagimin e tij, thotë se paneli përzgjedhës i BQK-së është dashur që t’i japë sqarime me shkrim çdo kandidati që është refuzuar, duke pasur parasysh afatet ligjore për kundërshtim të vendimit.
Sipas informatave që ka KMDLNJ-ja, gjithashtu del se paneli nuk ka qenë dhe vazhdon të mos jetë transparent. Procedurat e ndjekura kanë mundësuar trajtim jo të barabartë të kandidatëve.
”Fakti që të “eliminuarve” u janë pranuar aplikimet, do të thotë se ata i kanë plotësuar kriteret e paracaktuara për aplikim”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Në të kundërtën, thuhet se si është e mundur që ata të plotësojnë kriteret për aplikim e të eliminohen që në fazën e parë, pa u ftuar fare në intervistim.
Krejt në fund, KMDLNJ-ja kërkon që për këtë punë të formohet një komision hetimor.
“Nëse konstatohet se ka pasur shkelje të rregullave të konkursit, të anulohet intervistimi dhe të sigurohen mundësi të barabarta dhe jodiskriminuese për të gjithë kandidatët”, përfundon reagimi.
Të pakënaqur me procesin e përzgjedhjes janë edhe kandidatët e eliminuar. Madje, njëri nga ta, Xhevat Meha, ka akuzuar Bankën Qendrore për shkelje ligjore. Fjala është për kriterin sipas të cilit guvernator nuk mund të jetë personi që ka biznes të regjistruar në Kosovë. Në ligjin për BQK-në, nuk kërkohet diçka e tillë.
Në reagimin e tij, Meha thotë se ky kriter është në kundërshtim me Ligjet e Kosovës, dhe njëherësh është edhe diskriminues. Sipas tij, përjashtimi i kandidatit veç për faktin se ka biznes të regjistruar në Kosovë, është në kundërshtim me këto dispozita.
“Kjo qartazi është paragjykim, meqë përjashton kandidatin që ka biznes të regjistruar dhe ka punuar me ndershmëri”, thotë Meha në reagimin e tij.
Ndryshe, me Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës, është Bordi ai që i zgjedh kandidatët dhe ia propozon Kuvendit për miratim.