Vendimi i GND për Kosovën, Zeneli: Jo pavarësi e plotë, formale

Fund dhe njëherësh jo fund i mbikqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Kështu e lexon vendimin e GND-së, dhënë një ditë më parë për shtetin më të ri të Ballkanit, diplomati Bashkim Zeneli. Në logjikën e Zenelit nuk mund të flitet për pavarësi të plotë dhe dalje terësore nga radari apo syri i ndërkombëtarëve, pasi pavarësisht progresi, për Zenelin Kosova ka sfida dhe problematika madhore përpara.
“Një hap i rëndësishëm, fitore për Kosovën në konsolidimimin e demokracisë, në përmbushjen e standarteve bazë për një Kosovë që ecën përpara. Duhet kuptuar si proces, vërtet përfundon formalisht në vjeshtë por s`thuhet dot se nuk do jetë e mbikëqyrur, ka probleme ku smund të hiqet vëmendja e ndërkombëtarëve. Në 4 vite Kosova ka ecur, por ka një entuziazëm të parakohshëm dhe të tepruar. Është një fitore dhe sukses që nuk duhet mbivlerësuar, nga ana tjetër do dalë shumë përgjegjësi edhe për të justifikuarketë hap. Një Kosovë shtet do parë edhe si Kosovë, më e përgjegjshme për të përballuar sfidat, si bashkëjetesa me minoritetin serb, vazhdimi i dialogut me Beogradin, në rrafshin teknik tashmë”u shpreh ai.
Dhe përballë sfidave që shteti i Kosovës ka përpara, sa pengohet kjo nga zgjedhjet e krerëve të rinj drejtues në Serbi, që për fatin jo shumë të mirë janë në radhët e radikalëve? Sipas diplomatit Zeneli me rëndësi nuk është personat, por vendosja e bashkëpunimit Prishtinë-Beograd. Në këndvështrimin e tij Serbia duhet të shmangë demagogjinë dhe të qartësojë një herë e mirë qëndrimin e saj, do apo nuk do të jetë pjesë e rrugës së integrimit europian.
“Politika e Kosovës nuk ka punë se kush zgjidhet, më shumë përgjegjësi është e Presidentit dhe Qeverisë serbe për të dhënë mesazhet e duhura për rrugën europiane që kanë nisur. Duhet të ketë vullnet të qartë, mund të deklarojnë se nuk njohin Kosovën, por të shprehet qartë vullneti i bashkëpunimit. Kosova e ka bërë punën e saj, i takon Serbisë. Unë e shikoj me skepticizëm nisur nga deklaratat dhe arrestimet e shumta për një bashkëpunim me Kosovën, nisur edhe nga raportet e fundit me Rusinë. Nuk mund të bëhen deklarata ekstremiste kundër Kosovës pas takimit në Moskë me Putin dhe pastaj të duash të ndjekësh rrugën europiane. Dëshiroj të jem i gabuar, por Serbia besoj se nuk do të ketë ndonjë progres të dukshem në marrëdhënie me Kosovën. Nuk mund të vazhdohet më me demagogji, urojmë të kapërcehet situata poszgjedhore në Serbi dhe të kapërcehehen tonet e nacionalizmit, pasi këto ndikojnë në një destabilitet në Ballkan, duke penguar edhe integrimin e tij. Kosova dhe pavarësia e saj janë një cështje e mbyllur tashmë”tha Zeneli.
Duke mbetur tek pika më e nxehtë e marëdhënieve Serbi-Kosovë, e cilësuar dhe si “mollë sherri” veriu, Zeneli e gjykon një cështje të pranishme dhe të njohur me kohë, aq sa edhe burim konflikti dhe debatesh. Në këtë kontekst sipas tij, zgjidhje të veriut nuk mund të japin as Kosova dhe as Serbia, për të nevojitet një qëndrim më i qartë dhe i prerë i BE-së për këtë cështje.
“Problemi i veriut ka qenë dhe përpara, është i njohur, është një problem që shqetëson BE dhe NATO-n. Mendoj që deklaratat e qëndrimet e Kosovës janë shumë të qarta, problemi nuk mund të zgjidhet vetëm mes dy palëve, duhet një qëndrim më i qartë nga BE lidhur me Serbinë, për të pranuar këtë situatë që s`mund të zgjidhet as me konflikte, as me ndryshim territoresh, as me ndryshim kufinjsh. Bashkëjetesa duhet të jetë shumë e natyrshme, ndëretnike dhe fetare. Kosova duhet të japë vazhdimisht mesazhe të tilla përpara ndërkombëtarëve, të njëjtën gjë dhe Serbia. Serbia të mos provokojë, ndërsa Kosova të ketë vullnet më konkret dhe gjithëpërfshirës” përfundoi diplomati Zeneli.