E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kusari-Lila: Vendimi për importin e çimentos, i ligjshëm

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Mimoza Kusari Lila ka deklaruar edhe një herë se vendimi i marrë lidhur me importin e çimentos është i ligjshëm dhe në favor të mbrojtjes së prodhuesve vendor.
 

Kjo ndërmarrje është ndër kontribuuesit më të mëdhenj dhe të drejtpërdrejtë në buxhetin e Kosovës, ka arsyetuar ministrja Lila pa precizuar se deri kur do të jetë në fuqi vendimi i tillë i kundërshtuar jo vetëm nga opozita.
 

”Shar Cem”, nuk paraqet monopol për arsye se mbulon vetëm 33% të tregut të Kosovës (me tendencë të rënies së mëtejshme), ndërsa sipas Ligjit për Mbrojtjen e konkurrencës, në Kosovë, monopol konsiderohet të jetë çdo ndërmarrje që ka më shumë se 40% të tregut” tha ministrja Mimoza Kusari Lila para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.
 

Lidhur me këtë vendim të Ministrisë, folën edhe anëtarët e komisionit. Deputetja Teuta Sahatqija dhe Visar Ymeri, u shprehën se vendimi është i dëmshëm, ai favorizon vetëm një prodhues duke krijuar monopol në prodhimin e këtij produkti.
 

Për vendimin e MTI-së, ministrja Lila pritet të flasë në interpelancë edhe në njërën nga mbledhjet e rregullta të Kuvendit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›