Kush do te reagoi? Mjafti, G99, FDE apo K.Sh i Helsinikit
Dinjiteti i qytetarit, i nëpërkëmbur brenda territorit shtetëror
Në vazhdim të artikullit “Fjala e urtë shqiptare: ‘Koha është flori’ dhe burokracitë absurde” të botuar nga gazeta “standard” më datë 21 gusht 2008, më duhet të them që në fillim se një nga lexuesit e gazetës më shkruante një e-mail ku më vinte në dijeni për vazhdimësinë e këtij abuzimi me shtetasit shqiptarë.
Për kujtesë të lexuesit më duhet të kujtoj se bëhet fjalë për një legalizim rutinë dokumentesh për shtetasit shqiptarë të cilët jetojnë në vendet fqinje si emigrantë të ligjshëm dhe faktin se ky proces kalon nëpër një kalvar të mundimshëm dhe abuzues.
Në artikullin e përmendur më sipër ne bëmë me dije se për të legalizuar një dokument të tillë të duhej të telefonoje një numër 0900… ku asnjëherë linja nuk të del e zënë dhe të përgjigjet një operatore e cila mund të jetë duke u përgjigjur dy personave njëherësh, ku pasi dëgjon një regjistrim automatik që të njofton se në këtë linjë 15 sekonda kushtojnë 25 lekë të reja dhe se telefonata nuk mund të zgjasë më shumë se 15 minuta, më pas operatorja të prezanton rregullat sipas një radhe që ajo e njeh mirë dhe është e prirur që të ta ndërpresë telefonatën për një mungesë hiçasgjëje!
Pas një bisede të vështirë dhe të kushtueshme, më në fund të njoftohet se pas rreth një ose dy muajsh ti duhet të paraqitesh në ambasadën përkatëse në një orë përkatëse dhe me një numër përkatës. Nga ky moment ti beson se tashmë ke blerë një takim dhe do të të duhen vetëm disa minuta (sigurisht pas dy muajsh) për të mbaruar punë në ambasadën përkatëse dhe ta kesh të legalizuar dokumentin tënd të lëshuar nga shteti shqiptar...!
Kalvari vazhduaka akoma si në harxhimin e kohës, ashtu edhe të portofolit
Sipas lexuesit tonë, i cili e ka pasur këtë eksperiencë në vetën e parë, ky kalvar vazhduaka përsëri dhe rezultuaka akoma më absurd! Kur qytetari shkon në ambasadën greke (siç ka bërë lexuesi ynë) në orën e caktuar aty, sapo afrohesh, të tregojnë se duhet të paguash tek banka greke “Alfa” 2500 lekë të reja dhe më pas të shkosh pranë ambasadës.
Por, për fat të keq, pasi paguhet një shifër jo modeste për një shtetas shqiptar ambasadës greke duhet të zbulosh se pikërisht si ti janë rreth 200 shtetas të tjerë shqiptarë që kanë derdhur në bankën greke këtë shifër parash (rreth 500000 lekë të reja) dhe që u është komunikuar po nga 0900... dhe operatori përkatës (rreth dy muaj më parë) të vinin në ambasadë po në orën 09:00.
Aty të duhet të plotësosh një formular të Postës Shqiptare, e cila bën ndërmjetësin me pagesë dhe ty të duhet, pasi ke paguar bankën greke dhe Postën Shqiptare të presësh të paktën rreth dy orë pa mbarim vetëm për të dorëzuar dokumentin në një sportel ku të pret një vajzë e re e cila si kapacitet që i ka dhënë atë vend punë duhet të jetë vetëm përkatësia minoritare.
Ajo u drejtohet shumë prerë këtyre 2000 shtetasve shqiptarë të cilët vihen në radhë dhe presin “urdhrin” e saj për t’u afruar tek sporteli dhe dorëzuar dokumentin të cilin do të duhet ta tërheqësh në një nga sportelet e postës në fjalë, sigurisht të nesërmen duke paguar përsëri një tarifë të caktuar.
Nuk mund të shmanget ky absurditet?
Personalisht dhe shumë nga kolegët e mi vazhdimisht raportojmë për abuzimet me emigrantët shqiptarë në vendet fqinje dhe citojmë me kënaqësi raportet e organizmave ndërkombëtarë në këtë fushë, por kjo që ndodh këtu në shtetin amë, është diskriminim akoma më poshtërues, sepse ndodh në shtëpinë tonë.
Të blesh kaq shtrenjtë kohën dhe mungesën e dinjitetit tënd qytetar në sytë dhe kujdesin e institucioneve shqiptare është pa dyshim mungesë e paarsyeshme dhe absurde e respektit shtetëror të institucioneve, por gjithashtu edhe të individëve.
Ky mosfunksionim absurd i të gjithë instrumenteve shtetërore duke filluar nga ato administrative të shtetit, por pa dyshim të mass mediave të shumta dhe të kudogjendura, OJF-ve të panumërta dhe veçanërisht lëvizjes “Mjaft”, grupimit G99, Forumit për Demokraci Elitare, Komitetit Shqiptar të Helsinkit i cili ka në krye një zonjë të nderuar minoritare, gjithashtu është për të ardhur keq.
Edhe në shkrimin e mëparshëm të cituar edhe sot personalisht bëja thirrja për investigim për rastin nga kolegët e fushës së investigimit gazetaresk, por me sa duket shumica e tyre duan të bëjnë më shumë hetuesin sesa gazetarin investigues.
Shumica e tyre me sa duket duan të merren me gjëra “të mëdha” dhe nuk denjojnë të harxhojnë kohën me “cikërrima” si kjo nga ku në fakt duhet të fillojë demokracia e mirëfilltë, ajo ndaj individit për të shkuar më pas në atë për familjen dhe më pastaj për shoqërinë.
Do reagojë dikush për rastin? Personalisht shpresoj që nga Ministria e Jashtme, Komisioni i Jashtëm i Parlamentit, gazetarë të ndryshëm apo OJF-të që përmendëm, të reagojnë. Shpresoj të mos jem i gabuar, sepse kjo do të tregonte gjithashtu sa larg demokracisë funksionale jemi...