E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush do drejtojë PD? Mustafaj: Mbështes Biberajn, anëtarësia në parti s’përbën problem

TIRANË- Ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj ka reaguar në lidhje me vetëkandidimin e Aleksandër Biberaj për kreun e PD-së duke shprehur hapur mbështetjen e tij

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Mustafaj sqaron se anëtarësia e Biberaj në Partine Demokratike nuk duket të jetë problem, duke sjellë në vëmendje ata që janë larguar më parë nga kjo forcë politike dhe që me pas janë rikthyer.

Sipas tij, për asnjërin prej të larguarve që me pas janë rikthyer nuk është kryer procesi i formalizimit të ripranimit në parti. 

“Dje shpreha posaçërisht për demokratët kënaqësinë time për përfshirjen e mundshme të Aleksandër Biberajt në garën për kryetar të PD. Shoh se ka më shumë se 135 komente. I lexova të gjitha me vëmendje. Dua të ndalem me këtë rast vetëm tek një shqetësim i ngritur nga disa prej miqve të mi e që unë besoj se është i sinqerte: është apo jo Biberaj anëtar i PD? Në gjysmën e dytë të 2003, pasi kishim analizuar shkaqet e humbjes tonë në zgjedhjet e vitit 2001, ne arritëm në përfundimin se Partia duhej hapur ndaj vlerave. Dhe kjo hapje duhet të shënohej më së pari ndaj figurave të saj historike, të cilat tashmë gjendeshin në parti të tjera. Nisem kështu zbatimin e idesë së fillimit të ri. U kthyen njeri pas tjetrit brenda pak muajve Genc Ruli, Gramos Pashko, Arben Imami, Preç Zogaj e plot të tjerë. Për asnjërin prej tyre nuk u kërkua formalizimi i ripranimit. U quajt e mirëqenë anëtarësia e tyre e hershme në PD. Ky fakt u zyrtarizua me ndryshimet në statutin e partisë, ku u hoq përjashtimi nga PD. Kjo përvojë është e mjaftueshme edhe për Biberajn në këtë rast apo këdo tjetër, që do të afrohet”, shkruan Mustafaj.
(e.m/BalkanWeb)

Lidhje te tjera Gara për kreun e ri të PD-së, nis sot zyrtarizimi i kandidaturave

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›